Zbulohen Edhe 25 Skelete

Hulumtimet e kryera me urdhër të kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, pas gjetjes së disa eshtrave të njeriut në oborrin e spitalit të ri në Bair, kanë rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore edhe të rreth 25 personave të tjerë.

Eshtrat e njeriut, për të cilët supozohej se janë të shqiptarëve të vrarë nga ushtria serbe gjatë Luftës së Dytë Botërore, në oborrin e ish-kazermës së ushtrisë famëkeqe serbe, tashmë në oborrin e spitalit, janë zbuluar derisa punohej në rregullimin e rrugës.

Me qëllim që të hulumtohet i tërë terreni përreth vendit ku janë gjetur eshtrat e disa personave, kryetari Kastrati ka kontraktuar një kompani, e cila gjatë fundjavës dhe të hënën ka punuar pa ndërprerë dhe ka hasur në shumë eshtra të tjerë.

Kastrati tha se pa marrë parasysh se cilës periudhë kohore i takojnë këta eshtra, është shumë me rëndësi që ata të grumbullohen dhe të vendosen në varrezat e qytetit.

“Eshtrat do të tubohen në një vend për të pritur që të bëhet analiza e tyre përmes ADN-së dhe të identifikohen, pasi që ka shumë qytetarë që tashmë janë të interesuar për të gjetur të afërmit e tyre që u janë zhdukur dhe nuk kanë ditur asgjë për fatin e tyre për vite të tëra”, tha Kastrati.

Ai ka apeluar edhe tek institucionet qendrore të vendit dhe ato ndërkombëtare që të krijojnë kushte dhe të ndihmojnë identifikimin e këtyre mbetjeve mortore, pasi që këtë nuk mund ta bëjë vetëm Komuna e Mitrovicës.

Murat Isufi, shef i sektorit për dëshmorë, invalidë të luftës dhe viktima civile të luftës në Komunën e Mitrovicës, nën mbikëqyrjen e të cilit po hulumtohet terreni në Bair, tha se vazhdimisht po dalin në sipërfaqe eshtra, madje jo në thellësinë e varrezave, por më cekët.

Isufi tregon se eshtrat që janë gjetur para dy javësh janë dërguar në Departamentin e Mjekësisë Ligjore të EULEX-it dhe nga atje është kthyer një përgjigje nga Alan Robinson, i cili thotë se eshtrave nuk do tu bëhet analiza e ADN-së pasi që ata janë të periudhës para luftës së fundit dhe, sipas tij, ky departament nuk ka mandat për identifikimin e tyre.

Ndërsa, Bajram Çerkini, drejtues i Shoqatës së të pagjeturve, tha se në vendin ku po gjenden eshtrat nga Lufta e Dytë Botërore ka qenë burg për shqiptarët dhe se aty kanë hyrë shumë sish, por më kurrë nuk janë parë e as gjetur.

Sipas tij, eshtrat e gjetur nuk janë të gjithë të një ngjyre, disa nuk janë dëmtuar shumë dhe prandaj dyshohet se aty mund të ketë edhe eshtra të shqiptarëve që nga serbët janë vra në luftën e fundit.

Punët në hulumtimin e terrenit në Bair për të gjetur eshtra të tjerë, vazhdimisht i kanë përcjellë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, përfaqësuesit e KFOR-it zviceran dhe herë pas here edhe familjarë të interesuar për të zhdukurit e tyre, ka njoftuar zëdhënësi i Komunës, Ahmet Jashari.