Xhamia e Osama Bin Ladenit në Prishtinë

Sot është më lehtë se kurrë që të fabrikohet një e pavërtetë, që ajo t’i plasohet opinionit publik dhe të shikohet se si ajo rritet në përmasa të paparamendueshme, veçanërisht nëse gënjeshtra në fjalë përmban sado pak të vërtetë dhe nëse narracioni i saj përputhet me ndonjë konspiracion të mëparshëm.

Ta marrim si shembull tregimin e jashtëzakonshëm të javëve të fundit se Kosova është shndërruar në një bazë trajnimi për opozitën siriane. Ky pretendim, i cili është absurd pothuajse deri në atë masë sa bëhet qesharak, arriti të përshkojë rrugëtimin nga një thashetheme interneti e deri tek Këshilli i Sigurimit i OKB-së brenda vetëm disa ditësh.

Shumë kolegë nga gazetat më të respektuara të globit preferojnë ta portretizojnë Kosovën si një lloj shteti-mafioz që udhëhiqet nga trafikantët e organeve njerëzore, që strehon xhihadistë dhe qarqet më të fuqishme të trafikimit të drogës dhe prostitucionit në botë.

Këto storie bëjnë që gazetat të shiten; ato e kanë më me interes që të fokusohen në anët negative se sa të ofrojnë portretizim të plotë dhe të drejtë të realitetit: se kemi të bëjmë me një shtet që ka probleme, sikur edhe shumë shtete fqinje të saj, me korrupsionin, krimin e organizuar dhe me një shkallë të ulët rreziku nga terrorizmi.

Këto tregime, që janë të mundshme por që përshkohen me shumë të pavërteta, më pastaj rrugëtuan nga një e pavërtetë e plasuar në internet në lajmin kryesor të mijëra web-faqeve, të cilat ofronin opinione ekstreme, maskarada dhe thashetheme dhe ato i plasonin si fakte dhe lajme.

Për fat të keq, storiet e tilla negative nga burime kredibile ofrojnë edhe strehë edhe nxitje për llojlloj çmendurish.

Për shembull, shtypeni “Osama Bin Laden Mosque Kosovo” (shqip Xhamia e Osama Bin Laden në Kosovë) në Google dhe do t’ju shfaqen mbi 3000 referenca. Si duket një xhami e tillë është ndërtuar këtu në vitin 2007.

Është pothuajse e pamundur që të zbulohet origjina e kësaj gënjeshtre, megjithatë, do të jetë e pamundur që ajo të fshihet apo të mohohet plotësisht. Përkundër faktit se kemi të bëjmë me një pretendim qesharak, ai do të qarkullojë dhe do ta dëmtojë reputacionin e Kosovës në mënyra tejet të çuditshme brenda qarqeve konspirative në internet. Shumica e storieve që përmendin këtë referencë përmbajnë edhe elemente të së vërtetës, gjë që bën edhe më të vështirë gjetjen e dallimeve mes fabrikimeve dhe fakteve të ofruara.

Ajo që bën që shkrimi lidhur me kampin e trajnimit të sirianëve në Kosovë të dallohet nga shkrimet tjera të ngjashme, është fakti se ai u përmend edhe në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, do të thotë në arenën kryesore politike botërore.

Kjo storie filloi si një raport i Associated Press për një vizitë tek tre disidentë sirianë në Prishtinë.

Ammar Abdulhamid, një aktivist kundër Assadit që aktualisht është në azil, i kishte thënë AP-së se kishte ardhur në Prishtinë për të mësuar diçka. “Kosova ka kaluar një përvojë e cila mendoj se mund të jetë shumë e dobishme për ne, për të kuptuar se si organizoheshin grupet e ndryshme të armatosura që e përbënin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Kjo vizitë u konsiderua shumë e rëndësishme dhe për këtë arsye u mbulua nga mediat ndërkombëtare.

Por, më pastaj filloi “këmbimi i ideve” dhe shtrembërimi i lajmit për tu shndërruar në… krijimin e kampeve për trajnimin e terroristëve në Kosovë.

Ngjashëm me rastin e xhamisë së Osama Bin Ladenit, është pothuajse e pamundur për të kuptuar se kush e nisi këtë thashetheme, edhe pse Russia Today, e cila njihet si “zëdhënëse” ndërkombëtare e Kremlinit, duket të ketë luajtur rol shumë të rëndësishëm në përhapjen e këtij mesazhi.

Ja se çka shkruante ky medium më 4 maj: “Opozita siriane po dërgon militantët e saj në Kosovë për të mësuar taktikat dhe për tu trajnuar për shembjen e regjimit të Presidentit Bashar Assas”.

Ata nuk ofrojnë ndonjë dëshmi për ta përkrahur këtë pretendim; dëshmi të tilla nuk ka. “Kampi i trajnimit në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës i cili po shfrytëzohet nga militantët nga Siria, fillimisht është krijuar nga SHBA si ndihmë për trajnimin e luftëtarëve të UÇK-së”, shtonte Russia Today.

E më pas ky nonsens fitoi në rëndësi kur ambasadori rus në OKB Vitaly Churkin ngriti këtë çështje në OKB. Ai dënoi, siç i quajti vet, “informatat brengosëse” se autoritetet Kosovare ishin duke “vënë kontakte me opozitën siriane me qëllim të trajnimit të kryengritësve sirianë” në Kosovë.

Është shumë vështirë që në internet të luhet roli i policit dhe për Kosovën luftimi i pretendimeve të tilla do të jetë tejet sfidues.

Por, qeveria e Kosovës do të mund dhe do të duhej të zhvillojë një strategji kredibile për veprimtarinë në internet, përmes së cilës me shpejtësi do të mund të adresonte pretendimet e tilla dhe do të ishte në gjendje të përhapë mesazhe pozitive për vendin.

Kjo sigurisht se do të ishte më pak e kushtueshme dhe shumë më efektive se sa dhënia e intervistave për mediat ndërkombëtare dhe emetimi i reklamave televizive që kushtojnë me miliona euro.