Është Krejt e Huaj Për Mua

Po u shkruaj  nga tarraca e një vile të bardhë në Greqi, me pamje nga deti Egje.

Kjo vilë me arkitekturë otomane, e zbukuruar plot shije dhe e rrethuar me pyje pishash, nën tingujt e bukur të gjinkallave dhe me flutura të mëdha sa pëllëmba e dorës, e vendosur në Sithonia në afërsi të Selanikut, do të mund të konsiderohej zgjedhje e përkryer për kalimin e pushimeve të verës – po të mos ishin mushkonjat.

Por, përse po ua tregoj të gjitha këto? Para tri vitesh kisha shkruar një kolumnë me të cilën kërkoja nga lexuesit që ‘të kalojnë fundjavën në Kosovë’. Përmes saj përpiqesha që t’i bind ndërkombëtarët e shumtë të cilët çdo fundjavë u hipin xhipave të tyre dhe marrin rrugë për në Selanik që të mendojnë dy herë nëse kjo ia vlen.

E kur këtë javë kalova për herë të parë në afërsi të Selanikut, mu kujtua kjo përpjekje e sinqertë për t’ua ndryshuar të tjerëve planet e pushimit.

Pas tri vitesh dhe me tre fëmijë e kuptova përse shumë njerëz marrin rrugë më të gjata se sa për në bukuritë malore të Kosovës dhe Shqipërisë veriore, apo të rivierës sublime të Shqipërisë që shtrihet nga Vlora deri në Sarandë.

Shumë vizitorë dhe të huaj nuk arrijnë të zbulojnë bukuritë e Kosovës dhe Shqipërisë për shkak të mungesës së informatave të besueshme dhe për shkak se hotelet apo stabilimentet të cilat ata i vizitojnë shpesh nuk plotësojnë as kriteret minimale.

Natyrisht se për udhëtarët më të guximshëm kjo përbën një mundësi të shkëlqyeshme për udhëtime më intime dhe me çmime të volitshme; e kur isha pa fëmijë unë jetoja për udhëtime të tilla. Jo të gjithë kërkojnë bide funksionale apo TV me ekrane të rrafshëta në muret e dhomave të tyre. Një nga udhëtimet e mia më të dashura ka qenë pushimi në fshatin e paprekur të Thethit në Bjeshkët e Nemuna, i cili është i bukur po aq sa është i largët.

Megjithatë, në përgjithësi ekonomia e Kosovës dhe Shqipërisë po vuajnë për shkak se shumë njerëz të cilët duan t’i vizitojnë ato, e të cilët nuk kërkojnë trajtim me pesë yje, nuk po e bëjnë këtë për shkak se nuk janë në gjendje që të organizojnë udhëtimet e tyre paraprakisht dhe nuk kanë informata të mjaftueshme mbi vendet që duan t’i vizitojnë.

Ekzistojnë disa burime informatash – udhëzuesi i Bradt për Kosovën përbën një pikë të shkëlqyeshme referente për vendin; ne, në Gazeta Jeta në Kosovë, mundohemi që lexuesit tonë t’i informojmë mbi ofertat më të reja për pushime dhe udhëtime, ndërsa ekzistojnë edhe disa web-faqe që u ofrojnë vizitorëve këshilla, por ato zakonisht nuk mirëmbahen mirë dhe nuk gëzojnë kredibilitet.

Megjithatë, në përgjithësi mungojnë informatat për konsumatorët potencialë, përfshirë edhe mua, të cilët duan por nuk arrijnë të konsumojnë një produkt të shkëlqyeshëm – turizmin në Kosovë dhe Shqipëri.

Qeveritë nuk kanë kapacitete për të ofruar informata të këtij lloji, ato zakonisht thjesht krijojnë web-faqe me hiperbola të pakuptimta dhe përplot fotografi të rregulluara në kompjuter.

Ky boshllëk mbetet të plotësohet në masë të gjerë nga sektori privat, përmes agjentëve të udhëtimeve dhe hoteleve individuale, edhe pse mbase ndonjë OJQ apo bordi i turizmit do të mund të kryente këtë punë për ta. Unë i inkurajoj që ta bëjnë këtë.

Me shumë ëndje do ta dërgoja familjen time një fundjavë në freskinë e Prevallës apo Rugovës, apo në pyjet dhe liqenin e Batllavës, por kjo është e vështirë sepse kjo kërkon shumë mund dhe duhet të kesh fat që të gjesh një shtëpi të mirë për ta marrë me qira.

E njëjta vlen edhe për Shqipërinë e jugut, të cilën e kam vizituar për pushime katër vitet e fundit radhazi.

Përkundër bumit të ndërtimit të pakontrolluar në këtë zonë, unë do doja të kthehem prapë atje këtë vit së bashku me fëmijët e mi.

Do të kushtonte fare pak krijimi i një baze të të dhënave të pronave që jepen me qira në destinacionet që i përmenda, apo që disa operatorë privat të grumbullojnë informatat përkatëse dhe t’i vënë ato në dispozicion në internet. Kjo punë mund të sjell përfitime të shumta, nëse familjet e huaja fillojnë t’i vizitojnë këto vende.

Për fat të keq, deri në ofrimin e një shërbimi të tillë, ne duhet të tentojmë që vendpushimet tona t’i gjejmë përmes kanaleve jozyrtare – bisedave me të tjerët apo përmes miqve të miqve tonë – apo që paratë tona t’i shpenzojmë në Greqi, Kroaci apo Mal të Zi, edhe pse shumë më me ëndje do të qëndroja në Detin Jon në Shqipëri apo të kaloja fundjavat në Kosovë.