Shpërblimi i Ri i Profesorit

Qyteti i madh në të cilin ai jetonte ishte tejet gazmor; çdo ditë atë e vizitonin shumë të huaj dhe të panjohur nga anembanë bota. Një ditë dy të tillë e kontaktuan profesorin dhe i sqaruan se ata janë ndarës të një shpërblimi të madh, duke i treguar se çfarë trofeu të artë janë të gatshëm t’i japin atij. Ky shpërblim jo vetëm që do të nxiste zili tek të gjithë, por ai do ishte i fare padukshëm për këdo që nuk meriton postin që e mban dhe për këdo që është tërësisht i marrë.

“Ky më ngjan në një shpërblim të mrekullueshëm”, mendoi më vete profesori. “Nëse e  marr një shpërblim të tillë, do të jem në gjendje të kuptoj se cilët pjesëtarë të mbretërisë sime nuk meritojnë postet e tyre dhe do të mund të dalloj të mençurit nga të marrët. Këtë shpërblim duhet ta kem patjetër”. Pasi që mori këtë vendim, ai ua dha njerëzve të huaj një shumë të madhe parash si parapagim dhe u tha që t’i rreken punës së tyre.

Për sajimin e këtij shpërblimi ata e kërkuan arin më të çmueshëm; por arin që e morën e mbajtën për vete.
“Sa shumë do doja ta di se si po ju shkon puna në shpërblimin e artë”, mendonte profesori. Por, ai u ndie pak keq kur iu kujtua se ata që nuk meritonin postin e vet nuk do ta shihnin atë. Personalisht, ai mendonte se nuk ka përse të frikësohet, megjithatë, mendoi se do të ishte mirë që të dërgonte dikë për të parë se si po shkojnë punët. Të gjithë ishin në ankth për të parë se a do të vërtetohej se i kanë fqinjët e marrë apo të padenjë për punët e tyre.

“Do ta dërgoj njërin nga ministrat e mi të moçëm dhe më besnikë”, mendoi me vete profesori. “Ai më së miri do të mund të vlerësojë se si qëndrojnë gjërat, ngase ai është inteligjent dhe askush nuk e meriton dhe nuk e kupton postin e tij më mirë se ai”.

Ministri i moçëm hyri në dhomën ku të huajt ishin ulur pranë një plinti të zbrazët ku do duhej të qëndronte shpërblimi. “Zoti na ruajt!” mendoi ai dhe hapi sytë, “unë nuk po shoh gjë”. Të gjitha këto ai i mendoi me vete por me zë nuk tha gjë.

“Ja pra, çfarë keni për të thënë?” tha njëri nga të huajt, ndërsa shtirej se është i zënë duke gravuar shpërblimin. “Oh, është papërshkrueshëm i bukur”, u përgjigj ministri i moçëm teksa shihte përtej syzeve të tij. “Na vjen mirë që mendoni kështu”, thanë të huajt.

Më pastaj, të huajt kërkuan më shumë para dhe ar, të cilat u nevojiteshin për ta finalizuar shpërblimin. Të gjitha ato që i morën ata i mbajtën për vete.

Pak më vonë profesori e dërgoi edhe një oborrtar besnik të tij tek shpërblimndarësit, për ta parë se si po u shkonte puna, ndërsa trofeu i tij pothuajse ishte kryer. Ngjashëm me ministrin e vjetër, ai kërkoi e kërkoi me shikimin e tij por nuk gjeti gjë, pasi që nuk kishte gjë për të parë.

“A nuk është i bukur ky shpërblim?” pyetën të huajt, duke treguar dhe shpjeguar se çfarë modeli të mrekullueshëm do ta gravonin, megjithëse modeli i tillë fare nuk ekzistonte. “Unë nuk jam i marrë” tha njeriu. “Andaj, mbase i bie se nuk meritoj ta mbaj postin që kam. Kjo është shumë e çuditshme, por më duhet ta mbaj këtë sekret nga të gjithë”, tha ai duke e lavdëruar shpërblimin të cilin fare nuk e shihte. “Është një shpërblim i mrekullueshëm”, i tha ai profesorit me tu kthyer.

I tërë qyteti po fliste për këtë shpërblim të çmueshëm. Më në fund, profesori deshi ta shihte edhe vetë shpërblimin në plintin e vet. I përcjellë nga një numër i madh i oborrtarëve të vet, përfshirë edhe ata të dy të cilët edhe më parë i kishte dërguar si emisarë, ai shkoi për t’i takuar dy të huajt e zgjuar, të cilët tash ishin në vlugun e punës.

“A nuk është i mrekullueshëm?”, pyetën dy burrështetasit që veç kishin qenë atje më parë. “Madhëria Juaj sigurisht i vlerëson lartë ngjyrat dhe modelin e përzgjedhur”, shtuan ata. Më pas, ata bënë me shenjë nga plinti i zbrazët, pasi që mendonin se të tjerët do të mund ta shohin shpërblimin e sajuar.

“Çfarë është kjo?” mendoi më vete profesori, “Unë nuk po shoh asgjë. Kjo është e tmerrshme! A thua jam i marrë? Apo, mos nuk meritoj të jem profesor? Kjo do të ishte një nga gjërat më të tmerrshme që do të mund të më ngjanin”.

“Vërtet”, tha ai duke u folur skulptorëve, “shpërblimin tuaj e vlerësojmë me notat më të larta të mundshme”, teksa lëkundte kokën dhe shikonte plintin e zbrazët, ngase nuk donte të pranojë se nuk po shihte gjë. Të gjithë ndihmësit që ndodheshin pranë tij shikonin nga të gjitha anët dhe megjithëse nuk shihnin gjë më shumë se sa të tjerët, thoshin sikur edhe profesori: “qenka vërtet i bukur”. Të gjithë ata njëzëri e këshilluan atë që trofeun e ri ta pranojë në një ceremoni rasti që do zhvillohej së shpejti.

Tërë natën para ditës së ceremonisë të huajt shtiheshin se po punojnë, duke shpenzuar mbi gjashtëmbëdhjetë qirinj. Dikur ata thanë: “Shpërblimi i ri i profesorit tani është i gatshëm”.

Profesori dhe të gjithë baronët e tij arritën në sallën madhe të pallatit; të huajt mbanin duart lart dhe bëheshin sikur kishin diçka në duart e tyre, ndërsa thoshin: “Ja ku është shpërblimi”!

“Është i lehtë sa një rrjetë merimange, kështu që në duar të jep ndjenjën po sikur të mos ishe duke bartur asgjë; por, këtu edhe qëndron tërë bukuria e tij”.

“E vërtetë”! bërtitën njëzëri oborrtarët tjerë; por ata nuk po shihnin asgjë, sepse nuk kishin çfarë të shohin.
“Sa bukur duket” thoshin të gjithë. “Çfarë punimi i bukur! Çfarë ngjyrash të bukura! Çfarë shpërblimi i mrekullueshëm!”

Udhëheqësi i ceremonisë deklaroi se bartësit e çadrës mbretërore, e cila do të sillej në këtë ceremoni, ishin të gatshëm. Administratorët e pallatit mbretëror, të cilët do të bartnin fjongot e gjata të vëna mbi trofe, i zgjatnin duart drejt tokës dhe shtireshin kinse po ngritin nga toka dhe po bartin diçka në duart e tyre; ata nuk donin që njerëzit ta kuptojnë se ata nuk janë duke parë gjë.

Profesori iu bashkëngjit kësaj ceremonie i ulur nën çadrën e tij të bukur dhe të gjithë ata që e shihnin nga dritaret ndërsa ai parakalonte rrugëve thërrisnin: “Qenka e vërtetë, shpërblimi i ri i profesorit është i pashoq”! Askush nuk dëshironte ta pranojë para të tjerëve se nuk po shihnin asgjë, pasi që po të pranonin këtë do ta pranonin edhe faktin se ose nuk e meritojnë postin që mbajnë ose janë të marrë. Shpërblimi i profesorit po admirohej si kurrë më parë.

Por, dikur një fëmijë i vogël tha: “Por aty nuk paska asgjë”. “Zot i madhërishëm, a e dëgjuat çfarë tha ky fëmijë i pafajshëm”, tha i ati i tij, ndërsa të tjerët filluan t’i pëshpëritnin njëri-tjetrit në vesh çfarë kishte thënë ai. “Por aty nuk ka asgjë”, filluan të thërrasin të gjithë të pranishmit. Kjo i bëri shumë përshtypje profesorit, ngase mendonte se ata e kishin me të drejtë; por, pastaj mendoi më vete: “Tash këtë gjë duhet ta çoj deri në fund”. Kësisoj, administratorët e pallatit mbretëror vazhdonin të ecnin me kokat lart dhe të bëheshin kinse po i bartin fjongot që nuk ekzistonin fare.

Të gjithë personazhet në këtë tregim janë fiktivë. Çfarëdo ngjashmërie me personalitete të vërteta, të gjalla apo të vdekura, është tërësisht e rastësishme.