Vjedhësit e Votave Kanë Statistika

Prokuroria e Shtetit kishte pranuar 191 raste ankesash nga procesi i fundit zgjedhor, nga të cilat janë akuzuar 1343 persona ndërsa priten të akuzohen edhe 931 të tjerë, thuhet në një raport të saj të punës për vitin 2011, që u publikua të enjten.

Ankesat kishin ardhur nga subjektet politike, kandidatët, shoqëria civile dhe vëzhguesit e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u zhvilluan në fund të vitit 2010.

Prokuroritë komunale në të gjithë Kosovën kanë pranuar nga Prokuroria e Shtetit lëndët që nga janari i 2011 duke ju dhënë prioritet në zgjidhjen dhe dënimin e kryesve potencialë.

Prokuroria Komunale në Prishtinë në tërësi ka pranuar 160 lëndë, prej të cilave janë ngritur 21 aktakuza – janë akuzuar 147 persona, për vepër penale mashtrim në votim nga neni 180 i KPK-së. E për veprën penale Keqpërdorimi i së drejtës së votimit, asgjësimi i dokumenteve të votimit prokuroria ka ngritur 19 propozim-akuza ku janë akuzuar 162 persona. Ndërsa prokuroria pas shqyrtimit ka hedhur poshtë 12 kallëzime penale, për veprën penale Cenimi i fshehtësisë së votimit, nga neni 179 i KPK-së.

Kjo prokurori gjithashtu ka mbyllur 16 raste me shënim zyrtar në mungesë të elementeve të veprës penale, 8 kallëzime penale i ka dërguar në kompetencë territoriale dhe 84 lëndë i ka ende në punë, në të cilat lëndë janë të përfshirë 588 persona.

Gjykata Komunale në Prishtinë deri më tash ka marrë gjashtë aktgjykime, në katër prej të cilave personat janë dënuar me gjobë, në një aktgjykim është dhënë dënim me kusht ndërsa një aktgjykim ka qenë refuzues.

Gjykata Komunale në Gllogovc ka marrë gjashtë aktgjykime ku në të gjitha rastet gjykata ka shqiptuar dënim me burg duke iu zëvendësuar atë në dënim me gjobë. Prokuroria Komunale në Prishtinë ka ushtruar ankesë kundër aktgjykimeve në 10 raste kjo për shkak të vendimit mbi sanksionin penal.

Prokuroria Komunale në Gjilan, ka pranuar 58 lëndë nga të cilat ka ngritur 31 aktakuza duke akuzuar 217 persona, ndërsa prokuroria ka mbyllur 27 kallëzime penale. Ku deri më tani nga gjykatat janë konfirmuar 9 aktakuza dhe 1 lirim nga akuza.

Gjykatat Komunale në rajonin e Gjilanit kanë shqiptuar këto dënime një person është dënuar me 3 muaj burg me kusht dhe një është liruar nga dënimi. E kundër këtyre aktgjykimeve prokuroria ka ushtruar ankesë për shkak të vendimit mbi sanksionin penal.

Prokuroria Komunale në Ferizaj, ka pranuar 47 lëndë, nga të cilat ka ngritur 38 aktakuza duke akuzuar 260 persona, për veprën penale Mashtrim në votime nga neni 180 i KPK-së. Prokuroria ka hedhur 9 kallëzime penale në mungesë të provave dhe deri më tani i ka pranuar 8 aktgjykime.

Në të gjitha rastet Gjykata Komunale në Ferizaj ndaj 22 të akuzuarve ka shqiptuar dënime me kusht, një person është dënuar me burg efektiv në kohëzgjatje prej 6 muajve, 7 të akuzuar janë dënuar me gjobë dhe ndaj 3 të akuzuarve është shqiptuar dënimi plotësues Ndalimi i ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej 4 vitesh.

Prokuroria Komunale në Gjakovë për rajonin e Gjakovës ka pranuar 33 lëndë nga të cilat lëndë ka ngritur 12 aktakuza, me të cilat janë akuzuar 77 persona, për veprën penale Mashtrim në votime nga neni 180 i KPK-së. Kjo prokurori ka ngritur një propozim akuzë ndaj një personi për veprën penale Keqpërdorim i së drejtës së votimit nga neni 178 paragrafi 1 i KPK-së.  Prokuroria ka mbyllur 21 lëndë, në mungesë të elementeve të veprës penale.

Ndërsa nga Gjykata Komunale në Gjakovë deri më tani janë konfirmuar të gjitha aktakuzat. Gjykimet janë në fazën e shqyrtimit, e ato që kanë përfunduar të pandehurit janë dënuar me dënime me gjobë. Prokuroria Komunale në Gjakovë ka ushtruar ankesë.

Prokuroria Komunale në Mitrovicë, ka pranuar 55 lëndë nga të cilat janë ngritur 10 propozim akuza, ku janë akuzuar 13 persona, për veprën penale Mashtrim në votime nga neni 180 i KPK-së. Kjo prokurori ka hedhur 12 kallëzime penale në mungesë të provave, ndërsa një lëndë e ka dërguar kompetencë për kundërvajtje.

Prokuroria Komunale në Prizren, ka pranuar 95 lëndë duke ngritur 30 aktakuza me 210 persona, për veprën penale Mashtrim në votime, nga neni 180 i KPK-së. Prokuroria ka ngritur 3 propozim akuza ndaj 3 të akuzuarve dhe hedhur 15 kallëzime penale. Në këtë prokurori në punë kanë mbetur edhe 49 lëndë, me 343 persona.

Gjykatat Komunale në rajonin e Prizrenit deri më tani kanë marrë 3 aktgjykime, ku janë shqiptuar dënime me kusht dhe dënime me gjobë, ndërkaq janë konfirmuar vetëm 13 aktakuza.

Prokuroria Komunale në Pejë, ka pranuar 47 lëndë nga të cilat janë ngritur 36 aktakuza, ku janë akuzuar 252 persona, për veprën penale Mashtrim në votime nga neni 180 i KPK-së. Kjo prokurori ka hedhur 10 kallëzime penale ndërsa një kallëzim penal është dërguar në kompetencë.

Deri më tani Gjykatat Komunale në rajonin e Pejës nuk kanë marrë asnjë aktgjykim, ndërkaq kanë konfirmuar vetëm 10 aktakuza.

Sipas rezultateve të pranuara nga Prokuroritë Komunale të Republikës së Kosovës, gjer më tani janë akuzuar 1343 persona, që kanë të bëjnë me veprën penale të Mashtrimit në votime nga neni 180 i KPK-së dhe me veprën penale Keqpërdorimi i të drejtës së votimit nga neni 178 i KPK-së.