Vidhen Kapakët e Pusetave dhe Shenjat e Komunikacionit

Fenomeni i vjedhjes së kapakëve të pusetave, shenjave të komunikacionit dhe çdo gjëje të metaltë që është pronë publike nuk e ka lënë anash as komunën e Vushtrrisë.

Hajnat nuk po kursejnë as rregullimet të cilat i kanë munguar Vushtrrisë me dekada të tëra, siç është lumi Tërrstena që ndan qytetin në mes dhe i cili i kushtoi buxhetit të Qeverisë së Kosovës mbi 1.5 milionë euro.
 
Sipas zyrtarëve komunalë, përgjatë këtij lumi përveç që janë vjedhur kapakët e pusetave të shumta, janë vjedhur edhe rrethojat anësore, të cilat rrezikojnë banorët që jetojnë aty afër. Në rrezik më të madh gjenden fëmijët që janë kalimtarët më të shpeshtë.

“Ne jemi duke marrë aksione të ndryshme edhe me Policinë e Kosovës, dhe me inspektoratin komunal, në kontrollimin e hekurishteve të ndryshme”, tha zëdhënësi i komunës së Vushtrrisë, Bahri Bivolaku.

Komandanti i stacionit policor në Vushtrri, Avdylaziz Hoxha, tha se vetëm vitin që shkoi janë marrë disa aksione dhe janë arrestuar disa persona, kryesisht të rinj, me dyshimin se kanë dëmtuar ose vjedhur kapakët e pusetave, shenjat e komunikacionit ose gjësende tjera të metalta.

“Vetëm gjatë vitit 2012 kemi ndërmarrë disa aksione që kanë rezultuar me kapjen e 5 personave, tre prej tyre fëmijë nën moshën 20 vjeçare, dhe ndaj tyre janë iniciuar procedura gjyqësore”, tha komandanti i policisë.

Gjërat e vjedhura pastaj shiten.

“Policia zhvillon aksione edhe nëpër hekurishte të Vushtrrisë me qëllim që të pamundësohet tregtimi i metaleve të vjedhura nëpër hekurishtet në fjalë”, tha komandanti Hoxha.

Vitin që shkoi, autoritetet komunale morën vendim për mbyllje të përkohshme të të gjitha hekurishteve në këtë qytet, pasi për të njëjtat ka dyshime se po tregtonin kapakët e pusetave dhe shenjat e komunikacionit si lëndë e parë hekuri. Mirëpo hekurishtet pas disa kontrolleve të autoriteteve përgjegjëse vazhdojnë ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre.

Foto GazetaJNK

M. P., pronari i njërës prej 15 hekurishteve që gjenden në Vushtrri, mohon se në hekurishten e tij janë blerë ose shitur kapakë pusetash, shenjash komunikacioni etj.

“Unë jam informuar nga zyrtarët komunalë për dukurinë e vjedhjes së gjërave të metalta, që janë pronë publike, por mund të them se në këtë hekurishte asnjëherë nuk janë blerë ose shitur produktet e tilla, edhe përkundër ofertave që kemi pasur”, tha M.P. duke cekur se ofruesit e këtyre produkteve janë kryesisht persona të mitur.

Ndërkohë, shqetësime për këtë dukuri kanë shprehur edhe qytetarët.

“Me vjedhjen e rrethojës së metaltë përgjatë lumit, janë të rrezikuar më së shumti fëmijët, të cilët janë vizitorët më të shpeshtë të këtyre hapësirave”, tha L. L, banor afër lumit “Tërrstena”.

Këtij shqetësimi i është bashkëngjitur edhe kryetari i komunës Bajram Mulaku, i cili i ftoi qytetarët e Vushtrrisë të jenë më të kujdesshëm në ruajtjen e hapësirave gjelbëruese, e sidomos të kenë kujdes për mosdëmtim të shtratit të lumit Tërrstena, i cili është një nga projektet më kapitale që ka realizuar qyteti i Vushtrrisë gjatë viteve të pasluftës.