Ura në Shkollat Etnikisht të Ndara

Tri vjet kanë kaluar që kur OSBE’ja kishte kërkuar nga Qeveria e Maqedonisë që të miratojë një strategji për ta parandaluar ndarjen etnike mes nxënësve në shkolla dhe tani kjo ide ka filluar të përkrahet nga autoritetet maqedonase.

Sot, pesë shkolla në Maqedoni, katër shkolla fillore dhe një e mesme, i janë bashkuar kësaj nisme duke afruar fëmijët nga shumica maqedonase me fëmijët tjerë nga komuniteti shqiptar, turk dhe komunitetet tjera.

Shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e popullatës së vendit prej 2.1 milionë banorësh.
Qeveria e ka përkrahur formalisht këtë ide, përmes miratimit të ‘strategjisë për arsimim të integruar’ vitin e kaluar, e cila mes tjerash parasheh përafrimin e fëmijëve nga etnitë e ndryshme, duke inkurajuar aktivitete të përbashkëta në shkolla dhe duke u mësuar atyre gjuhët e komuniteteve të tjera.

Por puna kryesore është kryer nga OJQ’të vendore, të ndihmuara nga donatorë të jashtëm. Megjithëse puna e bërë mund të konsiderohet si e suksesshme, ajo nuk mund ta zëvendësojë një qasje më gjithëpërfshirëse të qeverisë.

E ardhmja është premtuese,  kanë thënë burime të brendshme për Gaeztën Jeta në Kosovë.

Shkolla e fundit që ka filluar me mbajtjen e orëve mësimore shumëgjuhëshe me nxënës nga etni të ndryshme, të cilat kanë për synim veçanërisht afrimin mes komuniteteve të ndryshme etnike, ishte shkolla fillore Rajko Zinzifov nga komuna shumetnike e Shkupit – Çairi, në të cilën jetojnë kryesisht qytetarë të komunitetit shqiptar.

Të hënën e kaluar, fëmijët në këtë shkollë që numëron disa qindra nxënës kanë filluar të marrin pjesë në aktivitete që mbahen njëkohësisht në shqip dhe në maqedonisht.

 Foto: NDC Shkup

Këto orë speciale mbahen gjatë fundjavave dhe pjesëmarrja në to nuk është e domosdoshme. Profesorë të trajnuar nga kjo shkollë shfrytëzojnë lojërat dhe aktivitetet interaktive, përmes të cilave u mësojnë fëmijëve tolerancën etnike dhe i bëjnë ata më të hapur dhe i të kenë një qasje më kosmopolitane ndaj botës që i rrethon.

“Ne po ofrojmë një program përfshirës, i cili korrespondon me planprogramin zyrtar të shkollës, i cili mëton tu ofrojë nxënësve rast për tu njoftuar me bashkëmoshatarët e tyre të etnive të ndryshme”, shpjegon Biljana Krsteska Papic, menaxhere për arsim, trajnim dhe zhvillim në Qendrën për Dialog Nansen në Shkup.

Qendra Nansen është përgjegjëse për orët multietnike në të gjitha pesë shkollat e vendit të cilat deri tani kanë filluar të praktikojnë të ashtuquajturin ‘model Nansen’.

Përmes shoqërimit dhe ndërveprimit, fëmijët mësohen se si të kenë respekt të ndërsjellë dhe të jenë tolerant, por edhe të paraqesin gjuhën dhe kulturën e tyre, shpjegon Papic, duke shtuar se përfitim tjetër nga këto orë mësimore është se fëmijët fitojnë njohuri për kulturat dhe gjuhët tjera.

Kjo Qendër është pjesë e Rrjetit për Dialog Nansen, i financuar nga norvegjezët, i cili ndihmon zhvillimin e dialogut dhe proceseve paqësore anembanë botës, duke e vazhduar kësisoj veprimtarinë e z. Fridtjof Nansen, norvegjezit që në vitin 1922 fitoi çmimin Nobel për Paqe.

Përpjekjet e tyre për të promovuar arsimim të integruar dhe bashkëpunim etnik në shoqërinë e Maqedonisë së pasluftës kanë bërë që gjatë këtij muaji ta fitojnë një çmim prestigjioz të dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës.

“Çmimi Max van der Stoel” dhe shpërblimi monetar prej €50,000 i janë dorëzuar kësaj organizate të hënën e kaluar gjatë një ceremonie në Hagë.

Në vitin 2011 Maqedonia kaloi nëpër një konflikt të shkurtër të armatosur mes kryengritësve shqiptarë dhe forcave të sigurisë.

Foto: NDC Shkup

Ky konflikt përfundoi në po të njëjtin vit pas nënshkrimit të marrëveshjes paqësore të Ohrit, një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët përmes të cilës shqiptarëve, të cilët përbëjnë pothuajse një të katërtën e popullatës së vendit prej 2.1 milion banorë, u garantohen të drejta më të mëdha.

Por ndarjet etnike në Maqedoni vazhdojnë të jenë të fuqishme dhe më të theksuara në sistemin arsimor të vendit, i cili ofron fare pak mundësi kontakti mes nxënësve maqedonas dhe shqiptar.

Shkollat e Maqedonisë vazhdojnë të paraqesin një arsye për brengë. Gjatë vizitës së tij në tetor të këtij viti, Komisioneri i OSBE-së për Pakica Kombëtare, Knut Vollebaek, paraqiti brengat e tij duke thënë se në rast se nxënësit mbesin të ndarë në shkolla të ndryshme, apo nëse ata vazhdojnë të vijojnë mësimin në turne të ndryshme, ekziston rreziku i fuqizimit të mëtejmë të ‘shoqërive paralele’ në Maqedoni – njërës që graviton përreth shumicës maqedonase dhe tjetrës që përbëhet nga shqiptarët.

Në vitin 2005, para se OSBE ngriti zërin lidhur me shkollat e ndara të Maqedonisë, Qendra për Dialog Nansen inicioi programin e quajtur ‘Dialog dhe Pajtim’ në komunën veriperëndimore të Jegunovcit, e cila në vitin 2008 rezultoi me hapjen e shkollës së parë të integruar dygjuhëshe në këtë komunë. Në fillim, ky zhvillim u përcoll me shumë armiqësi nga akterët politik, por ajo pati sukses falë qëndrimit pozitiv, të shprehur veçanërisht nga prindërit.

Që nga ajo kohë, modeli i integruar arsimor i zhvilluar atje, i ashtuquajturi ‘Modeli Nansen’, është shtrirë edhe në shkolla të tjera fillore dhe të mesme në komuna të tjera.

Një nga ato shkolla që më vonë hyri në këtë skemë ishte shkolla e mesme “Mosha Pijade” në qytetin perëndimor të Tetovës, me shumicë shqiptare, në të cilën për shkak të punës në turne të ndryshme, nxënësit maqedonas dhe shqiptarë kanë qenë tërësisht të izoluar nga pala tjetër.

“Me fillimin e orëve tona atje, u kishim dhënë madje edhe profesorëve nga të dy turnet që të takohen për herë të parë”, sqaroi Papic.

Në verën e vitit 2010, qeveria kishte miratuar strategjinë e vet për arsim të integruar, por shpresat për sistem më të integruar arsimor ishin përballë me një krizë të re.

Foto: NDC, Shkup

Pa kurrfarë paralajmërimi, ish-Ministri i Arsimit, Nikola Todorov, nxori me ngut një vendim në fillim të vitit shkollor me të cilin i obligonte nxënësit që u përkasin pakicave etnike që të mësojnë maqedonisht nga klasa e parë. Deri atëherë, pakicat nuk kishin filluar me mësime në maqedonisht deri në klasën e katërt.
Vendimi e nevrikosi udhëheqësinë shqiptare, të cilët thanë se nuk janë pyetur për këtë çështje, ndërsa Todorovi u detyrua që ta tërheq këtë dispozitë pas bojkotit të paralajmëruar të shkollimit nga mësimdhënësit dhe prindërit e komunitetit shqiptar.

Tani, ministri i ri është duke u munduar që t’i qetësoj gjakrat.

“Ne nuk po ngutemi për të zënë kurrfarë afatesh. Caku jonë është që të implementojmë një strategji në mënyrë thelbësore dhe të fitojmë përkrahjen dhe mirëkuptimin nga të gjitha komunitetet në Maqedoni”, tha Pance Kralev me të marrë pozitën e tij gjatë verës, pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në muajin qershor.

Kralev rishtas ka shprehur përkrahje të plotë për programin e orëve të integruara mësimore para vizitorëve të OSBE-së. Por, OJQ-të lokale thonë se ata kanë nevojë për më shumë fonde për të bërë që kjo punë të funksionojë dhe të zgjerohet më tej.

“Ne kemi nevojë për përkrahje në nivele më të larta, posaçërisht pasi që aktualisht këto orë mësimore po financohen vetëm nga komunat”, tha Papic. “Ndërsa ne nuk jemi të sigurt se edhe sa gjatë do të jenë në gjendje komunat që të sigurojnë mjete.”

Ministri Kralev dhe zëvendësi i tij Safet Neziri “duken më të gatshëm për të marrë hapa konkret për të implementuar këtë projekt se sa paraardhësit e tyre”, i tha Gazetës JnK një burim brenda OSBE-së.

“Por ende ka shumë punë për tu bërë. Ministria e arsimit duhet të shtojë kapacitetet e veta për të krijuar politika gjithëpërfshirëse të cilat janë të zbatueshme në jetën e përditshme”, shtoi i njëjti burim.
Një zhvillim që nxit optimizëm në këtë drejtim është fakti se kjo fushë së shpejti do të ndihmohet nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID.

USAID planifikon që të lansojë një projekt të vetin gjatë muajit tetor, përmes të cilit shpreson se do t’i nxisë komunat që të pranojnë zhvillimin e orëve mësimore shumetnike, duke u ofruar atyre asistencë financiare për renovimin e ndërtesave të shkollave, si dhe për të trajnuar dhe ngritur vetëdijen e mësimdhënëseve, nxënësve dhe prindërve për rëndësinë e kësaj çështjeje.

Foto: NDC, Shkup

USAID planifikon që në këtë projekt të shpenzojë rreth 5 milion dollarë gjatë katër viteve të ardhshme.
Vlado Dimovski, nga OJQ Qendra për Tolerancë Ndëretnike, thotë se çështje kyçe për afrimin e fëmijëve është bindja e prindërve se kjo ide është e mirë.

Prindërit nga pakicat etnike duhet të binden se të mësuarit e zakoneve dhe gjuhës së shumicë maqedonase nuk paraqet ndonjë plan të fshehtë për t’i asimiluar ata, dhe se kjo do tu ndihmojë shumë fëmijëve të tyre në gjetjen e vendeve të punës.

Njëkohësisht në zonat ku shqiptarët, turqit apo komunitetet tjera përbëjnë shumicën e popullatës, maqedonasit duhet të mësojnë këto gjuhë në mënyrë që të përmirësojnë komunikimin e përditshëm.

“Unë punoj në një shkollë të përzier ku mësimi zhvillohet në maqedonisht, shqip dhe turqisht”, theksoi Dimovski.

“Por nga ajo që shoh dhe nga komunikimi me kolegët e mij e kuptoj se për momentin nuk ka gatishmëri për të pranuar një sistem të arsimit të integruar,” tha ai. “Ne duhet të punojmë ngadalë, hap pas hapi.”

Shumica e popullatës së Maqedonisë vlerësojnë se në përgjithësi marrëdhëniet mes komuniteteve janë të dobëta.

Në një anketë të zhvilluar nga Qendra e Dimovskit gjatë vitit të kaluar 78 për qind të respondentëve kanë përshkruar marrëdhëniet etnike në vend si “shumë të këqija”.

“Synimi nuk është që njerëzit të detyrohen të bëjnë diçka [që ata nuk duan të bëjnë],” tha Papic.
Aktivitetet e arsimimit të integruar “nuk fillojnë pa pëlqimin dhe përkrahjen e hapur nga prindërit”. Në këtë kuptim, “prindërit duhet të jenë aleatët tonë më të fuqishëm”.