Thaçi Zotohet për Implementimin e Ahtisaarit

(E plotësuar) Kryeministri Hashim Thaçi, në emër të Qeverisë së Kosovës, është zotuar sot para Grupit Drejtues Ndërkombëtar (GDN), për implementimin e plotë të Dokumentit të Ahtisaarit, në mënyrë që viti 2012 të jetë viti i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.

“Duke e përmbyllur pavarësinë e mbikëqyrur, Kosova afrohet edhe më tepër drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi, pas takimit të sotëm të GDN-së, në Vjenë.

Thaçi iu tha gazetarëve se takimi i sotëm ishte jashtëzakonisht produktiv dhe i suksesshëm. “Ishte një mundësi për të prezantuar përparimin e theksuar të Kosovës dhe përmbushjen e  obligimeve të mbetura në propozimin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari”.

Ai veçoi se takimi po mbahet vetëm disa ditë pasi zyrtarisht u hap edhe procesi i dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën.  “Pra, shteti i Kosovës po konsolidohet dhe forcohet. Është hapur perspektiva e sigurt evropiane, prandaj në këtë drejtim, ne kemi pasur të arritura evidente në konsolidimin e shtetit, institucioneve dhe njohjeve të reja, në forcimin e sovranitetit dhe ruajtjen e tërësisë territoriale, forcimin e marrëdhënieve me të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe forcimin e agjendës evropiane”.

Sipas kryeministrit, Kosova për herë të në histori, tashmë ka agjendë të qartë evropiane, për liberalizimin e vizave, për marrëdhëniet tregtare dhe kontraktuale me Bashkimin Evropian në procesin e anëtarësimit në Bankën për Zhvillim dhe rindërtim Evropian.

“Edhe sa i përket dialogut teknik, zbatimit të marrëveshjeve tjera, do të thotë ne jemi të përgjegjshëm edhe për arritjet e marrëveshjeve dhe për zbatimit të tyre, duke pasur sukses edhe në procesin e zbatimit të ligjeve, të rendit të ligjit, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke vazhduar edhe në të ardhmen në reforma të thella demokratike në të gjitha sferat edhe në ekonomi dhe politikë dhe legjislacion sipas standardeve të Bashkimit Evropian”.

Thaçi ka falënderuar shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Peter Faith, dhe shtetet anëtare të Grupit Ndërkombëtar Drejtues, “për mbështetjen e plotë që sot i dhanë zotimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur për vitin 2012”, pasi të jenë implementuar të gjitha obligimet ndërkombëtare që dalin para institucioneve të vendit.

Nisin Përgatitjet Për Përfundimin e Mbikëqyrjes

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën (GDN) konsideron se Kosova tani është në fazat përfundimtare të zbatimit të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit (PGJS) dhe si rrjedhojë do të fillojë përgatitjet për përfundimin e organizuar të pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbylljen e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), e cila do të duhej të jetë e mundur deri në fund të vitit 2012.

GDN-ja ka propozuar një strategji për këtë qëllim. “E para, ICO-ja do të vazhdojë të punojë me Qeverinë e Kosovës, me opozitën, dhe institucionet e tjera të Kosovës për t’i përfunduar detyrat e mbetura nga PGJS-ja dhe do të kërkojë nga Qeveria t’i bëjë zotimet e nevojshme politike dhe financiare. Kjo do të kërkojë nga institucionet e Kosovës që t’i zbatojnë disa masa specifike për t’i fuqizuar parimet e PGJS-së, siç janë decentralizimi, të drejtat e komuniteteve, trashëgimia kulturore dhe ballafaqimi me të kaluarën, që janë të domosdoshme për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur. Ajo pret vazhdimin e interesit të ngushtë nga partnerët ndërkombëtarë sa i përket respektimit të këtyre parimeve pas përfundimit të mbikëqyrjes, duke qenë se Kosova është në vazhdën e perspektivës së saj evropiane. GDN-ja mirëpret gatishmërinë e Qeverisë, që me ndihmesën e nevojshme financiare ndërkombëtare, të zgjasë praninë e ekspertëve ndërkombëtarë në institucione të përzgjedhura për një periudhë të caktuar pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë me qëllim të vazhdimit të zhvillimit të kapaciteteve të këtyre institucioneve”, thuhet në një komunikatë shtypi, të lëshuar nga ICO-ja, pas takimit të sotëm të GDN-së.

“E dyta, GDN-ja mbështet një pako ndryshimesh në Kushtetutën e Kosovës dhe në legjislacionin përkatës primar të nevojshme për përfundimin e mandatit të ICO-së dhe të pavarësisë së mbikëqyrur. GDN-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës, partive politike dhe institucioneve të tjera përkatëse që të punojnë në mënyrë bashkëpunuese dhe konstruktive në përgatitje të miratimit të ndryshimeve të nevojshme në Kuvend, që do të aprovohen nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR). Ndryshimet do t’i hiqnin të gjitha elementet e mbikëqyrjes ndërkombëtare nga Kushtetuta, duke siguruar që ajo t’i pasqyrojë parimet e PGJS-së të cilat vazhdojnë të mbeten qendrore për Kosovën. Si rrjedhojë, Kushtetuta do të qëndronte e vetme si korniza ligjore kryesore për Republikën e Kosovës, duke siguruar zhvillimin e vazhdueshëm të vendit si demokraci e pavarur, sovrane dhe shumetnike”.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar përgëzon Qeverinë e Kosovës për progresin e vazhdueshëm në forcimin e strukturës institucionale dhe ligjore të një shteti plotësisht funksional, dhe që po i jep Kosovës një zë të matur dhe efektiv në diskutimet ndërkombëtare. GDN-ja mirëpret njohjet e fundit të pavarësisë, si dhe i inkurajon të gjitha shtetet që ende nuk kanë bërë këtë ta njohin Kosovën dhe ta mbështesin zhvillimin e saj të mëtejshëm. GDN-ja e nxit Qeverinë që të përshpejtojë progresin në fushat e rëndësishme si drejtësia, sundimi i ligjit (përfshirë këtu mbrojtjen e dëshmitarëve), arsimi dhe shëndetësia, si dhe pret nga ajo që ta përfundojë shpejt punën për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve për të rikthyer besimin në procesin zgjedhor.

“GDN-ja vë theksin në përkushtimin e saj ndaj integritetit territorial të Kosovës në kuadër të kufijve të saj ekzistues. Parimet thelbësore të PGJS-së për forcimin e demokracisë lokale transparente dhe legjitime, si dhe për respektimin e të drejtave dhe identiteteve të komuniteteve, ofrojnë modelin më të mirë për të ardhmen e komunave veriore të Kosovës. Këto parime janë në përputhje me praktikën evropiane, dhe garantojnë një rol transparent dhe të përshtatshëm për Republikën e Serbisë, si dhe për funksionimin e duhur të Republikës së Kosovës. GDN-ja e nxit Serbinë që të veprojë në përputhje me zotimet e saj ndërkombëtare dhe të përmbahet nga ndërhyrja në Kosovë, përfshirë këtu tërheqjen e pranisë së saj policore, të sigurisë dhe pranive të tjera shtetërore, si dhe të mbështesë përpjekjet e aktorëve ndërkombëtarë dhe institucioneve të Kosovës për promovimin e sundimit të ligjit. GDN-ja po ashtu i bën thirrje Serbisë që të sigurojë që zgjedhjet e saj lokale të mos shtrihen në veri të Kosovës:, thuhet më tutje në komunikatë.

GDN-ja e nxit Qeverinë e Kosovës që t’u shtrijë aktivisht dorën qytetarëve të saj serbë, në veçanti atyre në komunat veriore, përmes përmirësimit të përkushtimit dhe komunikimit të saj publik dhe përmes ofrimit të mbështetjes së vërtetë dhe praktike për ta. Në veri, kjo nënkupton decentralizimin shumë substancial që ofrohet nga PGJS-ja. Qeveria duhet të demonstrojë se ajo i kupton dhe i respekton të drejtat e tyre, brengat e tyre (sidomos ato që lidhen me sigurinë), gjuhën e tyre dhe identitetin e tyre. Po ashtu, GDN-ja nënvizon rëndësinë për forcimin e të drejtave të të gjitha pakicave të Kosovës në përputhje me PGJS-në. GDN-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës të bëjë përpjekje të mëtejme dhe të qëndrueshme për t’i adresuar brengat e tyre. GDN-ja e përgëzon Kosovën për angazhimet e saj të përkushtuara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si dhe inkurajon Serbinë dhe Kosovën që të vazhdojnë – si fqinjë të pavarur dhe sovranë – të kërkojnë marrëveshje për çështjet praktike për qytetarët e tyre dhe që t’i zbatojnë marrëveshjet me shpejtësi. GDN-ja vëren arrestimet nga autoritetet policore të Serbisë të personave të dyshuar për veprimtari kriminale, që ndikojnë pozitivisht në gjendjen në veri të Kosovës sa i përket sundimit të ligjit.

GDN-ja bën të ditur se do të takohet më vonë gjatë këtij viti dhe, nëse është bërë progres i mjaftueshëm, do ta finalizojë orarin për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe për mbylljen e ICO-së.

Grupi, i cili u formua më 2008, në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, përsërit mbështetjen e saj për Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar (ICR), përfshirë këtu autorizimet e tij afirmative dhe korrigjuese. GDN-ja ka miratuar planin e ICO-së për zvogëlim të buxhetit dhe të personelit për vitin 2012, në përputhje me detyrat e mbetura, dhe merr përsipër të ofrojë mbështetjen e nevojshme politike dhe financiare.