Thaçi Intervistohet nga Prokurori

Një prokuror i EULEX-it e ka vizituar, këtë javë në zyrën e tij, kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, për ta pyetur atë rreth disa zhvillimeve që kanë ndodhur dymbëdhjetë vjet më parë në Kosovë.

Prokurori Maurizio Salustro është interesuar të dijë se cili ka qenë roli i Fatmir Limajt gjatë luftës në Kosovë, e posaçërisht roli i tij në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me çka është marrë ai në këtë kohë dhe cili ka qenë roli i Limajt në hartimin e operacionit “Shigjeta”, shkruan gazeta Zëri.

Thaçi kësaj here nuk është pyetur si politikan, por si drejtues politik i UÇK-së dhe si ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Intervistimi i Thaçit në cilësinë e dëshmitarit është bërë pasi një gjë të tillë e ka kërkuar shoku i tij i luftës, Fatmir Limaj, përmes mbrojtësve të tij.

Limaj, bashkë me nëntë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuzohen për krime lufte të kryera gjatë luftës në fshatin Kleçkë dhe gjykimi ndaj tyre nis sot në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

“Në ditën e martë, kryeministri Thaçi për një orë paradite e për një orë pasdite është marrë në pyetje nga prokurori i EULEX-it në lidhje me rastin për krime lufte, ku i akuzuar është ish-ministri i Transportit, Fatmir Limaj”, ka treguar një burim për gazetën.

Emri i Hashim Thaçi si dëshmitar është shkruar në rastin “Limaj dhe të tjerët” është shkruar nga vetë mbrojtja e Limajt.

Thaçi dhe më shumë se dhjetë ish-pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, të propozuar nga mbrojtja, duke përfshirë edhe dëshmitarët e tjerë: Jakup Krasniqi, Azem Syla, Kadri Veseli, Agim Çeku e të tjerë, tashmë janë marrë në pyetje nga prokuroria.

“Janë më shumë se dhjetë deklarata që tashmë i kemi marrë. Janë dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja, për t’u dëgjuar gjatë procesit gjyqësor, ndërsa prokurori i ka marrë shumicën nga ta apo ndoshta të gjithë, pasi që tashmë e ka ngritur aktakuzën, që do të thotë pasi janë kryer hetime”, ka thënë Tahir Rrecaj, avokat i Fatmir Limajt.