Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Të vetëm në shtëpi

Valët e migrimit në vitet e fundit kanë çuar në një tjetërsim të familjes shqiptare, duke kapërcyer nga familje të mëdha në ato më të vogla me vetëm prindër të moshuar. Të mësuar me familje të madhe për shoqërinë është zor e përballueshme, përderisa për politikat sociale, gjendje e re.

Në një mjedis të qetë, por në vetmi, Nexhmia dhe Abedini shijojnë kafen e mëngjesit së bashku, në oborrin e tyre të gjerë e gjatë në fshatin Tërpezë të Vitisë.

Nexhmia dhe bashkëshorti i saj duan ta kalojnë pleqërinë me nipërit dhe mbesat, duke dëshiruar të njëjtin gëzim dhe zhurmë që përjetuan me fëmijët e tyre vite më parë. 

Ashtu si shumë çifte të tjera të moshuara, ata ngurrojnë të pranojnë se jetojnë vetëm, por nuk ngurrojnë të shprehin nevojën e tyre për të mos kaluar vetëm pleqërinë. Ata nuk e kanë pritur kurrë që një ditë do të mbesin të vetmit në familje dhe habiten me realitetin që po i përcjell.

Djali i tyre i vetëm, Azemi, duke emigruar në Gjermani me vizë pune në vitin 2021, është vetëm një shembull i ndryshimit të strukturës familjare në Kosovë për shkak të migrimit. 

Migrimi i fundit nga Kosova për në vendet perëndimore ka pasur një ndikim të thellë në strukturat familjare, veçanërisht në tranzicionin nga familjet e gjera në ato më të vogla – me vetëm prindër të moshuar. Një realitet i ri, i ka trazuar familjet shqiptare të cilat përherë janë mësuar me ‘kallaballëkun’.

“Na çika jem jemi mësu gjithë kallabllak. Tash mall e kemi me pa njerëz, veç kur po vijnë këta të jashtit. E me pleq të shkretë çka me u bo, kush me na kqyrë neve” – rrëfeu Nexhmia, 64 vjeçare, nënë e një vajze dhe një djali, të cilët jetojnë në perëndim.

Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti Qeveritar i Migracionit, nga viti 2018 deri në vitin 2020, nga Kosova kanë emigruar 71.799 banorë.

Pra, projeksioni i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ASK, për vitet 2011-2061 tregon se viti 2034 do të jetë viti kur Kosova do të fillojë të përballet me shpopullimin si problem demografik, i cili do të thellohet dekadë pas dekade. Për ta përballuar një ndryshim të tillë duhen mekanizma shtetërorë që e adresojnë ikjen e fuqisë punëtore dhe ndryshimet demografike që tjetëtërsojnë strukturat shoqërore.

Shoqëria kosovare përballet me vështirësi për t’iu përshtatur këtyre ndryshimeve për shkak të normave të rrënjosura thellë kulturore dhe institucioneve u mungojnë mekanizmat e nevojshëm social për të mbushur boshllëkun e kujdesit.

“Ma mirë për ta (Azemi) nashta se fiton ma shumë së këtu që punojke në ndërtimtari e u lodhke e nuk fitojke shumë. Atje po fiton e po na çon pare, po nuk osht e njëjtë sikur kur u kanë ktu” – shtoi Abedini, 66 vjeçar.

Kapitalizmi, faktori kryesor i ndryshimeve familjare

Ndryshimet e shpejta në strukturat familjare në Kosovë mund të mos jenë befasuese në rrethana normale. Megjithatë, duke pasur parasysh mbizotërimin tradicional të familjeve të mëdha shqiptare, këto transformime i kanë habitur njerëzit.

Sead Zimeri, filozof, i cilëson këto ndryshime si të pritshme, madje si të vonuara.

Zimeri ia atribuon ndryshimet në strukturat familjare në Kosovë tendencave më të gjera që ndodhin në vendet postkomuniste, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Për më tepër, këto ndryshime ndikohen nga ndryshimet në strukturat politike dhe ekonomike të vendit.

“Por kjo nuk do të thotë se këto ndryshime janë domosdoshmërisht të mira për ne në momentin që po ndodhin, duke pasur parasysh se ende nuk jemi të përgatitur siç duhet për të përballuar pasojat e ndryshimit që po ndodh” – tregoi Zimeri në një intevristë për BIRN.

Në vitet 1990, strukturat familjare në Kosovë përbëheshin nga gjyshërit, prindërit dhe fëmijët. Megjithatë, pas luftës, pati një kalim drejt një sistemi familjar me dy breza. Në vitet 2000, valët e migrimit në vendet perëndimore çuan në një transformim të shpejtë te familjet me vetëm të moshuar.

Ndërmjet viteve 2013 dhe 2017, mbi 170,000 qytetarë janë larguar nga Kosova, siç raporton ASK – të dhënat përfshijnë emigrim të rregullt dhe të parregullt, me një numër të konsiderueshëm që kërkojnë azil.

Ndryshe nga modelet e migrimit gjatë dhe para luftës, ku anëtarët e familjes migruan në Perëndim kryesisht për të mbështetur familjet e tyre në Kosovë, trendi aktual është i shtyrë nga kërkimi i pagave më të mira dhe mundësive të punës.

Zimeri beson se ky transformim po shkakton dhimbje për shqiptarët, pasi po ndodh pa pëlqimin e tyre dhe kundër dëshirës së tyre. Ndryshimi nuk është nën kontrollin e tyre; përkundrazi, u imponohet atyre nga rrethanat.

Ai thekson pashmangshmërinë e këtij ndryshimi dhe këshillon përshtatjen sa më mirë me të. Përgatitja për transformimin mund të ndihmojë në zbutjen e pasojave të tij negative.

Megjithatë, besimi tradicional se prindërit ‘nuk duhet të lihen vetë’ ka ndryshuar, shkas ndryshimet ekonomike. 

Zimeri ia atribuon këto ndryshime sistemit ekonomik kapitalist, i cili jo vetëm ndikon në ekonomi, por edhe formëson stilin e jetesës dhe mënyrën e jetesës së njerëzve.

Kapitalizmi, si ideologji, i jep përparësi kapitalit mbi të gjitha.

Marksistët argumentojnë se familja bërthamë është karakteristikë e kapitalizmit pasi përfiton nga puna e individëve që punojnë për veten e tyre duke kontribuar në zhvillimin ekonomik.

Zimeri nënvizon kontradiktën midis vlerave tradicionale që vlerësojnë kujdesin prindëror dhe ngarkesave të krijuara nga kapitalizmi, veçanërisht për të rinjtë që luftojnë për të përmbushur standardet bazë të jetesës ndërsa kujdesen për prindërit e tyre.

Sipas filozofit, nëse kapitalizmi mbetet sistemi politik dominues në Kosovë, procesi i transformimit do të jetë gradual, duke çuar në triumfin e moralit kapitalist ndaj moralit feudal.

“E kam fjalën për kontradiktat midis moralit tradicional feudal, ku kujdesi për prindërit është një vlerë thelbësore, dhe kushteve të krijuara nga kapitalizmi, ku kujdesi për prindërit bëhet një barrë e madhe për të rinjtë, më e madhe se shumica që mezi siguron një ekzistencë të varfër mund të durojë” – shtoi ai.

Zimeri vlerëson që nëse kapitalizmi mbetet sistemi politik dominues në Kosovë, procesi i transformimit do të jetë gradual, duke çuar në triumfin e moralit kapitalist ndaj moralit feudal.

“Nuk do të ketë më dilema morale për të bërë diçka të papërshtatshme apo të papranueshme dhe kjo do të bëhet morali i shoqërisë”.

Sipas Zimerit, morali feudal i bën njerëzit në kapitalizëm të ndihen keq, sepse duket sikur po bëjnë diçka që nuk duhet.

“Kjo nuk do të thotë se kujdesi për prindërit dhe të tjerët do të humbasë vlerën morale, por se ky kujdes do të bëhet në forma të tjera, më pak personale”.

Vite më parë nuk ishte kështu, por pas luftës, të rinjtë po zhvishen nga koncepti tradicional të familjes dhe po adoptojnë praktika bashkëkohore që fokusohen në pavarësinë e tyre.

Zimeri thotë se për shkak të nevojës për të krijuar një jetë më të përshtatshme për kushtet që mundëson kapitalizmi, prindërit dhe fëmijët bëhen të pavarur nga njëri-tjetri dhe si rrjedhojë familja ndryshon: familja bëhet e pavarur nga familja tradicionale.

“Familja shqiptare është pengesa kryesore sepse ende nuk e ka kuptuar realitetin objektiv në të cilin ekziston. Ajo mbetet ende subjektivisht e lidhur me të kaluarën e saj feudale” – tha ai duke potencuar që normat kryesore të saj janë feudale dhe gjykimet e saj morale gjithashtu i përkasin një periudhe tjetër. 

Për të rinjtë ai tha që në pamundësi për t’u pavarësuar nga familja tradicionale, ata mbeten dy herë të skllavëruar, nga familja dhe nga sistemi që kërkon pavarësi nga familjet e mëdha për ta shfrytëzuar maksimalisht. 

Arsyeja e kësaj situate janë pritshmëritë e prindërve që fëmijët e tyre të kujdesen për ta në pleqëri. Megjithëse morali tradicional ka humbur disa beteja, ai ende ka njëfarë ndikimi.

Sipas Zimerit, familja shqiptare mbetet në një situatë tragjike, në pamundësi për të arritur atë që do, por edhe në pamundësi për t’i shpëtuar pasojave të zgjedhjeve në shoqëri.

Barrë që rëndon edhe nga mungesa e politikave sociale

Barra më e madhe bie mbi të moshuarit të cilët jo vetëm që nuk kanë askënd pranë në pleqëri por nuk mund të pranojnë as idenë e ndryshimeve familjare. Ndryshime aq të shpejta, Kosovën e kanë gjetur pa politika sociale të mirëfillta.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, në fushatën zgjedhore për zgjedhjet paralamentare në vitin 2021, proklamoi që ithjen që qëllimi kryesor i saj do jenë rregullimi i politikave sociale, duke konsideruar që “Shteti i Mirëqenies zhvillohet njëkohësisht me Shtetin Zhvillimor. Por, për këtë metamorfozë të tanishme në të cilën po kalon shoqëria e ende nuk ka letra mbi tavolinë.

Tahir Latifi, profesor i antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, thekson rëndësinë e kësaj çështjeje dhe thekson nevojën e mekanizmave për të adresuar këtë ndryshim thelbësor.

Latifi, i cili ligjëron mësime për studime familjare dhe perspektiva krahasuese, si dhe migrim dhe siguri sociale, theksoi në një intervistë për BIRN se ky ndryshim familjar nuk është i zakonshëm.

Struktura e familjes ka ndryshuar më shumë që nga paslufta, jo në kuptimin që familjet e mëdha janë shndërruar në familje të mesme apo të vogla, por në një lloj tjetër familjeje – të pazakonshme.

“Valët e migrimit kanë bërë që jo familjet të mbesin nuklare (bërthamore), por të moshuarit të mbesin të vetmit në familje” – tha Tahiri.

Puna në terren e Tahirit nxjerr në pah ndikimin kryesor të dy valëve të migracionit: migrimi i parregullt 2014-2015 i rreth 100,000 qytetarëve dhe hapja e mëpasshme e dyerve të Gjermanisë me viza pune.

Gjetjet e Tahirit tregojnë se rreth 42,000 qytetarë kanë emigruar me viza pune në vitin 2021 dhe shumica e tyre kanë qenë familje të mbetura. Ai thekson se shoqëria jonë është e papërgatitur për ta përballuar këtë situatë, duke munguar praktikat që vendet e tjera kanë zbatuar më parë.

Pa politika sociale shtetërore, kush do të kujdeset për prindërit e moshuar ndërsa brezat e ardhshëm do të largohen nga rolet tradicionale të familjes?

Sead Zimeri kontradiktën kryesore sociale në Kosovë e identifikon si mungesën e një morali të mirë-zhvilluar konsistent kapitalist lidhur me përgjegjësinë e kujdesit ndaj prindërve të moshuar. Për rrjedhojë, barra e kujdesit për të moshuarit vazhdon të bjerë kryesisht mbi pasardhësit brenda familjes.

“Si rrjedhojë, shoqëria nuk shkon as përpara e as prapa”- tha Zimeri.

Sipas Tahir Latifit, sfida e familjeve në Kosovë për t’u përshtatur me ndryshimet buron nga mbështetja tradicionale tek një djalë për t’u kujdesur për të moshuarit. Kur ai djalë mungon, shoqëria dhe shteti nuk janë të përgatitur për të trajtuar situatën.

Në Kosovë nuk ka mekanizma social që i zëvendësojnë fëmijët si kujdestarë familjarë me asistent në institucion në këtë rast. Përveç rasteve kur nga fëmijët që jetojnë jashtë Kosovës, paguhet një person i caktuar për t’u kujdesur për prindërit e tyre, vendosja e tyre në shtëpi të pleqëve, apo vizitat e ekipeve mobile shëndetësore, nuk ka ndonjë politikë tjetër që e rregullon përkujdesjen ndaj të moshuarve. 

“Deri para pak vitesh e dëgjohej shpesh që njëherë është turp t’i lëjnë vetëm (të moshuarit), e sot nuk është turp me i lënë vetëm por çështja shtrohet se a ka kush me u kujdes, qoftë të ia dërgoj dikush ushqimin, t’i pastroj” – tha Tahiri.

Për paradoks, përgjithësisht në Ballkanin Perëndimor, vitet e fundit, vizat e punës kanë mundësuar që shumë të rinj shkojnë në Gjermani për t’u kujdesur për të moshuarit atje, përderisa në Kosovë zvogëlohet numri i fuqisë punëtore.

Për shkak të rritjes së numrit të të moshuarve, jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë Evropën, politikat e qeverisë dhe udhëzimet, si dhe i gjithë sistemet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore po kalojnë aktualisht ndryshimet dhe reformat për t’iu përgjigjur rritjes së numrit të pensionistëve dhe kërkesës së ndryshuar për shëndetësore të lidhura me këtë ndryshim demografik, gjetje që theksohet  në një raport për politikat e plakjes nga Parlamenti Evropian, me fokus Gjermania.

Nisur nga trendi, kjo lloj familjeje shumë shpejt do të bëhet sfidë e madhe në Kosovë, ndaj është e nevojshme që të merren masa sa më parë. Shtetet e zhvilluara i kanë tejkaluar këto pengesa përmes politikave sociale.

Gjermania vazhdimisht punon për modernizimin dhe zhvillimin e profesioneve të kujdesit infermieror në mënyrë që të plotësojë nevojën në rritje për staf infermieror. 

Rregullimi i politikave sociale në këtë kontekst nënkupton solidaritet dhe barazi ndërmjet brezave, për shkak të ndryshimeve demografike që janë të pashmangshme. 

Mosha mesatare e popullsisë së Kosovës prej 1.7 milion banorëve është 30 vjet, dhe vetëm 6.2% janë të moshës 65 apo mbi 65 vjeç. Për këtë arsye, nevojiten hapa proaktivë për të siguruar mirëqenien e popullatës së moshuar në Kosovë.

Duke nxjerrë krahasime nga vendet e zhvilluara, Kosova duhet të analizojë strukturën e saj demografike për të kuptuar në mënyrë efektive dinamikën e ndryshimit të popullsisë.  Duke vepruar kështu, vendi mund të zhvillojë politika sociale gjithëpërfshirëse që adresojnë nevojat dhe sfidat në zhvillim të popullsisë së tij.