Spanja Mund t’i Hapë Dyert

Argumentet morale që ballafaqojnë pesë shtetet anëtare të Bashkimit Europian të cilat nuk e njohin Kosovën do të peshojnë më shumë kundër pozicionit këmbëngulës të tyre me afrimin e numrit 97 të njohjeve si dhe vlerësimit pozitiv që Prishtina po merr në lidhje me dialogun teknik me Beogradin.

Qeveria shpenzon miliona në fushata lobimi dhe brenda partnerëve të koalicionit ekziston rivalitet në përpjekjet për të bindur shtetet që të njohin deklaratën e pavarësisë të 17 shkurtit 2008. Njohja e fundit, e 85’ta, erdhi nga Kuvajti më 2011.

Autoritetet thonë se njohje të reja priten nga shtetet anëtare të Komunitetit të Karaibeve (CARICOM), shteteve tjera anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike (OIC) dhe shteteve afrikane.

Pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e pranoi në korrik anëtarin e saj të 193’të, Sudanin Jugor, Kosovës i mbetën edhe 12 njohje tjera për ta arritur pikën e kthesës. Së paku ‘kthesës morale’, pasi kështu shumica e thjeshtë e shteteve të botës do ta kenë njohur.

Një tjetër element është performanca e Kosovës në dialogun teknik me Beogradin, një proces që kritikohet nga brenda për lëshimet që Prishtina i bën por që duket se respektohet pikërisht për këtë nga qendrat ndërkombëtare të vendosjes.

Ministri i Jashtëm kosovar Enver Hoxhaj thotë se Qeveria është “për rezultate në dialog, për marrëveshje dhe për zbatimin e tyre”.

“Kosova e pavarur ka vetëm një qëllim – Kosovën europiane”, ka thënë ai.

Ambasadori i Francës në Prishtinë, Jean Francois Fitou, thotë se Kosova ka qenë efektive në dialogun teknik që nisi në pranverën e këtij viti dhe se me të ajo ka krijuar “kredibilitet global”.

Fitou thotë se BE – komisioni dhe shtetet anëtare – ndonëse përballen me probleme ekonomike, institucionale dhe qeverisëse duhet t’i hapin rrugë Kosovës përfshirë përmes marrëveshjeve tregtare dhe kulturore .
 
“Që nga viti 2003 (Samiti i Selanikut) nuk ka pasur ndonjë sinjal të vërtetë për Kosovën. BE duhet të bëjë përpjekje që të mos e bllokojë këtë vend”, tha Fitou për Gazeta JnK.

Ndonëse ka investuar rreth 3 miliardë euro që nga koha e luftës, Bashkimi Europian është kritikuar për mungesë suksesi fillimisht përmes shtyllës së katërt përgjegjëse për ekonomi në kuadër të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), trend që vazhdon me EULEX’in dhe qasjen joaktive aktuale ndaj gjendjes në veri.

Ka tetë muaj që kur Bashkimi Europian nuk mund të merret vesh për përfaqësuesin e posaçëm për Kosovën dhe vite të tëra për terminologjinë që duhet të përdorë për vendin tonë, krahas mosliberalizimit të vizave për kosovarët dhe asnjë marrëdhënie kontraktuale.

Një prej shkaktarëve të këtij mjegullimi janë pesë shtetet anëtare të bllokut që refuzojnë të njohin Kosovën. Ish-Ministri i Britanisë së Madhe për Europën, Denis McShane thotë se Spanja dhe Greqia kanë obligim moral ta përkrahin Kosovën për shkak të problemeve që kanë pasur me diktaturat e veta në shekullin e kaluar dhe ndihmës që kanë marrë nga vendet tjera për t’i larguar ato.

“Në vendin tim, po ashtu secili dëshiron të përjashtojë shtetet si Rumania jashtë BE’së për shkak të destabilizimeve që kanë sjellë”, është shprehur ai. “Prandaj këto vende duhet të mbështesin forcimin e Kosovës. Ne ose do ta europianizojmë Ballkanin, ose të ballkanizojmë Europën”.

Zgjedhjet mund të ndryshojnë qasjen spanjolle

Pozicioni i pesë vendeve mosnjohëse mund të zbutet. E tëra mund të nisë nga Spanja këtë nëntor.

Ignacio Mollina, analist senior për Europën në Institutin Mbretëror Eclano, organizatë e njohur për studime në marrëdhëniet ndërkombëtare, shpjegon se kishte disa arsye për refuzimin spanjoll.

Së pari deklarata e pavarësisë kosovare ishte ndërlidhur me kohën e zgjedhjeve parlamentare të kaluara në Spanjë, pastaj Madridi kishte problem me vazhdimësi pasi ishte deklaruar se ndërhyrja e aleatëve në Irak më 2003 ishte kundër të drejtës ndërkombëtare, problemet me nacionalizmin në rajonet katalunase dhe baske si dhe negociatat e Qeverisë me organizatën separatiste ETA.

“Rol kanë luajtur edhe lidhjet personale të Ministrit të Jashtëm Miguel Angel Moratinos (i cili ishte në këtë pozitë deri më 21 tetor 2010) me diplomatët serbë”, tha Mollina për Gazeta JnK. “Ai kishte qenë në fillim të karrierës së tij diplomatike në Serbi”.

Mollina, i cili ishte i pranishëm në konferencën “EU talks Kosovo” të organizuar nga Qeveria dhe British Council, thotë se megjithatë tash Spanja është më pragmatike me Kosovën pas  vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) më 2010. Ai shton se në kuptim afatgjatë, Spanja do ta njohë Kosovën.

Sipas tij, një pikë kthese mund të jenë edhe zgjedhjet parlamentare që mbahen në Spanjë më 20 nëntor të këtij viti. Mollina thotë se matjet e opinionit tregojnë se Partia Popullore (PP) që drejtohet nga Mariano Rajoy prin me dhjetë për qind, çka mund t’i mundësojë të marrë e vetme shumicën.

“Në princip, PP është më shumë kundër SHBA’së, por nëse ata e kontrollojnë vet shumicën, është më lehtë”, thotë Mollina. “Ka një fraksion të fortë proamerikan brenda kësaj partie, por të shohim kush do ta kontrollojë Ministrinë e Jashtme. Varet edhe prej asaj se a është ministri mik i ndonjë prej këtyre profesorëve të të drejtës, dhe kështu rigjid, ose më i lidhur me biznesin dhe kështu më pragmatik”.

Mollina thotë se lidhjet e Spanjës me SHBA’në janë “të çuditshme” në rrafshin politik, përkundër se disa marrëveshje janë nënshkruar së fundi në fushën e sigurisë.

“Ndonjë herë nëse SHBA mbështetë ndonjë inicitiavë globale, kjo mund të jetë kunderproduktive për qëndrimin e Spanjës për shkak të opinionit”, shprehet ai.

Anti-amerikanizmi i opinionit nuk është ndonjë temë relevante në raport me Kosovën në Greqi ndërkaq, thotë Dimitri A. Sotiropoulos, profesor në departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Athinës.

“Nuk ka problem me antiamerikanizëm. Ky ndoshta ka qenë problem 10-15 vjet më parë”, thotë Sotiropoulos. “Më shumë ka të bëjë me faktin se Greqia nuk mbështetë copëzimin e rajonit dhe është e kujdesshme për këtë”.

Më shumë, thotë ai, realiteti është se në Greqi tema e Kosovës është shumë poshtë në agjendë dhe se ndoshta për këtë Qeveria kosovare duhet të bëjë më shumë.

“Në fakt, është çështje paradoksale – sa më shumë që Kosova bëhet shtet normal europian, aq më pak BE merret me të”, thotë Sotiropoulos.

Megjithatë, sipas tij, qëndrimi grek ndaj Kosovës “është më i buti” nga pesë vendet mosnjohëse. Dhe ai nuk beson se ky pozicion do të zbutet edhe më shumë nga kriza financiare.

“Nuk besoj që ndonjë Qeveri europiane është e interesuar ta përfshijë Kosovën në temat financiare me Greqinë”, shprehet ai.

Por, çfarë është më afër mëndësh ka të bëjë me supozimin se ndonjë qasje më pozitive e Greqisë pritet të reflektohet edhe në Qipro vend ky i vetmi nga pesëshja refuzuese që nuk ka asnjë lloj përfaqësimi në Kosovë.

Ia vlen të flitet me hungarezët

As Sllovakia nuk do të jetë vendi i fundit që do ta njohë Kosovën nga shtetet e BE’së. Sidomos gjërat do të ndryshojnë nëse Spanja lëvizë. Kështu thotë Tomas Strazy, kryesues i programeve të kërkimit për Europën Jug-Lindore në Qendrën e Kërkimeve të Asociacionit Sllovak për Politikë të Jashtme (RC SFPA).

Ai shpjegon se qëndrimi sllovak është kryesisht çështje e brendshme. Strazy thotë se 10 për qind e popullatës në Sllovaki është hungareze dhe ajo jeton në jug të këtij shteti, në kufi me Hungarinë. Ata kanë shumicën vetëm në dy rajone – Dunajska Streda dhe Komarno.

Strazy insiston se nuk ka shumë ngjashmëri me Kosovën pasi minoriteti hungarez nuk është përballur me konflikt. “Por sllovakët e kanë shumë të ngulitur në kokë tentimin e hungarezëve për t’i hungarizuar ata në fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të njëzetit”.

Ai thotë se nuk ka pasur ndonjë shprehje interesimi nga ky komunitet për t’u ndarë nga Sllovakia. “Por autoritetet hunagreze, përfshirë edhe Qeveria aktuale, janë deklaruar se ata kujdesen për hungarezët e këtij rajoni. Kjo është për keqardhje”, shprehet Strazy, i cili nënvizon se dy partitë politike që përfaqësojnë këtë minoritet nuk janë shprehur ndonjë herë hapur për vetëvendosje ose bashkim me Hungarinë.

“Më duhet të them se ata janë qytetarë lojalë të Sllovakisë dhe vendi përpiqet t’u respektojë të drejtat e tyre si minoritete”, thotë Strazy për Gazeta JnK.

Edhe këtu, arsyeja tjetër e mosnjohjes së Kosovës ndërlidhet me respektimin e të drejtës ndërkombëtare.
 
“Pastaj, Sllovakia ka kërkuar që Beogradi dhe Prishtina të merren vesh mes vete për statusin e Kosovës”, nënvizon Strazy. “Më duhet të them se kjo është jo-realiste”.

Ai shpjegon se që nga rënia e Slobodan Milosevicit, ka pasur marrëdhënie shumë intensive mes Sllovakisë dhe Serbisë. “Së pari, kanë ekzistuar lidhje të fuqishme gjatë kohës së Ish-Jugosllavisë dhe komunizmit. Pastaj, është Vojvodina ku ka një minoritet të madh hungarez.
Dhe Beogradi është një qendër e rëndësishme në Ballkan”, elaboron ai.

Tani, shton ai, Sllovakia ka filluar të lëvizë nga kjo qasje dhe tashmë ka përfaqësi edhe në Podgoricë, Shkup dhe Tiranë.

“Mendoj që nuk është e qëndrueshme që Kosova të mbahet nën Serbi. Realiteti ka lëvizur tjetërkah”, shton ai. “Kosova duhet të bëhet më e dukshme në Sllovaki pasi ajo është nën hijen e Serbisë. Kosova është harruar atje dhe kujtohet vetëm si një vend ku ka pasur problem”.

Edhe Strazy thotë se një koalicion i ri pritet të vijë në Qeveri në muajin mars 2012 në këtë vend, por se qëndrimi ndaj Kosovës nuk ka shumë gjasa të ndryshojë. Kështu Sllovakia do të vazhdojë të mbetet vendi i vetëm nga Forumi i Vishegradit – ku bëjnë pjesë edhe Hungaria, Polonia dhe Republika e Çekisë me rreth 65 milionë qytetarë dhe që ishte krijuar në vitin 1991 me qëllim integrimin në BE – që nuk e njeh Kosovën.

Strazy thotë se për dallim prej hungarezëve të Sllovakisë, hungarezët në Transilvani të Rumanisë, që janë rreth 2 milionë, janë më nacionalistë. Mirëpo, Transilvania gjendet thellë në territorin e Rumanisë e rrethuar me rumunë etnikë në të gjitha anët. 

“Prandaj, ndoshta do të ishte ide e mirë që Qeveria e Kosovës dhe aleatët e saj të flasin me vet Qeverinë e Hungarisë…që të mos keqpërdorin situatat”, ka thënë Strazy.