Shoqëria Civile Reagon për Incidentin me Kosovo 2.0
Në reagimin e rreth 30 organizatave joqeveritare lidhur me ngjarjet që pasuan pas publikimit të revistës “Kosovo 2.0”, me tematikë “Seksin” theksohet se me këto sulme dhe kërcënime, janë cenuar të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve dhe qytetareve të Kosovës të garantuara me Kushtetutë dhe me ligjet e Republikës së Kosovës..
“Duam të theksojmë që këto sulme, rrahja e organizatorëve dhe pjesëmarrësve, demolimi i sallës si dhe kërcënimet dhe fyerjet në mediat online ndaj qytetarëve dhe qytetareve të Kosovës, në mënyrë flagrante cenojnë dinjitetin tonë, të drejtën e mendimit, të drejtën e shprehjes së lirë si dhe të drejtën e tubimit”, theksohet në reagim.
“Këto sulme të grupeve ekstremiste fetare dhe grupeve tjera që iu kanë bashkangjitur, tregojnë qëllimet e një pakice të vogël ekstremiste dhe radikale që nuk përfaqësojnë mendimet e shumicës së shoqërisë kosovare, që të gjunjëzojnë pjesën e madhe të shoqërisë kosovare dhe të imponojnë mendimet e tyre”.
Grupi i OJQ-ve ia rikujton Qeverisë dhe organeve shtetërore obligimin e tyre që të promovojnë dhe mbrojnë qytetarët e Kosovës nga shkeljet e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë dhe me ligjet e Republikës të Kosovës.
Këto organizata kërkojnë nga organet shtetërore që të ndërmarrin masa ndaj gjithë atyre organizatave, individëve dhe mediave që nxisin urrejtje dhe dhunë si dhe veprojnë kundër të drejtave të garantuara me Kushtetutë.
Po ashtu, i kërkohet Prokurorisë që të ndërmarrë hetime të menjëhershme që t’i dënojë kryesit e sulmit si dhe të hetojë kërcënimet e bëra ndaj qytetarëve dhe qytetareve me masa të parapara me ligj.
“Kemi sakrifikuar shumë dhe jemi duke punuar vazhdimisht për ta bërë Kosovën një shtet demokratik me shoqëri të hapur ku njeriu do të ndihet i lirë. Liria e askujt nuk mund ta cenojë lirinë e personit tjetër”.
Reagimi është nënshkruar nga këto organizata që veprojnë në Kosovë: Alter Habitus, Civil Rights Defenders, Community Building Mitrovica – CBM, CSGD, D4D, Fondi për të Drejtën Humanitare – FDH Kosovë, Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur – KFOS, Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS, INPO, Instituti Demokratik i Kosovës – KDI, Instituti GAP, Instituti INDEP, Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED, Instituti Kosovar i Paqes – IKP, Instituti i Prishtinës për Studime Politike – PIPS, Internews Kosova, Klubi për Politikë të Jashtme – KPJ, Kosovo 2.0, Lëvizja FOL, Libertas, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – YIHR Kosova, Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet – ÇOHU!, Programi për të Drejtat Civile – CRP/K, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT, Qendra për Emancipim Shoqëror – QESH, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë – QKSS, Rrjeti Ballanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës dhe Syri i Vizionit.
Incidentin e së premtes e ka dënuar edhe Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), e cila mes tjerash ka kërkuar distancimin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe klubeve të Prishtinës nga sulmi kundër “Kosova 2.0”, pasi anëtarë të tyre ishin pjesë e sulmit.
AGPK-ja thotë se me shqetësim është njoftuar për detajet e sulmit të paprecedent, që grupe huliganësh kanë bërë ndaj konferencës ku do të promovohej numri i ri i revistës “Kosovo 2.0” dhe do të debatohej për seksin.
AGPK-ja iu bën thirrje Policisë së Kosovës dhe organeve tjera të drejtësisë, përfshirë EULEX-in, që sa më shpejt të zbardhin detajet e këtij sulmi të rëndë mbi lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes.
“Udhëheqja e një sulmi të turpshëm nga një predikues fetar është e papranueshme dhe fyese. Në sulm ka marrë pjesë hoxhë Burim Dalipi, ndërkaq që disa hoxhallarë të tjerë në predikimet e së premtes kanë bërë thirrje për dhunë kundër aktivitetit ku do të debatohej dhe promovohej numri i ri i një reviste”, thuhet në komunikatën e AGPK-së.
AGPK-ja kërkon edhe nga klubet e futbollit dhe basketbollit “Prishtina” që të distancohen nga akti i shëmtuar, pjesë e të cilit ishin edhe pjesëtarë të tifozëve “Plisat”.
Asociacioni i gazetarëve kërkon nga organet e drejtësisë që të adresohen me urgjencë kërcënimet me jetë ndaj kolegëve gazetarë nga “Kosovo 2.0” dhe të pjesëmarrësve tjerë të konferencës.
“Akte të tilla denigrojnë rëndë lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes dhe janë sulm i drejtpërdrejtë kundër demokracisë në vend”, thekson AGPK-ja.
Edhe shefi në detyrë i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Elaine Conkievich, ka dënuar incidentin e dhunshëm. “Ky është një sulm ndaj lirisë së shprehjes, një e drejtë themelore e njeriut, si dhe një përpjekje për të kufizuar lirinë e mediave. Unë u bëj thirrje agjencive të zbatimit të ligjit për të kryer një hetim të shpejtë, për të identifikuar autorët dhe për të parandaluar shkeljet e të drejtave të njeriut dhe sulmet mbi lirinë e medias”, thuhet në këtë reagim.
Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, e ka dënuar po ashtu sulmin e të premtes. “Së pari do të doja të tregoja se sa shumë e çmoj dhe vlerësoj punën e Besa Lucit dhe ekipit të saj ‘Kosovo 2.0’, të cilët në edicionet e tyre online dhe të printuara ofrojnë imazhin e Kosovës urbane, evropiane dhe moderne. Kur flasim për vlerat evropiane, zërat e tyre janë të domosdoshëm”, thotë Zbogar.
“Isha i shokuar kur më informuan se në Prishtinën e sotme është e mundur të përdoret dhunë brutale, në mënyrë që të parandalohet një debat publik. Çdo lloj përdorimi i forcës në zgjidhjen e çështjeve të vështira sociale është e papranueshme, mirëpo kur sulmohen liria e të shprehurit dhe mediat e pavarura, atëherë kjo gjë bëhet edhe më shqetësuese. Unë besoj se policia e Kosovës do të gjejë sulmuesit dhe uroj që ‘Kosovo 2.0’ nuk do të dorëzohet për shkak të këtij lloj brutaliteti”, thuhet në komunikatën për media të Zyrës së BE-së në Kosovë.
Ndaj këtij sulmi ka reaguar edhe eurodeputetja Ulrike Lunacek, e cila është njëkohësisht edhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.