Foto-ilustrim

Serbia “Thyen” Lëvizjen e Lirë

Sipas zyrtarëve të lartë, Beogradi nuk e ka respektuar marrëveshjen nga bisedimet e ndërmjetësuar nga BE-ja për t’i pranuar në kufij dokumentet e lëshuara nga ana e Prishtinës.

Prishtina u pajtua të hënën për të lëshuar targat “KS” për vetura, të cilat ishin tërhequr nga përdorimi që nga 2010-ta, dhe i bën të njëjtat valide me ato të lëshuara pas pavarësisë, me shkurtesën RKS – Republika e Kosovës. Dhe këto nuk u dedikohen vetëm serbëve të Kosovës.

Nga Beogradi pritej që t’i lejonte shqiptarët e Kosovës të udhëtonin në Serbi me kartat e identifikimit, ose patentë-shoferë, të lëshuara nga autoritetet e Prishtinës. Zbatimi ishte caktuar të nisë nga nëntori, por nuk ka pasur asnjë ndryshim në lidhje me këtë çështje që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje.

“Asnjë shqiptar kosovar nuk kaluar në Serbi me dokumentet (tona), gjë që e kufizon tej mase lirinë e lëvizjes. Ne nuk kemi asnjë problem me Serbinë, por BE-ja, si garantues i dialogut, duhet t’i sigurojë pasojat politike. Nuk ka asnjë indikator se Beogradi do të marrë pjesë në raundin e ardhshëm të bisedimeve”, tha burimi.

 Por targat Kosovare të para-pavarësisë “KS” janë duke u lëshuar për vozitësit serbë të Kosovës.
Qeveria e Kosovës nga e hëna filloi t’i lëshojë në përdorim targat e epokës së UNMIK-ut, ndërsa ka urdhëruar që nga 1 janari të hiqen nga përdorimi targat e vjetra, si dhe ato të rejat, të lëshuara për Serbët e Kosovës (PR, GL, UR) nga Serbia.

Një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme i tha Gazetës Jeta në Kosovë se vendimi administrativ, hyri në fuqi më 1 nëntor dhe do të zbatohet gjatë dy muajve të ardhshëm. 

“Targat e vjetra KS mund të blihen deri me 31 dhjetor 2011. Një tjetër vendim urdhëron heqjen e targave të vjetra dhe të reja të Serbisë, të cilat shënojnë qytetet e Kosovës nga komuniteti serb dhe ish-regjimi jugosllav “, tha Sebahate Muharremi-Pllana, drejtore e Departamentit të Regjistrimit të Automjeteve.

Ky veprim është pjesë e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, mbi lirinë e lëvizjes.

Borislav Stefanoviq, shef i ekipit negociator të Beogradit,  nuk ishte në dispozicion për komente dje, por burime në policinë kufitare serbe kanë thënë se nuk iu ishte dhënë asnjë urdhër për të ndryshuar politikën e tyre aktuale për të mos pranuar asnjë dokument nga Kosova.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, shtoi se serbët e Kosovës janë tani në gjendje të regjistrojnë automjetet e tyre me letërnjoftim apo patentë-shofer serb.