Serbia Ofron Garanci për Sheshelin

Qeveria serbe do të ofrojë një garanci për lirim nga paraburgimi të Vojislav Sheshelit, nëse gjykata, ose Shesheli e kërkon, shkroi Rasim Lajiq, kryetari i Këshillit Kombëtar Serb për Bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, në një letër që dërgoi të martën.

Në argumentet mbyllëse të paraqitura javën e shkuar, Shesheli i kërkoi gjykatës ta lirojë derisa të jepet dënimi. Ai tha se nuk ka rrezik të arratiset dhe se nuk ka rrezik se do të përpiqet të influencojë dëshmitarët.

Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, ICTY, e refuzoi kërkesën e tij të premten e shkuar, duke thënë se Shesheli dështoi të japë garanci se do të kthehet për gjykim.

Rasim Lajiq konfirmoi se Shesheli nuk i ka kërkuar qeverisë serbe të japë garanci për të.

“Ai kërkoi që të lirohej në argumentet e tij mbyllëse. Duke marrë këtë parasysh dhe gjendjen shëndetësore të tij, kam vendosur të shkruaj këtë letër”, i tha Lajiqi, agjencisë së lajmeve Tanjug në Beograd.

Sidoqoftë, një zëdhënëse e ICTY-s, Nerma Jelacic, shpjegoi se i pandehuri vetë duhet të kërkojë për lirimin e tij dhe asnjë shtet nuk mund ta bëjë në emër të tij.

Pasi gjykata refuzoi kërkesën që Shesheli bëri gjatë argumenteve të tij mbyllëse, Shesheli nuk ka dorëzuar kërkesë të re për lirim të përkohshëm.

Duke qenë se zgjedhjet e përgjithshme në Serbi janë caktuar të mbahen më 6 maj, dhe se fushata ka filluar, disa vëzhgues e shohin lëvizjen e Lajiqit si përpjekje për të fituar votat e atyre me pikëpamje më nacionaliste.

Partia Social Demokrate e Serbisë e Lajiqit është në koalicion me Partinë qeverisëse Demokratike.

Filip Svarm, gazetar për gazetën “Vreme” në Beograd, tha se ndërsa partia e Sheshelit do të kishte përfitimin më të madh nga kthimi i tij, Partia Serbe për Progres do të humbte më shumë.

Si ish-anëtarë të Partisë Radikale Serbe, progresistët formuan partinë e tyre në 2008, pas ndarjes për shkak të integrimit evropian, të cilin filluan ta mbështesnin në atë kohë.

Në katër vite, progresistët u bënë partia më e madhe opozitare dhe kundërshtarët më të mëdhenj të partisë qeverisëse demokrate.

“Partia Serbe për Progres do të pësonte dëmin më të madh. Më pak vota për progresistët do të thotë më shumë për Demokratët”, tha Svarm për B92.

Vojislav Sheshel u akuzua në vitin 2003 nga ICTY për persekutim në baza politike, racore dhe fetare, si dhe për dhunim të rregullave të luftës gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi nga 1991 deri më 1993.

Shesheli akuzohet gjithashtu se ka urdhëruar spastrimin etnik të joserbëve nga territoret e Kroacisë lindore, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe provincës serbe të Vojvodinës.

Shesheli është mbajtur në paraburgim që nga 24 shkurti 2003, kur u dorëzua vullnetarisht në Tribunalin e Hagës.

Ky artikull fillimisht është publikuar në “Drejtësia Tranzicionale në Ballkan”
www.balkaninsight.com/al/page/drejtesia-tranzicionale-ne-ballkan-ballina