Serbia Kërkon Konventë për Trafikim Organesh

Vuk Jeremiq, ministër për Punë të Jashtme i Serbisë, e ka dorëzuar një propozim të mërkurën para Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për të adoptuar një dokument të përbashkët që do të trajtojë trafikimin e organeve si krim ndaj njerëzimit dhe, kur është kryer gjatë luftës, të konsiderohet si krim lufte.

Sipas Jeremiqit, Këshilli i Europës është duke punuar tashmë në konventën e tij për trafikimin e organeve, por nevojitet gjithashtu një iniciativë e fuqishme globale.

 “Na duhet një konventë globale e cila do t’i dënojë këto dhunime rrëqethëse të bazave themelore të civilizimit tonë. Zbulimet e Dick Martyt mbi ngjarjet në Kosovë shokuan të gjithë botën”, tha Jeremiqi.

“Serbët kanë qenë viktima të këtij krimi monstruoz dhe si të tillë, kemi të drejtë të plotë morale të iniciojmë një konventë globale”, u shpreh Jeremiqi.

Një raport nga Dick Marty, raportuesi për Këshillin Europian, ka deklaruar se anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, në vitin 1999 dhe 2000 rrëmbyen serbë dhe të tjerë në ish-provincën serbe, i burgosën dhe vranë në veri të Shqipërisë, si dhe morën pjesë të trupit të tyre për t’i shitur në treg të zi.

Rasti është duke u hetuar nga EULEX-i.

Ministri serb kërkoi përsëri se hetimi i mëtejshëm në trafikimin e organeve duhet të drejtohet nga ekipi i OKB-së, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën, që daton nga viti 1999.

 “Ata që janë në krye të hetimeve nuk duhet të kufizohen në asnjë mënyrë – as nga koha, ose nga juridiksioni territorial, ose në bazë të legjitimitetit të mandatit të tyre. Pikëpamja jonë është se kjo nuk mund të arrihet pa mbështetjen e qartë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, shtoi Jeremiqi.

Në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbajtur më 8 shkurt, anëtarët ishin të përçarë nëse trafikimi i organeve duhet t’i jepet OKB-së, apo EULEX-it. Kina dhe Rusia e mbështetën thirrjen e Serbisë që hetimi të udhëhiqet nga OKB-ja, ndërsa Britania, Franca dhe SHBA-ja deshën që EULEX-i të vazhdonte me hetimin.

Zyra e Prokurorisë për Krime Lufte e Serbisë, aktualisht, është duke kryer hetimet e saj në lidhje me trafikimin e organeve në Kosovë në vitin 1999.

Sipas Bruno Vekariqit, nënprokuror për krime të luftës, Serbia po kryen hetime në katër shtete, bashkë më prokurorët rusë, dhe së shpejti priten të dalin rezultatet.

Ish-kryeprokurorja e ICTY-s, Carla del Ponte, tha se fundi se disa nga provat për rastin e trafikimit të organeve në Kosovë janë shkatërruar në Tribunal, porse i mbetet prokurorit të tanishëm, Serge Brammertz, të gjejë se kush janë përgjegjësit.

“NATO dhe UNMIK-u nuk na lejuan të kemi qasje në dokumente të rëndësishme në lidhje me Kosovën, ndërsa Shqipëria nuk na la të hyjmë në territorin e saj”, tha Del Ponte.

Sidoqoftë, Brammertz është cituar duke thënë se nuk ka informacion për shkatërrimin e provave, dhe se vetëm Del Ponte mund të hedhë dritë në këtë çështje, duke qenë se dyshohet se ka ndodhur gjatë kohës që ajo ka pasur atë pozitë.