Sëmuret Behlul Limaj, Shtyhet Seanca

Keqësimi i gjendjes shëndetësore i njërit prej të pandehurve në Rastin Kleçka, ka bërë që të ndërpritet seanca e sotme.
 
Pas kthimit nga pauza, avokati mbrojtës i Behlul Limajt, njoftoi se klientit të tij i është keqësuar gjendja shëndetësore, dhe i duhet të shkonte në spital. Avokati Armend Krasniqi e njoftoi panelin gjykues se Limaj më parë është bërë operacion nga zemra dhe propozoi që seanca e sotme të shtyhet për një ditë tjetër. 

Prokurori Maurizio Salustro propozoi që të bëhet veçimi i procedurës për këtë të pandehur dhe të vazhdohet me seancën. Kur t’i përmirësohet gjendja, ai propozoi që të bëhej bashkimi i procedurës. Në këtë mënyrë, sipas Salustros, nuk do të kishte shkelje procedurale. Por mbrojtja e kundërshtoi këtë propozim, duke shtuar se seanca duhet të ndërpritet dhe të shtyhet për një datë tjetër.

Lidhur me këtë, paneli gjykues mori aktvendim për ndërprerjen e seancës, kurse seanca e radhës do të vazhdojë të hënën, me fillim nga ora 10. Paneli e obligoi avokatin Krasniqi që deri nesër në ora 15, t’ia dorëzojë gjykatës raportin mjekësor për gjendjen shëndetësore të klientit të tij.

Më herët, në seancën e paradites, fjalën e tij e ka dhënë avokatit Mahmut Halimi, i cili theksoi se deklaratat origjinale nga dosjet B/1 deri B/9 të Agim Zogajt, të marra në cilësinë e të dyshuarit, janë të mbyllura dhe të vulosura në një zarf dhe askush nuk mund të ketë qasje në to, përfshirë edhe prokurorin.

Ai shtoi se prokurori në mënyrë kundërligjore ka përdorur deklaratat e “Dëshmitarit X”, të marra në kohën kur ai ka qenë i pandehur.

Avokati Halimi propozon që të hapen deklaratat e mbyllura. Lidhur me këtë propozim paneli gjykues do të vendos më vonë.

Mbrojtja vazhdon të kërkojë që këto deklarata deri në momentin kur X-i është shpallur dëshmitar bashkëpunues, duhet të jenë të papranueshme.

Edhe në seancën e sotme është ngritur çështja e besueshmërisë së ditarëve të X-it. Avokati Halimi i dorëzoi gjykatës një dosje në gjuhën shqipe. “Këtu dëshmohet e kundërta nga ditarët e X-it”, u shpreh ai.

Në seancën e djeshme kishte pakënaqësi me përkthimin e njërit prej përkthyesve, për çka sot Fatmir Limaj i propozoi panelit gjykues që ajo që shkruhet në procesverbal në gjuhën angleze, të lexohet në gjuhën shqipe dhe në këtë mënyrë të shmangen gabimet e mundshme. Propozimi i tillë nuk u pranua dhe do të vazhdohet me mënyrën e njëjtë të punës.