Rusia Nuk Planifikon ta Njohë Kosovën

Rusia nuk e ka ndërmend ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës, as në të ardhmen nuk do ta njohë Kosovën, është shprehur shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov për të përditshmen “Veçernje novosti”.

Po ashtu ai ka porositur serbët që edhe më tutje t’i përmbahen të drejtës ndërkombëtare dhe rezolutës 1244 në të cilën, siç thotë, shkruan se Kosova është pjesë e territorit të Serbisë.

Ai ka premtuar se Rusia do të mbështesë aktivitetet e Beogradit në kuadër të zgjidhjes politike të problemit të Kosovës në bazë të rezolutës 1244, për t’i ‘kontribuar forcimit të stabilitetit afatgjatë’ rajonal. 

Lavrov tha se Rusia ka mbështetur dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Po ndjekim me vëmendje rrjedhën e tij. Vlerësojmë se dialogu është ndërprerë kohë më parë për shkak të situatës së destabilizuar në linjën administrative ndërmjet Kosovës dhe pjesës tjetër të Serbisë”, tha Lavrov.

Sipas Lavrovit, për shkak të situatës eksplozive në rajon, është me rëndësi jo vetëm që të ruhet roli i KB dhe i Këshilli të Sigurimit në procesin negociator, por edhe të aktivizohet veprimtaria e Misionit të KB në Kosovë