Rrugëtimi i Mimoza Ahmetajt: Nga mjekësia në diplomaci

Në mesin e ambasadorëve të shkarkuar sot nga ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, është edhe ambasadorja e Kosovës në Paris, Mimoza Ahmetaj.

Ahmetaj ishte emëruar në postin e ambasadores së Kosovës në Paris më 8 shtator të vitit 2018.

Ndonëse ka të përfunduara studimet në  Fakulteti i Mjekësisë, Dega e Stomatologjisë , Ahmetaj profesionin si ortodonte e ka ushtruar vetëm nga viti 2003 deri në vitin 2007.

Studimet në Fakultetin e Mjekësisë Ahmetaj i kishte përfunduar në vitin 2000, ndërsa që nga viti 1999 deri në vitin 2000 ishte e angazhuar si këshilltare e të deleguarit special të OKB-së në Kosovë.

Karrierën e saj politike Ahmetaj e kishte filluar në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), si deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e kësaj partie, për vitet 2007-2010.

Nga viti 2010  ajo ka qenë këshilltare politike e ish-kryeministrit, tani presidentit Hashim Thaçi.

Nga viti 2011 deri në vitin 2013, ajo ka qenë ambasadore e Kosovës në Slloveni, ndërsa pas Sllovenisë, Ahmetaj kishte vazhduar si ambasadore në Bruksel deri në vitin 2016.

Në vitin 2017, Mimoza Ahmetaj ka qenë ministre e Integrimit Evropian  për t’u emëruar ambasadore në Konsullatën e Përgjithshme ne Strasburg  në vitin 2018.

KALLXO.com kishte raportuar se si Ministria e udhëhequr nga ajo kishte shpenzuar mbi 1 mijë euro për dy telefona.

Ahmetaj ka deklaruar se nga gjuhët e huaja e njeh serbishten, kroatishten, anglishten dhe frëngjishten.

Cila është pasuria e Ahmetajt?

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2019 ambasadorja e Kosovës në Paris ka deklaruar se paga e vetme është ajo e ambasadores.

Si pasuri të paluajtshme Ahmetaj ka deklaruar dy banesa, dy toka, dhe një lokal të cilat i ka të deklaruara në emër të përbashkët me bashkëshortin.

Ambasadorja Ahmetaj ka deklaruar se trashëgimi e ka vetëm lokalin e cili kap vlerën 60 mijë euro.

Të gjitha këto pasuri të paluajtshme kapin vlerën prej 266 mijë eurove.

Ahmetaj nuk ka deklaruar se posedon letra me vlerë, përderisa nuk ka deklaruar as që posedon para të deponuara në institucione financiare.

Paga e saj në Ministrinë e Punëve të Jashtme kap vlerën 2 mijë e 880 euro.