Mbledhja e qeverisë | Foto: ZKM

Polemizojnë Ministrat e PDK-së

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj pati kritika ndaj ministres së re të Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj.

Ministri Hoxhaj ka kërkuar nga ministrja Ahmetaj që të ketë koordinim në mes të ministrive kur bëhet fjalë për çështje të politikës së jashtme.

“Nuk është mirë që Ministria e Integrimeve ta bëjë agjendën, pa e ditur ne si Qeveri”, tha ministri Hoxhaj.

“Nuk do të ishte mirë që zyrtarët e një ministrie t’i vendosin prioritet strategjike për çdo program dhe për çdo fushë. Sugjerimi im është që të ketë shkëmbim mes ministrive. Për disa tema që kanë të bëjnë me BE-në, me të vërtete duhet të kemi koordinim, mos të jenë zyrtarët qoftë të ministrisë sime qoftë të një ministrie tjetër të cilët shfaqen në Bruksel dhe të cilët vendosin se kah duhet me shku programi qeverisë që është program i tërë shtetit, pa ditë ne si ministra të linjës”, tha ministri Hoxhaj.

Ndërsa ministrja Ahmetaj tha se në lidhje më këto programe ka pasur debat publik dhe propozime nga ministritë tjera.

“Ministria e Integrimeve Evropiane në bashkëveprim me të gjitha ministritë e linjës dhe grupet e interesit ka organizuar takime konsultative, se ku e shohin të gjitha dikasteret e shtetit tonë interesin që Kosova të ketë qasje në këto programe. Në mesin atyre e 17 programeve, kanë ardhur inpute nga ministritë, si Ministria e Tregtisë, si Ministria e Planifikimit Hapësinor, e të gjitha ministrinë i kanë dhënë propozime e veta”, tha Ahmetaj.

Sipas Ahmetaj, Ministria e Integrimeve është vetëm koordinatore dhe nuk vendos e vetme. Ajo shtoi se ata kanë bërë debate publike me të gjithë faktorët në Kosovë.

Ndërsa Ministri Hoti kërkoi nga Ministrja Ahmetaj më shumë informata rreth kostos financiare për pjesëmarrjen në programet e IPA-së, ani pse ato rimbursohen nga IPA.

Gjithashtu Qeveria e Kosovës sot miratoi edhe programin kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit 2017-2021.

Qeveria po ashtu ka miratuar raportin vjetor të punës së qeverisë për vitin 2016.

Zëvendës kryeministri Hajredin Kuçi vlerësoi se punët e Qeverisë kanë qenë të mira.

“Qeveria ka punuar  në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, punësimin dhe mirëqenien, sundimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës. Të arriturat dhe rezultatet e Qeverisë gjatë 2016, kanë qenë të prekshme për qytetarët e Kosovës “, tha Zëvendës Kryeministri Kuçi

Në këtë mbledhje nuk u diskutua fare në lidhje me projektligjin për FSK-në.