Rruga ‘pa pengesa’ e Kosovës drejt integrimit, sipas propozimit të BE-së

Të hënën e 27 shkurtit në Bruksel, u zhvillua një rund i ri i dialogut, ku pala kosovare dhe serbe zhvilluan takim trepalësh me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, për të diskutuar rreth propozimit evropian, i njohur në publik si “plani franko-gjerman”.

Ndonëse pati dakordim verbal rreth këtij propozimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, dokumenti si i tillë nuk u nënshkrua nga dy liderët.

Disa orë pas takimit, BE-ja publikoi propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Plani përmban gjithsej 11 nene, si dhe një deklaratë në fillim të tij.

Në nenin 4 të këtij propozimit, thuhet se palët rrjedhin nga supozimi se asnjëra nga këto dyja palë nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj. Aty theksohet që Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Ndërkaq në nenin 5, nënvizohet që asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre.

“Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian”- thuhet në planin e BE-së.

Anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, Kosova e synon që nga shpallja e pavarësisë. Në këtë drejtim, vitin e kaluar Kosova shënoi një hap të rëndësishëm drejt familjes evropiane, duke dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës, në maj të 2022-ës.

Atë kohë, kryeministri Kurti kishte thënë që anëtarësimi i plotë, do të ishte një hap i madh për Evropën në tërësi.

“Anëtarësimi ynë i plotë do të ishte jo vetëm një sinjal i fortë për të gjitha forcat demokratike në rajon, por edhe një hap i madh për Evropën në tërësi, me të cilën ndajmë angazhimin tonë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”- kishte shkruar ai në Twitter.

Mendim krejtësisht tjetër kishte presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i cili kishte “kërcënuar” Kosovën nëse do aplikonte në KiE. Ai ka thënë se përgjigja e Serbisë në ditën kur Kosova do të bëjë kërkesë zyrtare për pranim në KE dhe do të shkelë Marrëveshjen e Uashingtonit, “do të jetë e fortë dhe serioze”.

“Është detyra jonë të mbrojmë dhe mbrojmë vendin dhe Kushtetutën. Atë ditë që marrim vesh që kanë aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në ndonjë organizatë, përgjigjja jonë do të jetë shumë më e fortë sesa që mendojnë ata e nuk do të jetë vetëm deklaratë për media. Më besoni se do t’ua tregojmë dhëmbët goxha shumë”- pati deklaruar Vuçiq.

Përderisa në planin franko-gjerman theksohet që Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe palët nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre, në marrëveshjen e Uashingtonit thuhej krejt diçka tjetër.

Në dokumentin e nënshkruar nga kryeministri i athershëm, Avdullah Hoti dhe presidenti Vuçiq me ndërmjetësim të presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe emisarit Richard Grenell, thuhej që Kosova duhej që për një vit të stopojë lobimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja.

“Prishtina do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Beogradi do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur”- thuhej në marrëveshje.

Në anën tjetër, në janar të këtij viti presidenti Vuçiq pretendonte se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sipas presidentit të Serbisë edhe një vend tjetër, i dhjeti, po pritet të veprojë njëjtë.

Deklarata të tilla, i kishte mohuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës duke thënë se nuk ka asnjë njoftim rreth pretendimeve se disa shtete e kanë tërhequr njohjen.

Sipas deklaratës se MPJD-së, një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave personale me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të Kosovës.

Moment tjetër i rëndësishëm për Kosovën, në rrugën drejt integrimit evropian, ishte kur vitin e kaluar liderët shtetërorë nënshkruan aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Një ditë më pas, kryeministri Kurti dorëzoi në Pragë letrën e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian, ministrit për Çështje Evropiane të Çekisë, Mikulas Bek.

Ky hap i Kosovës drejt BE-së, u përkrah nga disa shtete evropiane, ambasadorë e diplomatë të shumtë, por jo edhe nga presidenti serb Vuçiq.

Vuçiq në një konferencë për media kishte pyetur partnerët perëndimorë “nëse do t’i respektojnë marrëveshjet që i kanë bërë vetë”.

“Në vazhdën e dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim në BE të së ashtuquajturës Kosovë, pyetja ime është se a do t’i respektojnë dokumentet që i kanë sjellë vetë”- ishte shprehur Vuçiq.

Zbatimi i propozimit evropian për normalizimin e raporteve, është hapi i radhës që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin në një periudhë relativisht të shkurtër kohore.

E në anën tjetër,  mbrëmë Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për propozimin e BE-së duke shtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera.

“Jam i lumtur të lajmëroj që Vuçiq dhe Kurti janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime të tjera sa i përket propozimit të BE-së, i cili ka titullin ‘Propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë’. Ata janë pajtuar që nuk nevojiten diskutime të tjera, ky është propozimi që do të publikohet në shërbimin për veprim të jashtëm të BE-së”- ka thënë Borrell.

Palët paralajmëruan edhe një takim tjetër më 18 mars, për të diskutuar për udhërrëfyesin për zbatimin e planit të BE-së i njohur si plani franko-gjerman.

Përderisa për Kurtin takimi i mbrëmshëm ishte konstruktiv, për Vuçiqin ishte një takim “i vështirë”.

Kurti tha se në takim u konfirmua se propozimi është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm.

“Ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve. Është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në të ardhmen”- tha Kurti.

Kryeministri kosovar pretendoi se pala serbe nuk ishte e gatshme të nënshkruante marrëveshjen, ndërsa ai po. Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se takimi nuk kishte të bënte me pranimin apo mospranimin e propozimit.

“Unë pres ta shoh planin e zbatimit, para së gjithash planin e zbatimit të obligimeve të mëparshme”- tha ai, duke shtuar se ende duhet të punohet në udhërrëfyes.

Përderisa palët u pajtuan për propozimin, Serbia tha se insiston në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se disa pika të Marrëveshjes mbi parimet për themelimin e Asociacionit të arritur po atë vit, nuk ishin në harmoni të aktit më të lartë juridik të shtetit. Megjithatë, Gjykata tha se ato mund të harmonizohen.

Megjithatë, në propozimin evropian thuhet se palët konfirmojnë detyrimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut, që janë arritur më parë.

Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, paraqet gurthemelin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 mes të dyja palëve, ku gjashtë nga 15 pikat e marrëveshjes janë të fokusuara në krijimin e tij.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumice serbe mund të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit në vitin 2013. Ndërsa, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit e vitit 2015 nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.

Në dhjetor të 2015, BIRN dhe Internews Kosova kishin publikuar raportin e “Big Deal”, në të cilin ishte analizuar dhe monitoruar implementimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë të dala nga procesi i dialogut në Bruksel.

Këtu mund ta gjeni raportin e vitit 2015 për implementimin e marrëveshjeve. Në këtë raport flitet edhe për Asociacionin.

Aty theksohet se Asociacioni do të përfshijë katër komunat e veriut, si dhe Graçanicën, Shtërpcen, Novobërdën, Kllokotin, Ranillugun dhe Parteshin, me Gaçanicën si qendër rajonale për komunat jugore.

Marrëveshja fillestare e vitit 2013 parashihte se Asociacioni do të themelohej dhe do të ishte funksional deri në fund të atij viti. Mirëpo, implementimi pati një lloj ngecje deri në verën e vitit 2015.

Më 25 gusht 2015, Kosova dhe Serbia u pajtuan në Bruksel lidhur me një varg parimesh dhe elementesh kryesore të Asociacionit, të cilat herë do kur duhen përkthyer në tekst statuti.

Megjithatë, gati menjëherë pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, blloku opozitar i Kosovës atë kohë, i përbërë nga Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën (NISMA) filluan të protestojnë kundër vendimit.

Marrëveshja jep hollësi të kompetencave që i jepen asociacionit të 10 komunave me shumicë serbe; të ketë “mbikëqyrje” të plotë në sferat e planifikimit rural dhe urban, zhvillimin ekonomik, arsim dhe shëndetësi.