Rivarrosen Pa u Identifikuar

Në varrezat e martirëve në Shipol të Mitrovicës, sot janë varrosur 55 mbetje mortore, të cilat u gjetën para disa ditësh në një lokacion afër ish-kazermës ushtarake në lagjen Bair.

Mbetjet mortore supozohet të jenë të shqiptarëve të vrarë nga ushtria serbe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por shqiptarët dyshojnë se mund të ketë dhe eshtra të luftës së fundit.

Murat Isufi, shef i sektorit për dëshmorë, invalidë të luftës dhe viktima civile të luftës në Komunën e Mitrovicës, tha se këto mbetje mortore janë rivarrosur me shifra të caktuara derisa të krijohen kushtet për ekzaminimin e tyre.

Ai ka sqaruar se në kërkesën e tyre drejtuar Departamentit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it kanë marrë përgjigje se këtyre eshtrave nuk do t’u bëhet analiza e ADN-së, pasi që ata janë të periodës para luftës së fundit, dhe ky departament nuk ka mandat për identifikimin e tyre.

Bajram Çerkini, drejtues i Shoqatës së të Pagjeturve, tha se në vendin ku janë gjetur këta eshtra, gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qenë një burg, ku janë burgosur shumë shqiptarë. . “Kanë hyrë shumë sish, por më kurrë nuk janë parë, e as gjetur”.

Çerkini tha se eshtrat e gjetur nuk janë të gjithë të një ngjyre, që lë dyshime se disa janë më të vjetër, e disa më të rinj. “Pastaj, disa nuk janë dëmtuar shumë dhe prandaj dyshohet se aty mund të ketë edhe eshtra të shqiptarëve që nga serbët janë vrarë në luftën e fundit”, ka thënë Çerkini.

Hulumtimi i vendit është bërë me urdhër të kryetarit të komunës, Avni Kastrati. Me qëllim që të hulumtohet i tërë terreni përreth vendit ku janë gjetur eshtrat e disa personave, Komuna ka kontraktuar kompaninë “Loti”, ka njoftuar Ahmet Jashari, shef i Zyrës për Informim i Komunës së Mitrovicës.

Kastrati ka apeluar edhe tek institucionet qendrore të vendit dhe ato ndërkombëtare që të krijojnë kushte dhe të ndihmojnë identifikimin e këtyre mbetjeve mortore, pasi që këtë nuk mund ta bëjë vetëm Komuna e Mitrovicës.

Punët në hulumtimin e terrenit në Bair për të gjetur eshtra të tjerë, vazhdimisht i kanë përcjellë pjesëtarët e policisë së Kosovës, përfaqësuesit e KFOR-it zviceran dhe herë pas here edhe familjarë të interesuar për të zhdukurit e tyre.