Foto: REL/Reuters

Viti i pandemisë në shkolla, mësimi online i paarritshëm për të gjithë

Mbyllja e shkollave për shkak të pandemisë me COVID-19 shpërfaqi sfidat e mëdha të organizimit të mësimit online në Kosovë. Sfidat më të theksuara ishin në përfshirjen e nxënësve të komuniteteve jo shumicë.

 Transmetimi i mësimit nga distanca kishte filluar më 23 mars 2020 ku nxënësit në Kosovë kanë ndjekur mësimet në shtëpi përmes Radio Televizionit Publik të Kosovës. Megjithatë kur fëmijët nuk pasur teknologjinë e nevojshme komunikimi me mësuesit e tyre ka qenë i pamundur.

Prindërit dhe organizatat qeveritare kanë shprehur shqetësim për këtë problematikë duke qenë edhe pse mësimi në gjysmëvjetorin e dytë ka nisur fizikisht, në rastet e infektimeve të mëdha në shkolla, mësimi do të organizohet sërish online.

S.K dhe motrat e saj në kohën kur mësimi është zhvilluar online, nuk kanë pasur asnjë pajisje teknologjike për të mësuar nga shtëpia.

Pas përfundimit të gjysmëvjetorit të dytë, ajo dhe motrat e saj janë pajisur me një laptop, i cili ka qenë donacion nga organizatat joqeveritare.

“Ma mirë është në shkollë, se aty e kuptojmë më mirë. E në shtëpi kur kemi mësu e kemi pas vetëm televizorin.”, ka thënë ajo.

Nëna e saj, F.K nga komuniteti ashkali që jeton në Ferizaj, tregon se në kohën kur mësimi është zhvilluar në distancë fëmijët e saj kanë ndjekur vetëm mësimet në RTK.

“Katër fëmijë i kam, e madhja 15 vjeçare nuk e ka vazhdu shkollën për shkak se është e smutë. Kanë mësu me një (pajisje), kur kanë pasë. Nganjëherë nuk kanë mësu hiç.”, ka thënë nëna e vajzës.

A. dhe J.nga komuniteti rom në Prizren gjithashtu pëlqejnë më shumë mësimin në shkollë se sa mësimin nga shtëpia, për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike.

Të dy djemtë kanë dërguar detyrat e shtëpisë tek mësuesja e tyre përmes telefonit të nënës.

“Në kohën kur kanë mësu në shpi, i ka mësu axha, mësuesen e kemi këtu në rrethinë edhe kemi pas më të lehtë me i orientu.”, rrëfen nëna e dy fëmijëve.

Zotimet për gjithëpërfshirjen e fëmijëve në mësim online

Fushata e dhurimit të pajisjeve teknologjike për nxënësit në nevojë ishte zgjeruar në muajt e parë të fillimit të krizës me pandemisë. Megjithatë sipas organizatave për të drejtat e komuniteteve dhe organizatave që merren me arsimin, ndihmat kanë qenë sporadike dhe nevojitet një zgjidhje sistematike.

Në muajin mars të vitit 2020 kur kanë filluar përgatitjet për xhirimin e video mësimeve, ish- ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit , Hykmete Bajrami në një intervistë për KALLXO.com kishte thënë se kanë bërë përgatitjet për mësimin nga distanca për të gjitha komunitetet.

“Kemi hapa konkret sa i përkët komuniteti boshnjak dhe turk, ata i kanë identifikuar mësimdhënësit dhe besoj që shumë shpejtë do të fillojë xhirimi  materialeve të tyre. Unë kam një zëvëndësminstër të ri, Enis Kërvan nga komuniteti turk, i cili në këtë fazë po bënë koordinimin e aktiviteeve për të ofruar mësimin online për të gjitha komunitetet”, kishte thënë Bajrami.

Për të gjithë punën e bërë për mësimin në kohë të pandemisë ushtruesja e detyrës së Presidentës, Vjosa Osmani kishtë lavdëruar MAShT-in.

“Jam e lumtur që ky mësim po organizohet edhe për komunitet joshumicë. Sot, gjatë ditës do ta vizitoj shkollën ‘Emin Duraku’, në Prizren, për t’u bindur me cilësinë e organizimit të mësimit online për ta”, ishte shprehur Osmani.

Në anën tjetër Partia Demokratike e Kosovës kishte reaguar që mësimi online kishte krijuar pabarazi në shoqëri. Sipas deputetës së Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha rreth 10% e fëmijëve nuk kanë pasur qasje në mësimin në distancë ndërsa probleme kanë pasur edhe komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Edhe raporti i publikuar nga organizata “ADMOVERE” me titullin ‘‘Sfidat e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë gjatë Pandemisë Covid – 19, thotë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk i ka pasur parasysh nevojat e nxënësve të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë kur e ka filluar organizimin e mësimit nga distanca.

“Në Komunën e Ferizajt, nga 828 nxënës të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, 425 ose 51% nuk e kanë ndjekur mësimin nga distanca. Në Komunën e Lipjanit, nga 441 nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në nivelin fillor dhe të mesëm, mësimin nuk e kanë ndjekur 115 ose 26%, ndërsa në nivelin e mesëm të lartë, nga 30 nxënës, mësimin nuk e kanë ndjekur 19 ose 63% e tyre. Në Komunën e Fushë Kosovës nuk është prezantuar numerikisht.”, thuhet në raport.

Në anën tjetër, Ministria e Arsimit që gjatë kohës së pandemisë ka ndërruar dy ministra, nuk zotëron të dhëna lidhur me përfshirjen e nxënësve nga komunitetet joshumicë në mësimin online.

Këtë e konsiderojnë alarmante edhe Instituti “Ed Guard”, organizatë joqeveritare që merret me çështjet e arsimit.

“Mospjesëmarrja është shqetësuese, mirëpo neglizhenca institucionale në përfshije është alarmante. Nga viti shkollor 2019/2020 kishim në total 60 ditë mësimore të realizuara online, kjo,  për këto grupe lehtë mund të përkthehet si ditë mësimi të humbura”, thonë nga Instituti.

Përpjekjet për sanimin e mungesave në mësim gjatë pandemisë

 Në vitin shkollor 2020/21 në arsimin parafillor, në shkolla fillore dhe të mesme janë 6865 nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Sipas Mirlinda Gergurit nga organizata ‘The Ideas Partnership’ dhe Bekim Syla nga ‘RAD Center’  mjete mbrojtëse për fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian kryesisht janë siguruar nga organizatat joqeveritare dhe se kushtet ekonomike kanë ndikuar në procesin mësimor.

“Sigurisht që ka ndikuar, për shkak të gjendjes socio-ekonomike, në mungesë të mjeteve teknologjike pjesa dërmuese e fëmijëve nuk kane arritur të kenë qasje dhe t’i ndjekin mësimet në formën virtuale njëtrajtësisht me moshataret e tyre. Organizata jonë ka ndihmuar fëmijët me materiale shkollore përgjatë kësaj periudhe, komuna ka ndare 10 laptop të cilët padyshim kanë qenë të pamjaftueshëm për të mbuluar nevojat e të gjithëve.”, ka thënë Gerguri nga ‘The Ideas Partnership’.

Ndërsa, Bekim Syla nga ‘RAD Center’  konsideron se institucionet nuk kanë bërë asgjë për fëmijët e komuniteteve dhe kjo ka ndikuar tek ata.

“Sigurisht që ka ndikuar tek fëmijët, duke marr parasysh gjendjen ekonomike të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, nuk janë në mundësi që të ju sigurojmë mjete mbrojtëse kundër pandemisë. Ata pë0rdorin maskat të cilat janë njëpërdorimshme për një kohë të gjatë, edhe pse humbin efektin mbrojtës mbas një apo dy përdorimeve.”, ka thënë Syla.

Organizata “Caritas Kosova” në zyren e tyre në fshatin Dubravë të Ferizajt përmes projektit për përfshirjen sociale të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian janë duke ofruar mësim shtesë për nxënësit e këtyre komuniteteve.

Mësuesin Selatin Dudaki, mësues për mësimin plotësues në “Caritas Kosova” dhe mediator në shkollën “Naim Frashëri” Zaskok, ka vërejtur mos aktivitetin e nxënësve gjatë kohës së pandemisë.

“Në kohën e pandemisë kanë mësu shumë pak nxënësit e komuniteteve, për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike. Ka pasë shumë mungesë, sidomos në disa lëmi, vetëm në gjuhë e merrshin mësimin. Për një muaj ditë jam duke vërejt ngritje të rezultateve pozitive të nxënësve në shkollë.”, ka thënë Dudaku.

Minavere Fejzullahu, koordinatore në “Caritas Kosova”, ka treguar se është vërejtur ngecje në mësimi tek nxënësit e komuniteteve për shkak të mungesës së teknologjisë. Në këtë qendër mësojnë 360 fëmijë, mësimin për nxënës zhvillohet nga ora 9 deri në 16 dhe se  koordinohet me orarin e shkollës.

“Funksioni i qendrës është mbështetës, jemi të fokusuar me i plotësu nevojat e nxënësve, për mësim plotësues aty ky kanë ngecje. Aktivitetet e qendrës janë të fokusuara në katër komponentë kryesore, Edukim, Kulturë, Shëndetësi dhe Asistencë Sociale.”, ka thënë Fejzullahu.

Kthimi i fëmijëve në shkolla është më e lehtë sipas K.A, prind i pesë fëmijëve nga komuniteti ashkali në Ferizaj.

“Unë i kam pesë fëmijë në shkollë, me një telefon nuk kam mund unë me i kyç të gjithë fëmijët. Mbasi është përfundu krejt mësimi është bë një projekt nga organizatat joqeveritare në të cilin janë shpërnda disa tabletë. Mësimi online ka qenë total i dështum për mu.Nga 13 grupe për secilin fëmijë, në shkolla është më mirë brenda ditës kanë shkru mbi një mijë mesazhe”, ka thënë Aliu.

Ministria e Arsimit për të stimuluar nxënësit ka ndarë 596 bursa për nxënësit e shkollave të mesme të larta për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Më 12 mars 2020 Qeveria e Kosovës kishte marr vendim që mësimi të ndëpritej për shkak të pandemisë, për të vazhduar në mësimin në distancë më 23 mars, përmes pajisjeve teknologjike dhe transmetimeve të mësimeve në Radio Televizionin e Kosovës.

Viti shkollor 2019/2020 ka përfunduar më 26 mars përmes ekranit televiziv. Ndërsa viti shkollor 2020/21 ka filluar në dy faza, më 14 shtator për klasat 1,2 3 6 edhe klasat e 10-të, ndërsa më 21 shtator për  klasat 7,8,9, 11 dhe 12.

Mësimi ka filluar me anë të tre skenarëve, skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.

Projekti “Rritja e standardeve të gazetarisë përmes kontrollimit të fakteve” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë.

 Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Internews Kosova/KALLXO.com dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, Albany Associates, Media Centar Sarajevo apo Fondacionit për Informim, Media, Dialog dhe Edukim (KosovaLive/KIMDE).