PDK kritikon Ministrin e Arsimit, pyet nëse Kosova është e gatshme për fillimin e mësimit në shtator

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se mësimi online të cilin e ka organizuar Ministria e Arsimit përgjatë pandemisë, ka shpërfaqur pabarazi në shoqëri.

Sipas saj, rreth 10 për qind e fëmijëve nuk kanë pasur qasje në mësimin në distancë ndërsa probleme kanë pasur edhe komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Në një konferencë për media, PDK ka ngritur shqetësimin nëse vendi ynë është gati për fillimin e mësimit në muajin e ardhshëm. Ndërsa, ka kritikuar ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Likaj, për planin e rifillimit të mësimit.

“PDK ngrit shqetësimin nëse Kosova është gati në rikthim në shkolla, sepse deri më sot nuk kemi pa ndonjë plan konkret nga qeveria për fillimin e mësimit, as ide për riorganizim në shkolla apo edhe kushte higjienike”, ka thënë deputetja Hoxha.

PDK ka propozuar që mësimi të riorganizohet në klasë dhe fëmijët të ndahen në dy grupe nga secila klasë.

“Ministria e Arsimit duhet ta vë shëndetin e nxënësve në qendër të planeve. PDK po ashtu thekson, se mësimi online pavarësisht cilësisë, kishte kuptimin e vet por tani shumica e aktiviteteve kanë nisur të hapën. PDK thekson që klasat mund të riorganizohen, të ndahen në dy grupe, gjithashtu higjena duhet të jetë”, tha tutje Eliza Hoxha.

Deputetja e PDK-së ka ngritur edhe disa pyetje rreth higjienës nëpër shkolla ndërsa ka kërkuar kujdes të shtuar nga qeveria në mënyrën e organizimit të mësimit për nxënësit e vendit.

“Çfarë do të ndodh me rreth 12% të nxënësve që nuk kanë pasur fare qasje në arsim, çfarë do të ndodh me rreth 40% të komuniteteve që nuk kanë pasur fare qasje në mësim, çfarë do të ndodh me fëmijët me nevojat e veçanta?”, pyet deputetja e PDK-së.

“PDK kërkon qeveria kujdes në menaxhimin e pandemisë dhe organizmin e mësimit nëpër shkolla”, deklaroi në fund ajo.