Shpella e Gadimes dhe potenciali turistik për Kosovën 

Shpella e Gadimes gjendet në fshatin Gadime e Ulët të komunës së Lipjanit, rreth 23 kilometra larg kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës. 

Kjo shpellë është e mërmertë, ndër më të rrallat në Evropë, ndërsa është zbuluar nga një banor i zonës i quajtur Ahmet Asllani, në vitin 1967.  Asllani teksa ishte duke gropuar afër shtëpisë së tij, kishte rënë në një gropë, ku më pas kishte zbuluar bukuritë e mahnitshme të kësaj shpelle. 

Shpella përfshin një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 38 hektarvë, kurse për vizitorë është hapur për herë të parë në vitin 1976. 

Drejtoresha e kësaj shpelle, Adriana Pllana, për KALLXO.com, ka treguar për vizitorët e shumtë në këtë pikë turistike. 

“Kjo shpellë është shumë e rrallë, ndoshta e vetmja në Evropë. Vizitohet shumë nga njerëzit. Kemi vizitorë pothuajse nga e gjithë bota, Evropa, Amerika, Kina e deri tek Tajlanda. Vetëm në vitin 2018 kemi pasë rreth 17 mijë e 500 vizitorë”, ka treguar Pllana. 

Ndërsa ajo ka thënë se momentalisht Shpella ka nevojë për renovimin e sistemit elektrik, pasi një i tillë është që nga vitet e ’70-ta.

Së fundmi Ministria e Mjedisit është zotuar se do të investojë në përmirësimin e infrastrukturës në këtë shpellë.

Si mund të shkohet deri tek Shpella?

Shpella gjendet në fshatin Gadime e Ulet të Lipjanit, rreth 3 kilometra larg magjistrales Ferizaj – Prishtinë. 

Rruga për deri tek shpella është e rregulluar dhe e asfaltuar, ndërsa kur afrohesh në afërsi të fshatit, gjenden edhe tabelat që tregojnë rrugën deri tek destinacioni. 

Për turistët e huaj dhe të cilët nuk flasin shqip, Shpella është e regjistruar edhe në “Google Maps” dhe shumë lehtë tregohet rruga deri atje. 

Shpella e Gadimes
Foto- KALLXO.com

Çka ka brenda në Shpellë? 

Drejtoresha Pllana ka treguar se hyrja është e rregulluar me financimin e Bashkimit Evropian, ndërsa ajo çka e bën interesante këtë Shpellë,  janë aragonitet të cilat si ‘stoli’ shpellore janë dukuri të rralla. 

Kristalet e këtyre aragoniteve paraqiten dhe karakterizohen në forma të ndryshme, të cilat me kalimin e kohës kanë formuar simbole, që iu janë vënë edhe emra si Peshku, Mjekra e Skënderbeut, Gjarpri dhe ajo më e veçanta, Romeo e Zhulieta, e cila paraqet dy kristale që kanë rrjedhur, janë afruar shumë me njëri tjetrin, por që ende nuk janë bashkuar. 

Romeo dhe Zhulieta në Shpellën e Gadimes

 

Shpella e Gadimes gjithashtu është e pasur me ujëra nëntokësorë, si ujërat e kondensuar, pikues, rrjedhës dhe qëndrues, duke e paraqitur shpellën si një objekt të veçantë dhe të rrallë. 

Temperatura brenda në Shpellë është konstante, rreth 13 gradë verës, ndërsa rreth 11 gradë gjatë stinës së dimrit. 

Vizitat brenda Shpellës 

Drejtoresha Pllana gjithashtu ka treguar për orarin dhe kohën kur është e hapur Shpella. 

Zakonisht ajo është e hapur nga ora 08:30 e mëngjesit deri në orën 15:00, kurse muajve të verës dhe të sezones turistike, orari zgjatet deri në ora 16:30. 

Hyrja është me pagesë, 2 euro për të rritur, 1 euro për fëmijë, kurse për grupe të organizuara të shkollave është 50 cent. 

Për shpjegimin e bukurive dhe të veçantave të Shpellës përkujdesen dy ciceronë, të cilët flasin edhe gjuhën angleze. Ndërsa gjithsej në këtë Shpellë janë të punësuar 4 persona, përfshirë drejtoreshën dhe shitësen e biletave. 

Akomodimi dhe ushqimi 

Shumë afër Shpellës, gjendet një restaurant mjaft tërheqës me emrin “Shpella”, ku servohet ushqim tradicional vendor. 

Gjithashtu, zona afër Shpellës është e zhvilluar, ku veprojnë biznese si dyqane ushqimore dhe kafiteri. 

Jo fort larg  kryeqytetit kosovar, Prishtinës, Shpella e Gadimes vazhdon të mbetet si një nga pikat turistike më të famshme në Kosovë.

Ky vend me unitetit e tij, bukuritë e veçanta dhe ‘dhomat’ misterioze, është një pikë me potencial  për zhvillimin e turizmit kosovar.