Deputeti Qalaj thotë se stafi i ‘Shpellës së Gadimes’ nuk kanë njohuri për shpellën (VIDEO)

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ka kritikuar punëtorët në “Shpellën e Gadimes”, duke thënë se stafi janë joprofesional.

“Stafi joprofesional që punon atje, staf që absolutisht nuk ka të bëjë kurrgjë me shpellën. Për të pas një ciceron ai duhet të jetë i kualifikuar. E momentalisht kemi një ciceron që nuk ka ide se si është shpella e çka ka në shpellë” – ka thënë Qalaj.

Ai ka përmendur edhe disa probleme tjera siç janë mungesa e shenjave për vizitorët e huaj se si shkohet në Shpellë dhe mungesa e ndriçimit.

“Ka shumë vizitor nga shtetet e ndryshme dhe nuk ka asnjë tabelë në komunikacion si shkohet atje. Gjendjen e kemi keq atje duke filluar nga ndriçimi, ka 10 vite që nuk është bërë asnjë investim. Kemi një situatë ku kemi dëmtime të mëdha të stalaktiteve aty dhe nuk kemi as sistem të kamerave që dikush që e dëmton me mbajt përgjegjësi. Nuk kemi roje të objektit” – tha ai.

Qalaj ka përmendur edhe gurëthyesit që operojnë rreth shpellës që sipas tij po ndikojnë negativisht në shpellë.

Qalaj është shprehur se duhet të investojnë dhe t’i ruajnë perlat e turizmit që janë në vend.