Shpella e Gadimes. Foto: Atdhe Mulla

Ministria e Infrastrukturës deklarohet pas komenteve të deputetit Qalaj se Shpella e Gadimes ka staf joprofesional

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës më 29 shtator, ka kritikuar punëtorët në “Shpellën e Gadimes”, duke thënë se stafi janë joprofesional.

“Stafi joprofesional që punon atje, staf që absolutisht nuk ka të bëjë kurrgjë me shpellën. Për të pas një ciceron ai duhet të jetë i kualifikuar. E momentalisht kemi një ciceron që nuk ka ide se si është shpella e çka ka në shpellë” – ka thënë Qalaj.

Lidhur me këto komente, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) për Kallxo.com ka bërë të ditur se deputeti Qalaj ka vizituar shpellën muaj më parë nën shoqërinë e ish deputetit Argjend Tasholli.

“Z. Qalaj ka vizituar Shpellën jo zyrtarisht muaj më parë i shoqëruar nga ish deputeti Argjend Tasholli i cili është vendas i fshatit Gadime. Ata kanë kërkuar që të vizitojnë Shpellën ku z. Tasholli është liruar nga pagesa si banor i këtij fshati dhe z. Qalaj është liruar si Deputet i KK të Kosovës”- thuhet nga ministria

Sipas MMPHI, Qalaj dhe ish deputeti Tasholli janë shoqëruar nga cicërojna, por ky i fundit nuk e ka lejuar të flasë pasi ka thënë se është nga ai vend dhe nuk ka nevojë për sqarime.

“Të dy janë shoqëruar nga cicëronja e shpellës të cilën z. Tasholli nuk e ka lejuar fare të flasë duke i thënë me mirësi nuk ke nevojë të shpjegosh për Shpellën, sepse unë jam nga ky vend dhe unë do t’i shpjegoj z. Qalajt, kështu që cicëronja vetëm i ka shoqëruar gjatë gjithë kohës në heshtje”- thuhet më tej në përgjigjen e MMPHI.

Qalaj po ashtu ka përmendur edhe disa probleme tjera siç janë mungesa e shenjave për vizitorët e huaj se si shkohet në Shpellë dhe mungesa e ndriçimit.

Lidhur me këtë koment, Ministria ka deklaruar se këto probleme janë evidente pasi sistemi i elektrifikimit është i vjetër.

Sipas MMPHI-së, këtë vit qeveria ka ndarë 80 mijë euro për elektrifikimin e ri, por tenderi ka dështuar pasi nuk është paraqitur asnjë kompani.

“Po, janë evidente problemet me ndriçim brenda shpellës, sistemi i elektrifikimit në tërësi është tejet i vjetruar duke pasur parasysh edhe kushtet e lagështisë brenda shpellës. Këtë vit për elektrifikim të ri Qeveria ka ndarë nga buxheti 80,000 euro dhe zyra e prokurimit deri me tani dy herë e ka shpallur tenderin, por që në të dy rastet ka dështuar, sepse nuk është paraqitur as një kompani.

Ndërsa, sa i përket shenjëzimit i cili mungon, nga ministria potencojnë se, kanë parashtruar kërkesë në komunën e Lipjanit dhe kanë marr premtime nga Kryetari i Komunës se do t’i vendosin tabelat orientuese.

 

Deputeti Qalaj thotë se stafi i ‘Shpellës së Gadimes’ nuk kanë njohuri për shpellën (VIDEO)