Delet duke kullotur në Bjeshkën e Kukit. Foto: Denis Sllovinja

Kopeja e Emin Kollonit në Bjeshkën e Kukit. Foto nga droni: Denis Sllovinja

Në Malet e Sharrit, blegtorët pa pasardhës

Mungesa e interesimit tek të rinjtë për të vazhduar trashëgiminë e kultivimit të deleve po shkakton rënie shkallë-shkallë të blegtorisë në Malet e Sharrit, pavarësisht fitimit të madh që ka kjo zeje.

Emin Kolloni, blegtor 57-vjeçar nga Kosava e Opojës, i kaloi vitet e shkollës fillore në Malet e Sharrit me libra në duar, përderisa kujdesej për kopenë e deleve të familjes së tij. I frymëzuar si nga pasioni, po ashtu edhe fitimi, ai filloi një udhëtim për të ngritur lart përpjekjet e tij për blegtorinë.

“Pasioni dhe fitimi më bën të investoj. Bleva makineri dhe fillova të përpunoja djathin”, tha ai.

Kërkesa e lartë për mish dhe djathë e shtyu atë të rriste në mënyrë eksponenciale madhësinë e tufës së tij të deleve, deri në pikën që ai dhe dy vëllezërit e tij tani zotërojnë një nga fermat më të mëdha të deleve në rajonin e Opojës, që përbëhet nga afërsisht 1200 dele gjithsej.

Gjatë sezonës qershor-shtator, dhentë sillen në bjeshkë për të kullotur. Foto: Denis Sllovinja

Opoja, një rajon i largët në pjesën jugperëndimore të vendit, i vendosur mes maleve mahnitëse, qëndron si një nga bastionet e fundit të kultivimit tradicional të deleve. Banorët e këtij rajoni kufitar, duke ndarë kufijtë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, e kanë mbajtur me besnikëri këtë traditë shekullore gjatë gjithë jetës së tyre.

Për Kosovën blegtoria përherë ka qenë ‘krah i djathtë’ për nga leverdia, për shkak të pozitës së mirë gjeografike, klimës së përshtatshme dhe tokës pjellore.

Megjithatë, edhe ky treg fitimprurës po përballet me rënie përballë modernizimit. Edhe pse ka shumë leverdi të ardhurash, ‘profesionet e së ardhmes’ i kanë lënë bosh profesionet që konsiderohen si të kaluarës.

Kjo rënie e ngadaltë e blegtorisë bëhet e dukshme kur shqyrtohen statistikat.

“Në vitet 1980 numri i deleve në Malet e Sharrit ishte rreth 100 mijë. Tani janë rreth 50 mijë”, ka raportuar Bekim Bytyqi, zyrtar i administratës dhe financave në Parkun Kombëtar Sharri.

Në Kosavë, familja Kolloni është e vetmja që merret ende me blegtori. Foto: Denis Sllovinja

Një traditë në rrezik zhdukjeje

Fshati Kosavë qëndron si një dëshmi e përkushtimit të palëkundur të një familjeje të vetme në ruajtjen e një kulture shekullore, të nxitur nga përkushtimi i tyre ndaj trashëgimisë familjare dhe praktikave të qëndrueshme bujqësore.

Megjithatë, familja Kolloni nuk mbështetet vetëm në blegtori për jetesën e tyre. Ata gjithashtu punojnë në profesione moderne për të lundruar në një peizazh në ndryshim ku bujqësia tradicionale po shuhet me kalimin e kohës. Emini, për shembull, punon njëkohësisht në Qendrën për Regjistrimin e Veturave në Dragash. Kjo ia mundësoi atij të siguronte financat gjatë kohëve kur me blegëtori nuk po i ecnin punët më së miri.

Ndërsa Emini hyn në dekadën e gjashtë të jetës së tij, ai vazhdon të çojë përpara një traditë familjare të rrënjosur thellë në kohë. Babai i tij, i cili tani është 85 vjeç, mbetet blegtor, ashtu si edhe paraardhësit e tyre.

“Kjo traditë ka qenë në familjen tonë për rreth 200 vjet”, tha Emin me krenari. Por, për herë të parë, ky zakon mund të mos i mbijetojë tranzicionit të brezave.

Vajza dhe dy djemtë e tij e ndihmuan në blegtori, që kur ishin fëmijë dhe e bëjnë edhe sot, sa herë që kanë kohë të lirë. Por asnjëri prej tyre nuk po mendon të marrë përsipër biznesin dhe përkundrazi dëshiron të përqendrohet në arsimimin e tyre. Më i riu aktualisht studion për mjekësi në Maqedoninë e Veriut. Një nga arsyet kryesore që ai kurrë nuk e kishte menduar të bëhej vetë blegtor është për shkak të paragjykimeve të lidhura me profesionin blegtor që shpesh në Kosovë dhe jo vetëm, stigmatizohen si primitivë. 

Gjatë sezonës qershor-shtator, dhentë sillen në bjeshkë për të kullotur. Foto nga droni: Denis Sllovinja

Për shumë të rinj, joshja nga jeta urbane dhe e vendeve perëndimore tejkalon çdo mundësi që mund të ketë dhe t’iu ofroj fshati.

“Ne parapëlqejmë më shumë jetë më të thjeshtë”, shpjegon Azemi, djali i madh i Eminit, i cili është duke vazhduar doktoraturën dhe ka punuar si asistent profesor në Universitetin e Prizrenit dhe në Agjencinë Statistikore të Kosovës.

Por, ky nuk është problemi i vetëm që kanë. Për blegtorët e rinj ka pengesa tjera ekzistenciale që ndikojnë që mos të merren me mbegtori. Azem Kolloni, 33 vjeç, nxjerr në pah tre çështje kyçe.

“Së pari, ky rajon është i vogël dhe popullsia po rritet, duke bërë që toka të ndahet mes vëllezërve dhe motrave çdo vit. Problemi i dytë është nevoja për shumë dokumente për të aplikuar për grante dhe donacione. Tokat nuk janë të regjistruara në emra pasardhësish të rinj për mbi 5 breza dhe për këtë arsye nuk mund të verifikohen. Kjo është një nga vështirësitë që duhet të trajtojë ministria”.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, thotë ai, është bërë shumë e vështirë të gjesh një fuqi punëtore të kualifikuar.

 

Blegtoria mbetet kërkuese

Shqetësimi më i madh në blegtori mbetet gjatë periudhës kur sezonës verore, nga qershori deri në shtator, kur dhentë zhvendosen në bjeshkë, ku ka bari me bollëk për kullosjen e tyre.

Praktika e blegtorisë sezonale është shumë kërkuese në lartësitë më të larta të Maleve të Sharrit. Në rajonet më të largëta, si zona e Gorës në jug të largët, kullotat janë shumë të largëta dhe të ngritura për udhëtime të përditshme. Rrjedhimisht, barinjtë e kalojnë të gjithë sezonin duke jetuar në male.

“Shpesh, barinjtë formojnë grupe kolektive prej dy, tre ose katër, duke bashkuar tufat e tyre së bashku dhe duke përdorur shenja dalluese për kafshët, për të identifikuar pronarin e secilës kafshë. Ata investojnë së bashku në një strehë të përkohshme, të njohur si ‘stan’ [në shqip] ose ‘baccio’ [në boshnjakisht]”, shpjegon Jimmy Balouzat. Në vitin 2017, studenti francez i atëhershëm i inxhinierisë së agronomisë kaloi disa muaj duke kryer kërkime në terren në këtë rajon, si pjesë e një projekti që synonte krijimin e një treguesi gjeografik për djathin Sharr, një kuadër ligjor për mbrojtjen e produktit të ngjashëm me atë të përdorur në Bashkimin Evropian.

Qentë janë të nevojshëm për ruajtjen e deleve. Foto: Denis Sllovinja

Nëpër gjurmët e barinjve

Pranë fushës së Opojës, përkujdesja për kopenë është më pak sfiduese. Kullotat e Emin Kollonit ndodhen në një lartësi prej rreth 1700 metra në Bjeshkën e Kukit, afër kufirit me Maqedoninë e Veriut. Nga fshati i vogël Kusavë ku ai jeton, mund të arrihet me një xhip për rreth dhjetë minuta, duke ndjekur një rrugë ngjitëse që është ende në ndërtim, me vetëm disa shtëpi anash saj.

Emin Kolloni [në të djathtë], ka rreth 400 dele dhe ka punësuar dy punëtorë – Foto: Denis Sllovinja
Kjo rrugë përfundimisht kthehet në një shteg shkëmbor, dhe pikërisht në këtë pikë kontakti me qytetërimin ndërpritet përfundimisht – një ndjesi që bëhet edhe më e fortë nëse e gjeni veten në mot me mjegull.

Përfundimisht, arritëm në pllajën ku Emini kujdeset për tufën e tij prej rreth 400 delesh, i ndihmuar nga 14 qen. Ndryshe nga shumë blegtorë të tjerë, ai nuk ka nevojë të marrë me qira tokën për kullota nga Parku Kombëtar i Sharrit, që kushton rreth 50 cent për dele, sepse toka është e komunës dhe ai e merr falas. Aty takuam dy punonjësit bari që janë punësuar për këtë vit.

Zahadin Mejzini, është një vendas 73-vjeçar, i cili është kujdesur për delet prej që e mban mend veten. Zgjohet në orën 5 të mëngjesit dhe ecën mbi dy orë për të sjellë tufën nga stanat deri në bjeshkë, ku qëndron deri në orën 19, para se të bëjë udhëtimin e kthimit për në stan, së bashku me tufën.

Asgjë nuk duket e pakapërcyeshme për këtë njeri të guximshëm: “Më ka mbajtur mali gjallë. Nuk lodhem kurrë, nuk kam qenë kurrë te mjeku dhe nuk kam marrë kurrë ilaçe”, mburret ai. Megjithatë, ai e pranon se për shkak të moshës, mendon seriozisht për pension.

Zahadin Mejzini, 73 vjeç, ka ruajtur delet gjithë jetën”. Foto: Denis Sllovinja

Punonjësi tjetër, Emri Sinamati, është një burrë 50-vjeçar nga një fshat afër Kukësit, Shqipëri. I ballafaquar me sfidat për të gjetur një punë në vendlindjen e tij, ai i kaloi tre dekadat e fundit duke u zhvendosur në vende të ndryshme ku ka kërkesa të larta për barinjtë e deleve – në mbarë Kosovën, por edhe në Greqi dhe Itali.

“Të kujdesesh për dhentë nuk është aq e vështirë, është gjithashtu një pasion. Kur gjërat shkojnë mirë në punë, je i kënaqur”, e përmbledh ai si filozofinë e tij të thjeshtë të jetës.

Emri Sinamati, nga Shqipëria, ka punuar si bari në vende të ndryshme. Foto: Denis Sllovinja

Punësimi i punëtorëve të huaj nuk është një praktikë e re, por, duke qenë se punëtorët vendas po bëhen më të paktë, blegtorët duhet të shkojnë më tej dhe më larg për t’i gjetur ata. Për këtë sezon, Azem Kolloni tregon se ka tentuar edhe të rekrutojë punëtorë nga Bangladeshi, “por ishte e pamundur. Vizat dhe transporti ishin shumë të shtrenjta.”

Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.