Ilustrim

Protesta Po Vazhdon e Qetë

Lëvizja Vetëvendosje thotë se protesta paqësore po realizohet sipas planit të saj, në mënyrë paqësore dhe në mbrojte të Republikës së Kosovës.

Sipas VV-së, protesta paqësore tashmë ka dhënë rezultatet e para të reciprocitetit në zbatim. “Deri më tani, në Merdar një kamion me targa të Shkupit me mallra italiane nuk u pengua të kalojë nga protestuesit, ndërsa tek Dheu i Bardhë është kthyer mbrapsht për në Serbi një veturë me targa “GL” nga policia, pas reagimit të protestuesve. Gjithashtu te Dheu i Bardhë protestuesit ia kanë hequr targat e Serbisë një veture që ka tentuar të kalojë dhe e kanë kthyer mbrapsht në Serbi”.

“Protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë në afërsi të të dyja pikave kufitare, Merdare dhe Dheu i Bardhë. Numri i tyre është dukshëm më i madh se i protestës së 14 janarit”, thuhet në një komunikatë shtypi, të lëshuar në orët e pasdites.

Nga ana tjetër, Policia e Kosovës thotë se qarkullimi i kamionëve me mallra po vazhdon i papenguar.
 
Sipas policisë, gjatë ditës së sotme në pikëkalimin kufitar Merdar kanë kaluar pesë kamionë me mallra të ndryshme, si dhe tre kamionë të tjerë kanë kaluar nëpër pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë.

Ndërsa, sa i përket protestës, policia thotë se ajo nuk është lajmëruar në Policinë e Kosovës, ashtu siç e parasheh Ligji mbi tubimet publike.

Ndërkohë në kalimin kufitar Vërmicë, policia ka konfirmuar se ka ndaluar për kontroll kufitar dy autobusë, të cilëve iu është ndaluar hyrja “për shkaqe të mos posedimit të dokumentacionit të nevojshëm nga ana e vozitësve”.

Sipas policisë, në këtë pikëkalim nuk ka ndaluar apo arrestuar asnjë person.

Kurse Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se rreth orës 13:30 janë mbajtur të arrestuar për gjysmë ore 6 mbështetës: Elvis Hoxha, Gentian Sala, Ermir Harulla, Marsela Hoxha, Taulant Capa dhe Boiken Abazi. Ky i fundit sapo u lirua. Kurse ndaj Taulant Capës, policia thuhet se ka ushtruar dhunë.

Kurti: Jemi bllokuar në marshin paqësor

<iframe width=”480″ height=”360″ src=”http://www.youtube.com/embed/jZ1nL5oOKu8″ frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një prononcimin për gazetarë, ka thënë se protestuesit janë bllokuar nga policia.

“Filluam me marshin tonë paqësor, por u bllokuam në dalje të qytetit të Besianës nga një kordon i policisë që kishte marrë urdhër nga Qeveria e Kosovës. Jemi bllokuar në marshin tonë paqësor”, ka thënë Kurti, transmeton KTV.

“Nuk jemi kundër Policisë, por jemi kundër Serbisë”, ka shtuar ai.

Kurti, më herët, ka paralajmëruar se protestuesit do të qëndrojnë në rrugë, “derisa ta bindim qeverinë që të vendosë masa reciprociteti me Serbinë”.

 Kthehen Prapa Veturat me Targa Serbe

Protestuesit e mbledhur afër pikës kufitare te Dheu i Bardhë, afër Kamenicës, kanë kthyer mbrapsht në Serbi, dy vetura me targa serbe, të cilat kanë provuar të hynin në Kosovë.

Vetura e parë është kthyer prapa vetë, me të hasur në turmën e protestuesve.

Kurse sikur raporton kameramani i BIRN-it, Visar Kryeziu, nga vendi i ngjarjes, një veture Opel Vectra, protestuesit ia kanë hequr me forcë targat e Serbisë, si dhe e kanë kthyer mbrapsht në Serbi.

Me këtë rast, një protestues, gjatë heqjes së targës ka shqyer dorën. Ai është marrë nga ambulanca për t’iu dhënë trajtim mjekësor.

Sipas Vetëvendosjes, pas kësaj, kanë arritur përforcime të njësisë speciale të policisë së Kosovës.
 
Ndërkohë në Merdar, një kamion me targa të Shkupit, që bartte mallra italiane, ka kaluar në përcjellje të policisë, sikurse dhe të një përfaqësuesi të Vetëvendosjes, pa u penguar nga protestuesit

Protestuesit Bllokojnë Njërën Korsi

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se protestuesit kanë bllokuar vetëm njërën korsi të rrugës, në rrugën që qon për në Merdar, ngjashëm sikurse dhe te Dheu i Bardhë.

Bllokimi i të dy korsive, në protestën e 14 janarit, kishte nxitur ndërhyrjen e policisë.

Në protestën te Dheu i Bardhë, afër Kamenicës, Ismajl Kurteshi, kryetar i Qendrës së Vetëvendosjes n[ Gjilan, ka kërkuar nga protestuesit që të ulen dhe të dëgjojnë vetëm urdhrat e kujdestarëve të protestës dhe të jenë paqësorë.
 
Kurse në Merdar, afër Podujevës, aktivisti Frashër Krasniqi u ka thënë protestuesve se me policët që mund të jenë vëllezër e familjarë të protestuesve, “do të jemi totalisht paqësorë dhe së bashku nuk duhet lënë që Serbia të kalojë”.
 
Shtohet Numri i Protestuesve

Lëvizja “Vetëvendosje” thotë se numri i protestuesve në protestën e sotme është “shumë fish” më i madh se në protestën e javës së kaluar.

“Lëvizja Vetëvendosje po e ushtron të drejtën e vet për protestë paqësore sepse protesta jonë është e arsyeshme, e drejtë dhe e dobishme. Për më tepër, protesta paqësore e demokratizon Republikën e demokracia e mbron Republikën. Kjo po dëshmohet edhe nga pjesëmarrja më masive e protestuesve në ditën e sotme”, thuhet në një komunikatë të Vetëvendosjes.

Edhe mediat raportojnë për protestë më masovike se më 14 janar. 

VV i bën thirrje policisë që mos ta bllokojë “protestën paqësore në mbrojtje të Republikës”.

“Pavarësisht thirrjeve të shumta që i kemi bërë policisë së Kosovës që të mos na bllokojnë, ata kanë ndaluar dhe kanë kontrolluar shumë qytetarë që kanë marrë rrugën për në Merdar dhe te Dheu i Bardhë”.

Ndalohen Dy Autobusë me Përkrahës nga Shqipëria

(E plotësuar) Lëvizja “Vetëvendosje” ka njoftuar se dy autobusë me mbështetës të protestës nga Shqipëria, nuk janë lejuar të kalojnë nga policia kufitare e Vërmicës, me pretekstin se vozitësit e autobusëve nuk kanë certifikatë mjekësore.

“Mbështetësit nga Republika e Shqipërisë ndodhen në zonën neutrale dhe nuk lejohen të kalojnë kufirin as në këmbë. Katër qytetarë janë mbajtur të arrestuar për gjysmë ore: Elvis Hoxha, Boiken Abazi, Gentian Sala dhe Ermir Harulla”, njofton Vetëvendosje.

Pritet Protestë më Masovike

Protestuesit, dukshëm në numër më të madh se në protestën e 14 janarit, kanë filluar marshimin.
Protestuesve iu është bashkuar edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe deputeti Florin Krasniqi, raporton Express.

Protestuesit kanë filluar të mblidhen, para orës 13, në afërsi të rrugës që shpie drejt Merdares. Ata janë grumbulluar në një vend që është 1 kilometër larg pikës së kontrollit të Policisë së Kosovës.

Përgjatë rrugës magjistrale Prishtinë-Podujevë ka shumë pika kontrollit të Policisë së Kosovës, në të cilat legjitimohen të gjithë qytetarët dhe nuk lejohet qarkullimi i tyre drejt Merdarit.

Qytetarëve u jepet nga një broshurë e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, e cila përmban rregullat të cilat duhet të respektohen gjatë protestës.

Kurti: Protesta do të jetë paqësore

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se protesta e sotme do të jetë paqësore, dhe e ka porositur policinë mos të pengojë.

Kurti, i shoqëruar nga nënkryetari Shpend Ahmeti, deputeti Florin Krasniqi, e deputetë e aktivistë të tjerë, janë nisur rreth orës 12 për në Merdar.

“Protesta do të jetë paqësore. I lus Policinë që të mos na pengojnë”, ka thënë Kurti.