Policia e Kosovës Heq Posterët Elektoralë të Sheshelit

Policia e Kosovës ka akuzuar një serb të Kosovës, militant i Partisë Radikale Serbe (SRS) në Kosovë, për nxitje të urrejtjes etnike, pasi ata i gjetën në posedim posterë të liderit radikal, i cili ndodhet duke u gjykuar në Hagë, Vojisllav Sheshel.

Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, i tha Gazetës Jeta në Kosovë, të hënën se disa billborde, që bënin propagandë zgjedhore, janë hequr nga një numër lokacionesh në zonën e Graçanicës, gjatë fundjavës.

I ndaluari, sipas mediave lokale është Dragutin Periç, kryetar i Partisë Radikale Serbe për Prishtinën. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, Policia e Kosovës tha se gjeti prova që janë paraqitur në prokurori dhe do të shërbejnë për aktakuzën.

 

“Prokurori ka autorizuar bastisje në shtëpinë e liderit të SRS-së, ku kemi gjetur materialin zgjedhor dhe konfiskuar atë, dhe bazuar në këtë, ne kemi hapur një rast për nxitje të urrejtjes kombëtare dhe etnike”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës, lidhur me këtë rast.

Periç u lirua të dielën, pasi u mor në pyetje nga Policia e Kosovës, e cila ka dërguar çështjen e tij në procedurë të rregullt, ndërsa Gjykata Komunale e Prishtinës duhet të thërrasë një seancë në javët e ardhshme.

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës janë rritur ndjeshëm gjatë javëve të fundit për një sërë çështjesh, duke përfshirë edhe planet e Serbisë për të zgjeruar zgjedhjet në ish-krahinën e saj, si dhe një sërë arrestimesh në të dy anët e kufirit.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, nuk është i habitur nga vala në rritje të arrestimeve nga ana e Policisë së Kosovës të serbëve në Kosovë, pasi siç thotë ai, kjo është pjesë e një plani më të gjerë të “ekstremistëve shqiptarë” për parandalimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

NATO-ja ka shtuar forcat e saj në Kosovë, pas shpalljes nga ana e Serbisë se do t’i mbajë zgjedhjet edhe në Kosovë. Tashmë, rreth 300 trupa shtesë janë vendosur në Kosovë, të cilat priten të dërgohen në zonat ku jetojnë serbët e Kosovës, si dhe në veriun e trazuar, ku shqiptarët janë minoritetet.

Policia e Kosovës tha se “hoqi një numër të posterëve në Llapnasellë, Graçanicë dhe Preoc”, por Gazeta Jeta në Kosovë, gjatë vizitës në dy nga këto vendbanime, pa se disa posterë elektorale ishin ende varur në vende publike.

Serbë në Llapnasellë, rreth 15 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë, me të cilët Gazeta Jeta në Kosovë bisedoi të hënën, thanë se ndjehen të kërcënuar dhe të frikësuar nga arrestimet e Policisë së Kosovës.
 
“Unë vërtet nuk e di se çfarë ata [Policia e Kosovës] duan të na tregojnë me këto arrestime! Ku qon kjo? A do arrestohemi edhe ne të tjerët, nëse shfaqemi dhe mendojmë ndryshe nga shqiptarët”, tha një zonjë në qendër të Llapnasellës, e cila nuk dëshiron të tregojë emrin e saj, kur u pyet.

“Shkoni dhe bisedoni me politikanët, çfarë ata kanë për të thënë në lidhje me vuajtjet tona”, tha një mashkull, i cili po blinte fruta në një treg të vogël të improvizuar në Graçanicë, përballë stacionit të policisë.

Në bazë të një plani operacional të Policisë së Kosovës, të hartuar për të parandaluar zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, ai udhëzon të gjitha stacionet policore të konfiskojnë çdo material zgjedhor serb që ata gjejnë në territoret e tyre, i cili iu bën thirrje serbëve të Kosovës që të shkojnë dhe të votojnë më 6 maj, kur Serbia ka caktuar mbajtjen e zgjedhjeve të saj presidenciale, parlamentare dhe lokale.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia nuk e njeh ende shtetin e ri.