Nuk do të Veprojmë Njëanshëm

Qeveria e Kosovës nuk do të veprojë njëanshëm në veriun e vendit, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Rexhepi ka thënë se problemet me barrikada në veri, janë çështje e KFOR-it.

Rexhepi pret që të dyshuarit për vrasjen e policit Enver Zymberi, më 25 korrik të këtij viti në veri, të arrestohen dhe të dorëzohen në Kosovë.

“Kjo është detyrë e Serbisë dhe Malit të Zi. Kudo që janë, pas këtyre fletarresteve të Interpolit, ata janë të obliguar t’i arrestojnë dhe t’i transferojnë në Kosovë”, ka thënë Rexhepi.

Ministri përsëriti se barrikadat vështirojnë jetën e njerëzve të zakonshëm dhe se prapa tyre qëndrojnë grupet kriminale, kontrabanduesit, si dhe politikanët radikalë të cilët nuk kanë koordinime të mira me Beogradin.

“Dihet se shumica e të ashtuquajturve kryetarë komunash janë ose nga Partia Demokratike e Serbisë (DSS) ose nga partia e Tomislav Nikolicit. Vetëm një është nga Partia Demokratike (DS) në Leposavic, ndërsa kemi njohuri se zëvendësi i tij nga Partia Radikale është më i fuqishëm se kryetari. KFOR-i dhe ne jemi përmbajtur që të mos përdorim forcën për të hequr barrikadat, ndërsa është kërkuar nga Beogradi dhe nga ata liderë që vetë t’i heqin ato”.

Sa i përket dinamikës për heqjen e barrikadave, Rexhepi tha se do të donte që kjo të zgjidhej sa më shpejtë, sepse edhe KFOR-i ka probleme me furnizimin.

“Ne ramë dakord që kjo kryesisht të bëhet nga KFOR-i, që të mos ndodhë politizimi i këtyre gjërave, sepse nëse qeveria jonë ndërmerr disa hapa, ato menjëherë interpretohen politikisht”.

Transporti i policëve dhe doganierëve të Kosovës në pikëkalimet kufitare të veriut është problem më vete, për të cilin kujdeset EULEX-i, duke paguar helikopterët për orë.

“Tani kemi hyrë në periudhën e dimrit, kur helikopterët nuk mund të lëvizin vazhdimisht, prandaj liria e lëvizjes duhet të vendoset sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë Rexhepi, duke theksuar se beson se në dimër do të hiqen shumica e barrikadave.