Një frut i vogël me fitime të mëdha: Industria e mjedrës që po lulëzon në Kosovë

Prodhimi i mjedrës në Kosovë ka shënuar rritje viteve të fundit, si rezultat i komuniteteve rurale nëpër të gjithë Kosovën të cilat po ngrisin ferma të vogla me rritje të eksportit të kësaj kulture në treg.

Jo më larg se 100 hapa larg shtëpisë së tij, një ecje e vogël nga dera e kopshtit të tij në Dramjak, fshat afër Ferizajt, Bekim Muhaxheri ka ngritur një fermë të vogël me mjedra. Ai përkujdeset për këtë gjatë gjithë vitit me qëllim që të vjel frytet e punës e angazhimit të tij përgjatë një sezoni të shkurtër njëmujor duke filluar nga mesi i qershorit deri tek mesit i korrikut.

Qyshse kishte filluar pesë vite më parë, Muhaxheri e ka shëndrruar kultivimin e mjedrës në një profesion të dytë, krahas karrierës së tij si mësues i gjuhës angleze. Këtë sezon, ai ka vjelur 2,200 kilogramë mjedra nga toka e tij prej 65 hektarësh, duke fituar gati 4,000 euro.

Në fakt, puna e dytë e Muhaxherit është bërë aq fitimprurëse saqë 49-vjeçari po mendon ta bëjë atë profesionin e tij me orar të plotë. “Nëse do të arrija të mbillja dy ose tre hektarë mjedra, unë do të braktisja punën time si mësues,” i tha ai BIRN. “Të punuarit e tokës po del të jetë më fitimprurëse.”

Kultivimi i mjedrave është rritur jashtëzakonisht shumë si industri në Kosovë viteve të fundit. Në vitin 2019, Ministria e Bujqësisë regjistroi mbi 1,637 hektarë tokë të dedikuar për prodhimin e mjedrës, me 7,206 tonë të frutave të vjelur në Kosovë. Vetëm në vitin 2018, janë kultivuar më shumë se 8,500 tonë mjedra.

Këto shifra paraqesin një rritje prej afërsisht 70 fish në prodhimin e mjedrës krahasuar me vitin 2013, kur vetëm 23 hektarë tokë ishin dedikuar për kultivimin e mjedrave, duke prodhuar 105 tonë sosh.

Bekim Muhaxheri në fermën e të mjedrave në Ferizaj.
Photo: Urim Krasniqi/BIRN

Kultivuesit e mjedrës në Ballofc, fshat afër Podujevës, i thanë BIRN se prodhimi i tyre ka si destinacion eksportin. Sabit Mulliqi, kultivues i një fermë të vogël tash e gjashtë vjet, tha se mjedrat e tij eksportohen kryesisht në Gjermani dhe Austri.

Në Ballofc, sezoni i kultivimit zgjat më shumë se në fshatin Dramjak, duke filluar në fund të muajit korrik deri në mes të tetorit. Fermerët e këtij fshati kultivojnë mjedrën ‘Polka’, e njohur si ‘lumturia e vjeshtës’ për shkak të prodhimit të vonshëm të saj.

Gjashtë vjet më parë, një pjesë e vogël e familjeve në këtë fshat e kanë shndërruar kultivimin e mjedrës në një biznes familjar. Sipas Bedri Mulliqit, një prej fermerëve të fshatit Ballofc, procesi i vjeljes nuk është i vështirë, mirëpo prej mbjelljes deri tek kultivimi i kësaj bime kërkohet një përkujdesje e madhe. 

“Mjedrat kërkojnë angazhim para se të bëhet vjelja e tyre”, tha Mulliqi. “Pas mbjelljes së fidaneve, ne pastaj i fekondojmë ato me pleh organik dhe i heqim rregullisht barërat e këqija të cilat e pengojnë rritjen e tyre.”

Mulliqi kënaqet me punën e tij e po ashtu edhe me fitimet që sjell ajo. Fermerët e këtij fshati i thanë BIRN se prodhimi i mjedrave i ka sjellur atyre rreth 140,000 euro të hyra në fshat gjatë sezonit të mjedrës vitin e kaluar.

FOTO-Antingona Isufi

“Është më mirë të kultivoj mjedra dhe të punoj në tokën time, sesa të shkoj të punoj diku për një pagë shumë më të ulët,” i tha Mulliqi BIRN. “Ne e shesim një kilogram mjedra për 1.80 euro por kjo varet nga shumëllojshmëria e mjedrës dhe nga cilësia e saj po ashtu”.

Për Muhaxherin nga fshati Dramjak, çmimet e paguara për mjedrat e tij varirojnë, duke filluar nga 2 deri në 80 cent për kilogram. “Çmimi diktohet nga pika grumbulluese,” i thotë ai BIRN. “Menjëherë pas vjeljes së tyre, ne i dërgojmë ato në pikat grumbulluese. Ne nuk e dimë çmimin; ata  na e vendosin çmimin.”

Muhaxheri i tha BIRN se beson se pika grumbulluese duhet të vendosë një çmim standard për mjedrat dhe se kjo duhet të bazohet në koston e punës së punëtorëve sezonalë. Bizneset e mjedrës në Dramjak dhe Ballofc po zgjerohen me shpejtësi dhe po sigurojnë punë edhe për të tjerë,  jashtë familjes së ngushtë.

Sipas Burim Shabanit nga Ballofci, nevojiten 12 deri në 14 punëtorë në një plantacion me 45 hektarë dhe se familja e tij shpesh punëson punëtorë sezonalë. Më 8 gusht të këtij viti, rreth 140 punëtorë mund të numëroheshin në plantacionet e fshatit Ballofc, duke vjelur 4,930 kilogramë mjedra në një ditë të vetme.

Muhaxheri thotë se ai ka marrë pak mbështetje nga institucionet e Kosovës përmes subvencioneve të prodhimit bujqësor qyshkur ai e nisi biznesin e tij duke blerë fidanë të mjedrës në Shtrpce, një rajon kryesisht i populluar me serbë,  i njohur për prodhimin e madh të mjedrave.

“I bleva këto nga disa serbë në Shtërpcë me paratë e mia,” i tha ai BIRN. “As komuna dhe as Ministria e Bujqësisë nuk më ndihmuan. Ministria më ka ndihmuar një herë, vitin e kaluar, duke më ndarë një subvencion prej 323 eurosh. ”

FOTO-Antigona Isufi

Muhaxheri shpreh pakënaqësinë e tij me shpërndarjen e subvencioneve në komunën e tij, duke deklaruar se ka shumë donacione të shpërndara në komunën e Ferizajt, dhe se ai ka ndjenjën sikur ministria po e anashkalon rajonin e tij.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, nga viti 2015  deri në 2018, subvencione me vlerë 400 euro për hektar i janë dhënë fermerëve, mirëpo në vitin 2019 ministria ndryshoi politikat e saja, duke paguar subvencione në përputhje me sasinë e frutave të dorëzuara në pikat grumbulluese. Në vitin 2019, fermerët u paguan edhe me 8 cent shtesë për kilogram, ndërsa për vitin 2020 ky subvencionim  u rrit në 12 cent për kilogram.

Muhaxheri e përkrahë ndryshimin e bërë, duke besuar se kjo është inkurajuese për punën e palodhur. “Sa më shumë kilogramë, aq më shumë subvencione, aq më mirë paguhesh dhe më shumë je i detyruar të punosh për të qenë në gjendje të fitosh një subvencion,” tha ai.

Kjo punë e vështirë është shpaguar, si në Ferizaj ashtu edhe në Podujevë, aty ku ky frut i vogël e i kuq mundëson gjenerimin e fitimit dhe punësimit në shkallë të ulët për komunitetet rurale. Ndërkohë, sipas të dhënave të siguruara për BIRN nga Dogana e Kosovës, vlera e eksporteve të mjedrave është dyfishuar në vitet e fundit, nga më pak se 2 milion eurosh në vitin 2015 në më shumë se 4.5 milion euro çdo vit, përgjatë tri viteve të fundit.

Me kushte të mira dhe punë bujqësore, duke u prekur më pak nga pandemia COVID-19, ky vit duket se do të jetë një tjetër vit fitimprurës për kultivuesit e mjedrës në Kosovë dhe një e ardhme e ndritshme akoma shihet në horizont.