Muharrem Svarqa

Gazetari Politikan

Edhe Muharrem Svarqa, kandidati i LDK-së për kreun e Ferizajt, nuk i ka në vendlindje gruan dhe fëmijët, ashtu si kandidati i LVV-së Faton Topalli. Për dallim nga Topalli që të tijtë i ka në Zvicër, Svarqa anëtarët e familjes i ka në shtetin më me ndikim të BE-së, në Gjermani.

Në vitin 1998 ai shkoi drejt këtij vendi, një veprim që ia përmirësoi edhe gjendjen ekonomike, deri atëherë të pamirë.

Kandidati i partisë më të madhe opozitare, për të cilin ata që e njohin thonë se i ka qejf librat, leximin dhe shkrimet, edhe në kurbet punoi si gazetar nga diaspora për gazetën Bota sot.

Ai që gjatë verës kur Gazeta Jeta në Kosovë shkroi për projektet komunale nëpër qytetet më të mëdha të Kosovës, për projektet e Ferizajt tha se nuk dihet a janë projekte kapitale, a vepra penale, duke përmendur tejkalimin e buxhetit të përcaktuar për to dhe vonesat në kryerje të punimeve, gjatë fushatës e ka ashpërsuar gjuhën prej opozitari.

Ai nëpër tubimet elektorale po e pëmend shpesh haraçin, të cilit sipas tij i janë nënshtruar bizneset e kësaj komune. Svarqës në Emisionin Jeta në Kosovë iu shtrua pyetja se a ekziston një dukuri e tillë dhe pse po e përmend atë.

Kandidati i LDK-së tha se kur ka përmendur haraçin, ka folur me gjuhën popullore të qytetit të tij, duke shtuar se është sekret publik që të interesuarit për tenderë duhet të paguajnë dhjetë për qind të vlerës së tij, për ta marrë atë.

Ai u vetë lavdërua se atij i duhen vetëm njëzet e katër orë në krye të qeverisjes komunale për ta çrrënjosur një dukuri të tillë.

Bashkëshortja e tij tha se Muharremin e pengon shumë korrupsioni, ndërsa shtoi se ajo me fëmijët e tij gjithmonë e kanë menduar Muharremin të ulur nëpër ulëset ku rrinë deputetët komunalë.

Duke u lidhur me fjalët antikorrupsion të gruas, Svarqa tha se nëse zgjidhet kryetar asnjë projekt komunal nuk do të mund të realizohet, pa u hequr korrupsioni. Ai përmendi zhvillimin ekonomik që do të bëjë, për t’i dhënë kuptim jetës.

Ish-arsimtari i gjuhës shqipe tha se do të shkollojë jashtë vendit studentë të Ferizajt, sidomos në Gjermani, në mënyrë që ata pastaj përvojat e tyre t’i sjellin në atdhe. Në qershor, ai akuzoi pushtetin aktual për punësim të militantëve.

“Punësimi është bërë mbi baza partiake dhe kanë punësuar në ndërmarrjet publike njerëz që madje nuk kanë as karriga ku të ulen”, deklaron në debatin Zgjedhjet Lokale 2013.

Duke thënë se lufta është kryer në vitin 1999, ai bëri thirrje që të ndërrojë imazhi i politikanit që ka probleme me drejtësinë.

“Duhet të ndryshohet imazhi i politikanit me procese gjyqësore të hapura, imazhi i politikanit që ikë jashtë vendit nga drejtësia, imazhi i politikanit që udhëheqë fushatën nga burgu”, tha ai.

Gruaja e tij u tregua politikane e zonja, kur duke folur për bashkëshortin e saj, pranë shtëpisë së re ende të pabanuar të çiftit, tha se në shtëpi të re pritet të hyjnë gjatë fushatës, në mënyrë që nëse bashkëshorti i saj zgjidhet kryetar, askush të mos thotë se shtëpinë e ndërtuan me para publike.

Svarqa beson në fitore, pasi thotë se LDK-ja kur humbi, u ndëshkua nga votuesit, ndërsa pret ndëshkim të njëjtë nga sovrani për keqqeverisjen e pushtetit aktual komunal.

Gruaja e kandidatit që vozit një Golf IV, tha se ajo është shefi, pasi mban paratë.