Mlladiqi dhe Karaxhiqi Janë Heronj për Serbët

Një anketim rreth qëndrimit ndaj Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në Ish-Jugosllavi dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës në Serbi ka treguar se rreth 50 për qind e popullatës mendojnë se Ratko Mlladiqi dhe Radovan Karaxhiqi nuk janë përgjegjës për krimet e luftës, për të cilat janë akuzuar.

Sipas pyetësorit të bërë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, dhe Qendra për të Drejtat e Njeriut në Beograd, 70 për qind e serbëve kanë qëndrim negativ ndaj Tribunalit të Hagës.

Mostra e pyetësorit përfshiu 1407 persona mbi moshën 16-vjeçare, të cilët janë pyetur në intervista të drejtpërdrejta, të bëra në shtator dhe tetor të vitit 2011.

“Ky ka qenë një ndër pyetësorët më të rëndësishëm në lidhje me drejtësinë tradicionale të bërë në të gjithë botën”, tha Ivan Ivanovic, shef i Sektorit për Krime Lufte në OSBE.

“Duke u bazuar në rezultatet, arritëm në përfundimin se njerëzit në përgjithësi kanë një qëndrim negativ mbi këto çështje, por fatkeqësisht nuk kanë informacion të mjaftueshëm mbi të cilin mund të bazojnë opinionet e tyre”, shtoi ai.

Morgijana Breding, përfaqësuese e ICTY-s, konfirmon se ekziston një mungesë e mbulimit të medias për çështjet e krimeve të luftës, dhe nëse ka, zakonisht është i anshëm. “Gazetarët zakonisht mbulojnë krimet kur i pandehuri është nga vendi i tyre. Për shembull, gjatë gjyqit të Gotovinës nuk kishte asnjë gazetar nga Serbia prezent”.

Dusan Ignjatoviq, drejtor i Zyrës së Qeverisë Serbe për Bashkëpunim me ICTY-n, tha se pyetësori tregon se publiku serb nuk po i ndjek gjyqet e ICTY-s mjaftueshëm, por kanë një opinion shumë të fortë negativ ndaj punës së Tribunalit.

“Është më e lehtë të besosh se ICTY është një gjykatë antiserbe, sesa që serbët kryen disa krime serioze gjatë konflikteve të viteve 90-të”, tha Ignatoviq.

Sipas pyetësorit, 40 për qind e serbëve besojnë se kroatët mbajnë përgjegjësinë më të madhe për konfliktet, duke vijuar me shqiptarët rreth 17 për qind, ndërsa në radhë të tretë janë boshnjakët, me 10 për qind.

Bruno Vekaric, nënprokurori serb për Krimet e Luftës, tha se problemi qëndron në faktin se ndjekja penale e krimeve të luftës është shpesh e politizuar.