Mësuesja Rrihet Deri në Alivanosje

Një mësuese në Malishevë është rrahur deri në alivanosje, para nxënësve të saj. Ajo kishte nxitur hidhërimin e babait të një nxënëseje, të cilën e kishte përjashtuar nga ora e mësimit, pse e kishte harruar librin në shtëpi dhe po bënte probleme.

Rasti ka ndodhur në shkollën fillore “Emin Duraku” në Dragobil të Malishevës. Gjatë orës mësimore, babai i nxënëses Nurije Paçarizi, Avdi Paçarizi, e ka sulmuar fizikisht mësuesen Lubrina Hoxha, duke e goditur me grushte, deri sa mësuesja është alivanosur para nxënëseve.

Dëshmitarët tregojnë se Nurija nuk e ka pasur me vete librin e historisë dhe ka shkaktuar probleme në klasë. Kjo ka bërë që mësuesja, duke e kapur për veshi, ta largojë vajzën nga mësimi. Ajo, pasi që ka dalë jashtë, e ka lajmëruar me telefon babain e saj.

Avdi Paçarizi ka hyrë në klasë dhe para të gjithë nxënëseve ka filluar ta fyejë mësuesen dhe më pas ka filluar ta godasë.

Pasi që është arrestuar nga policët e stacionit në Malishevë, prokuroria komunale në Prizren, përkatësisht prokuroja Elfete Purova, ka bërë kërkesë për caktimin e masës “paraqitje në stacionin policor”, masa më e lehtë e mundshme që ka mundur të caktohej në këtë rast.

Seanca e dëgjimit dhe caktimit të kësaj mase është mbajtur këtë të enjte në Gjykatën Komunale në Malishevës, nga gjykatësi Haki Kryeziu.

Gjatë seancës, i pandehuri ka deklaruar se e ka goditur mësuesen, sepse ka qenë në afekt, kur vajza e tij, që sipas tij është e sëmurë, e ka lajmëruar se mësuesja e ka larguar nga ora.

Paçarizi do të përgjigjet për veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.