Mësimi i Çapullxhinjve të Stambollit

Ballkani gjithmonë ka notuar nëpër një dikotomi drejtuar turqve duke mos qenë i sigurt se a i do apo i urren ata. Duke filluar nga prezenca e Perandorisë Osmane në Ballkan e deri tek filmat turk të viteve 80-ta, ballkanasit gjithmonë kanë pasur një lloj paragjykimi drejt turqve, por në të njëjtën kohë kanë pranuar se janë populli me të cilin edhe ndajnë shumë gjëra. Ky imazh i gabuar për turqit në Ballkan e edhe në botë ka filluar të thyhet vrullshëm me protestat e fundit nëpër Stamboll.

“E tërë bota po e sheh se nuk jemi njerëz që mbajmë fes në kokë dhe i hipim deveve” – ishte cicërima në Twitter e Hakan Demirit, një protestues i zëshëm që poston lajme lidhur me protestat përderisa mediet turke transmetojnë dokumentarë për pinguinë falë censurës shtetërore.

Janë bërë gati një muaj prej se Turqia i vërshoi mediet botërore me protestat e pashtershme rreth planeve qeveritare për shndërrimin e Parkut Gezi në një qendër tregtare. Çka filloi si një ndeshje midis ambientalistëve dhe zyrtarëve komunalë sot është kthyer në betejë të hapur për të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes dhe për luftën kundër censurës të vazhdueshme, kundër politikave neoliberale, mos-llogaridhënies dhe ndërhyrjes në stilin e jetës – elemente që po i zbehin ngjyrat demokratike të Turqisë.

Ajo çka dukej si apati totale e rinisë turke me zhvillimet politike në vend, po del se ka qenë qetësi ndaj shtresimit të mllefit dhe dëshpërimit me pushtetin e Kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan, i cili përkundër zhvillimit ekonomik të shtetit, kohëve të fundit haptazi kishte filluar të ndërhynte në jetët e njerëzve. Akti i fundit me ndalimin e shërbimit të alkoolit në orët e vonshme të natës ishte edhe një shembull tjetër që ilustronte tendencat e Erdoganit për të imponuar një stil të ri të jetesës tek klasat më progresive turke.

Me një ton jashtëzakonisht arrogant dhe ngucakeq, ai i etiketoi protestuesit si grupe margjinale dhe urdhëroi policinë të ushtrojë dhunë për t’i shukatur zërat që ia sfidonin lidershipin. Protestuesit i quajti  çapullxhinjë, që në turqisht ka kuptimin e plaçkitësve. Ky term ishte themeli i një rezistence tejet intelektuale dhe sarkastike, qoftë në rrugë e qoftë në Twitter e Facebook, që e transformoi edhe vetë fjalën çapullxhinjë prej plaçkitësit tek “dikush që lufton për të drejtat e veta”.

Policia ushtroi dhunë joproporcionale ndaj protestuesve për të shpërndarë turmat, ndërsa ata u kundërpërgjigjën me, siç e quajnë, intelegjencë joproporcionale. Pankarta të shumta me humor tejet thumbues kundër pushtetit filluan të vërshojnë sheshet e qyteteve në Turqi. Kreativiteti i protestave arriti kulminacionin kur koreografi i quajtur Erdem Gunduz zgjodhi një formë tjetër të protestës dhe vendosi të qëndrojë në këmbë në sheshin Taksim të Stambollit përballë Shtëpisë së Kulturës Ataturk. Kështu filloi fushata e “njeriut që rri” e cila morri hov në të gjithë Turqinë.

Progresivët, fetarët, femrat me shami, anëtarë të grupeve LGBT, artistët, avokatët e edhe turistët iu bashkëngjitën protestës së “njeriut që rri” duke dërguar një mesazh të fortë në botë se protestat nuk kanë të bëjnë me ndeshjen midis islamit dhe sekularizmit, por kanë të bëjnë direkt me liritë dhe të drejtat që popullatës turke, që po cenohen nga pushteti arrogant me tendenca totalitare i Erdoganit në emër të islamizimit të Turqisë.

Turqit sot kanë nevojë për përkrahjen e gjithë botës në betejën e tyre për barazi dhe demokraci. Bota duhet t’u bashkëngjitet çapullxhinjëve për t’ia bërë me dije Erdoganit se ai ka përgjegjësi edhe për popullatën që nuk është pjesë e elektoratit të tij. Po jetojmë në shekullin ku identitet kombëtare e edhe fetare nuk janë më shtyllat që na definojnë si njerëz. Janë idetë dhe parimet për liri, barazi, bashkëjetesë dhe prosperitet ato cilat e përkufizojnë njeriun e shekullit 21. Shembulli më i mirë i kësaj janë protestat në përkrahje të Stambollit që vijnë nga sheshet e Athinës, vend ky që ka një histori të hidhur me Turqinë.

Edhe ne shqiptarët, si një popull që kemi kaluar nëpër terrorin dhe dhunën e Serbisë, e kujtojmë shumë mirë se sa dhemb jobarazia dhe diskriminimi. Andaj, duhet të japim përkrahjen tonë për betejën që po zhvillohet në Turqi për një shtet modern, ku çdo fraksion i popullit turk shijon lirinë e vetë, qoftë kolektive apo individuale.

“Pirësit e çajit” dhe “vajzat me tentene” sot nënçmohen si plaçkitës nga vetë kryeministri i tyre. Mirëpo, vendosmëria dhe qytetaria aktive që po tregojnë këta protestues, janë shembull për tërë Ballkanin se si nuk duhet ulur kokën para padrejtësive dhe si duhet rezistuar ata që politikën e shohin si privilegj e jo si shërbim! E Kosova ka shumë të tillë!