Takimi në Shtëpinë e Bardhë, Kosova nuk duhet të pranojë një marrëveshje të keqe

Takimi i të premtes në Shtëpinë e Bardhë duket se do të jetë kulminacioni i përpjekjeve fatale të diplomacisë së Richard Grenell, dhe Kosova duhet t’i rezistojë presionit të SHBA duke mos pranuar arritjen një marrëveshjeje të pakuptimtë dhe të ngutshme.

Thuhet shpesh se më mirë është të mos bëhet një marrëveshje sesa të bëhet një marrëveshje e keqe dhe duket se një gjë e tillë mund të jetë pjesë e lojës gjatë samitit të kësaj jave Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë.

Të gjitha indikacionet shkojnë në drejtim të asaj se Administrata Trump është në kërkim të një marrëveshjeje – çfarëdo marrëveshje – për të justifikuar pohimet e të dërguarit special të SHBA-së. Richard Grenell, dhe për të konfirmuar të gjitha piskamat e tij për të arritur diçka pikërisht në kohë për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Grenell i ka bërë rrëmujë marrëdhëniet Kosovë-Serbi qysh nga fillimi, gjë që nuk është për t’u habitur marrë parasysh faktin se ai ishte i papërvojë apo nuk kishte njohuri në raport me dinamikën ballkanase.

Gabimi i tij më i dukshëm ka qenë përjashtimi i Bashkimit Evropian nga ky proces. Nuk ekzistojnë dy shtete tjera që kanë një lidhje më të madhe me Kosovën sesa Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, dhe Grenell i kishte të gjitha mundësitë për të qenë një i dërguar i suksesshëm duke përdorur pozicionin e tij si ambasador i SHBA në Gjermani për të ndikuar në arritjen e një rezultati pozitiv për Kosovën. Në vend të kësaj, kemi humbur shansin për të punuar së bashku.

Nuk mund të këtë ndonjë zgjidhje afatgjate për problemet Kosovë-Serbi pa përfshirjen e qëndrushme të Bashkimit Evropian dhe – në veçanti – pa Gjermaninë. Pa përfshirjen e evropianëve, çfarëdo njoftimi nga Administrata e Trump këtë javë do të jetë diskutabile. 

Nuk është e mundur të futemi në kompleksitetet e diplomacisë në rajon pa një modul të mirëkuptimit të historisë, por kjo është saktësisht ajo që ka bërë Grenell. Duke qenë i mërzitur gjatë asaj kohe si ambasador i një prej vendeve aleate nga më të rëndësishmet për  Shtetet e Bashkuara, ai vendosi të merrte rolin e kryenegociatorit për një nga çështjet më komplekse diplomatike të botës.

Qyshkur e ka marrë këtë rol, Grenell ka treguar më shumë interes për vetafirmim nëpër studio televizive për ta siguruar audiencën se sa i zgjuar është ai dhe sa i suksesshëm është me paraqitjet e tij në mediat sociale sesa në ndërtimin e besimit në Kosovë dhe Serbi.

Grenell madje nuk pretendon të kuptojë implikimet historike të konfliktit Kosovë-Serbi. Marrëveshjet që ai i ka lehtësuar deri më tani shkojnë tërësisht në dobi të qëllimeve ekonomike dhe strategjike të Serbisë, siç është rivendosja e fluturimit të kompanisë “Lufthansa” në relacionin Beograd – Prishtinë. Këto marrëveshje janë bërë më shumë për hir të kryetitujve mediatikë  e jo për shkak të rezultatit të tyre.

Sidoqoftë, përveç paaftësisë së Grenellit, Kosova gjithashtu duhet të brengoset për sjelljen e Administratës Trump ndaj aleatit të saj krahasuar me sjelljen e tyre ndaj Serbisë. Deri më tani, kjo administratë vazhdimisht ka luajtur me Kosovën, ndërsa ka qenë pajtuese me Serbinë.

Si shembull mund të merret presioni i madh mbi Kosovën për të hequr tarifat e saj për mallrat serbe ndërkohë që e njëjta zgjedh të mos zbatojë sanksione të detyrueshme kundër Serbisë përmes Aktit të Kundërvënies së Kundërshtarëve të Amerikës përmes vendosjes së sanksioneve. Kjo Administratë madje ka zgjedhur të shkelë ligjin e SHBA në mënyrë që ta qetësojë Serbinë dhe t’i mbajë këto dy vende në tavolinën e bisedimeve.

Gabimi i madh i Kosovës mund të jetë besimi i saj te kjo administratë që të ketë synimet më të mira për Kosovën kur ka dëshmuar kohë pas kohe se kjo mund të mos ndodhë tani. Kosova duhet të jetë e gatshme ta kundërshtojë Uashingtonin në mënyrë që ta  arrijë një marrëveshje që e meriton.

Si mund t’i kthejë Kosova bisedimet në favor të saj? Së pari duke zgjedhur bashkëbiseduesin i cili do ta ketë interesin e saj më të mirë si qëllim kryesor në secilat negociata.

Për Shtetet e Bashkuara, unë besoj pjesë e takimeve duhet të jetë Matthew Palmer, i cili tashmë do të kishte qenë duke i strukturuar parametrat e samitit Kosovë-Serbi qysh nga fillimi, me t’u emëruar si Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor. Palmer, ndryshe nga Grenell, ka të gjitha cilësitë për ta lehtësuar një rezultat të suksesshëm për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi.

Për më tepër, Kosova duhet të gjejë aleatë në Kongres dhe në komunitetin e biznesit amerikan të cilët janë kampionë për marrëdhënien e veçantë që kemi. Kosova nuk duhet të investojë në lobistët e huaj e të dyshuar vetëm për shkak të lidhjeve të tyre te njohura me Presidentin Trump. Kjo është e paqëndrueshme dhe rrezikon të tjetërsojë mbështetjen aty ku ka shumë rëndësi – Kongresi.

Është thelbësore që Kosova të kërkojë dhe të punësojë lobistë dhe këshilltarë që do të kenë ndikimin më të madh për periudha  afatgjata. Më e rëndësishmja, Kosova nuk duhet të mashtrohet me ndonjë premtim të paqartë të shpërblimit financiar në këmbim të arritjes së ndonjë marrëveshjeje me Serbinë.

Mos harroni, Kongresi, jo Shtëpia e Bardhë, kontrollon thesarin amerikan dhe çdo premtim për ndihmë financiare duhet të garantohet nga udhëheqja në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin e SHBA.

Kosova gjithashtu duhet të përdorë thirrjen e saj për të punuar me mediat amerikane dhe me individë që kanë ndikim, madje edhe me ato media të krahut të djathtë të cilat, si duket, tashmë janë ndikuar nga Serbia. Vetëm javën e kaluar Tucker Carlson nga  Fox News la të kuptohej se Kosova është një shtet i dështuar i cili duket ngjashëm me trazirat aktuale që po ndodhin në Amerikë.

Ky pohim i pabazë i Carlson dëshmon së Serbia ka investuar në burime të rëndësishme për ta krijuar pikëpamjen se Kosova duket si një “shtet i dështuar” madje edhe atëherë kur bëhet gjithnjë e më agresive në veprimet e saj anti-demokratike nën Presidentin Vuçiq.

Takimi i ditës së premte do të gjenerojë shumë interes, por vlera e çdo ‘marrëveshje’ mund të jetë më e vogël se copa e letrës në të cilën është shkruar ajo. Mos bini në kurthin e një marrëveshjeje vetëm për hir të një marrëveshjeje. Mund të rrezikoni shumë.

Këshilla ime është e thjeshtë: mbështetuni në miqësinë e bazuar në mirëbesim të një bashkëbiseduesi që e kupton dinamikën Kosovë-Serbi, inkurajoni përfshirjen e Bashkimit Evropian në çdo marrëveshje përfundimtare sepse pa kontributin e tyre javët tjera në të ardhmen nuk do të kenë rëndësi, gjeni aleatë në Kongres dhe lobistë që i bashkëndajnë qëllimet tuaja afatgjata, lidhuni me popullin amerikan përmes sportit, argëtimit dhe mediave dhe mos u mbështetni në Shtetet e Bashkuara për shkak të historisë sonë të kaluar.

Kosova nuk duhet të nxitojë drejt një marrëveshjeje që mund të jetë e pakuptimtë, dhe njëkohësisht duhet ta kuptojë se duke qenë e durueshme Kosova i ka të gjitha përparësitë në anën e saj. Tani më shumë se kurrë Kosova duhet të ngrihet për veten e saj si një komb i pavarur, me imazhin e saj nga jashtë ashtu siç është, madje edhe nëse kjo gjë e njollosë modelin e madh të administratës aktuale të Shteteve të Bashkuara.

Kosova nuk duhet të përdoret si një propozim fushate e cila i arsyeton negociatat e ndërtuara në keqbesim nga i Dërguari Special, Grenell. Kosova meriton më shumë sesa të desovranizohet për shkak se zgjedhjet amerikane po afrohen, në veçanti, marrë parasysh faktin se njerëzit të cilët po negociojnë aktualisht do të mund të mos jenë në pushtet brenda vetëm pesë muajve. Në Uashington javën e ardhshme Kosova ka mundësinë që të përcaktojë të ardhmen që meriton, delegacioni i saj nuk duhet të pranojë diçka më pak se kjo.

 

Jason Frederick Emert është avokat, strateg republikan, këshilltar për punë të jashtme dhe profesor asistent i së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Është themelues i Emert Group, një kompani globale për çështje publike, ndërsa më herët ka shërbyer në cilësinë e kryetarit të Federatës Kombëtare të të Rinjve Republikanë (2017-2019) si dhe Unionit Ndërkombëtar të Demokratëve të Rinj (2014-2016).

Mendimet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdo pikëpamjet e BIRN.