Sfidat e banimit social në Kosovë

E drejta për banim është e drejtë themelore e njeriut e mbrojtur nga shumë konventa ndërkombëtare. Edhe Kosova e njeh këtë të drejtë dhe për këtë qëllim janë nxjerr ligje dhe akte tjera nënligjore. Ligji i fundit lidhur me banimin social i miratuar para 10 vitesh i autorizon komunat e Kosovës që ti ndihmojnë familjet që kanë nevojë për banim të përkohshëm e që vet nuk kanë mundësi financiare që ta përballojnë tregun e banimit. Këto familje mund të jenë familjet në gjendje të rëndë socio-ekonomike, gratë vetë ushqyese, viktimat e dhunës në familje por pse jo edhe çiftet e sapomartuara. Në këtë kohë pandemie, ndihma për banim social është mesa e nevojshme se kurrë për shumë familje të Kosovës, sidomos ato që vet nuk mund të paguajnë qiranë e banimit.

Ka organizata bamirëse që ju ndihmojnë familjeve të varfra duke ju ndërtuar shtëpi siç janë shoqata “Nëna Tereze” apo organizata “Jetimët e Ballkanit”. Këto organizata ndihmojnë familje në nevojë për kulm mbi kokë, por shtrohet pyetja, ku gjenden institucionet e Kosovës në ofrimin e banimit?

Edhe pse ka përmirësim në këtë drejtim viteve të fundit, komunat ende përballen me telashe për të trajtuar si duhet banimin social e si pasojë shumë familje në nevojë për kulm mbi kokë po mbesin pa u ndihmuar.

Sipas një hulumtimi të bërë nga organizata Developing Together më 2019 me përkrahje të Friedrich Ebert Stiftung lidhur me Banimin Social në Kosovë, del se janë dy parakushte të cilat po shkaktojnë probleme serioze në trajtimin adekuat të Banimit Social.

E para është se shumicës së komunave në Kosovë ju mungon staf adekuat dhe i dedikuar për Banim Social dhe e dyta komunat nuk planifikojnë buxhet vjetor të specifikuar për Banim Social. Buxhetin për banim social komunat zakonisht e marrin nga linja buxhetore për subvencione e që shpesh ju krijon kokëçarje për shkak të kritikave të auditorëve.

Me një fjalë, si shumë punë tjera në Kosovë edhe Banimi Social nuk trajtohet si i planifikuar por në mënyrë aty për aty (Ad Hoc).  Në anën tjetër, përfshirja e qytetarëve lidhur me këtë temë është shumë e vogël dhe këtu OJQ-të mund të luajnë një rol shumë të madh. Fitohet një përshtypje se komunat e “keqpërdorin” faktin se familjet nuk kërkojnë ndihmë për banim social sepse nuk i njohin të drejtat e tyre që u takojnë me ligjet e Kosovës.

Po këtu duhet pasur kujdes se jo çdo familje e pastrehë ka të drejtë për banim social por ekzistojnë kategori dhe kritere të caktuara mjaft mirë në ligj. Kategoritë për familjet për të aplikuar për banim social janë: nuk kanë banesë apo shtëpi në pronësi individuale , kanë mbetur pa banesë-shtëpi, si rezultat i dëmtimit të shtëpive gjatë luftës së fundit në Kosovë apo posedojnë sipërfaqe banimi nën normat e banimit. Ndërsa kriteret janë:  statusi i banimit, lartësia e të ardhurave, gjendja shëndetësore, invaliditeti dhe  struktura e familjes. Po ashtu është shumë me rëndësi të ceket se ndihma të cilën mund ta japin komunat për banim social është ndihmë e përkohshme, deri sa familjet vet ta zgjidhin problemin e tyre të banimit.

 

Sa i përket mënyrës se ndihmës për familjet që kanë nevojë për Banim Social, komunat më së shpeshti i përdorin dy forma të ndihmës. E para është përmes vendosjes së familjeve në ndërtesa të banimit social (të ashtuquajturat banesa sociale) dhe e dyta është përmes pagesë së një pjesë të qirasë në vendet ku këto familje qëndrojnë (Bonus Banimi).

Disa komuna siç janë Prizreni, Suhareka, Gjakova e Drenasi kanë filluar procedurat për të ndihmuar familjet me Bonus Banim. Të dy këto forma të ndihmë janë të lejuara me ligj, edhe pse askush nuk i ndalon komunat që të jenë më kreativë dhe të gjejnë forma tjera për të ndihmuar familjet në nevojë për banim të përkohshëm.

Komuna e Prishtinës si kryeqytet i Kosovës dhe me numrin më të madh të banorëve duhet të jetë prijës dhe model në shumë fusha, përfshi edhe banimin social. Para rreth tre vitesh Prishtina e ka përfunduar një proces të përzgjedhjes së 50 familjeve për Banim Social të cilat janë vendosur në banesat sociale në Hajvali.

Për këto 50 banesa patën konkurruar rreth 360 familje. Procesi i përzgjedhjes ka qenë transparent dhe korrekt por mbi 300 familje kanë mbetur të pa ndihmuara dhe nuk dihet çka ka ndodhur me këto familje. Është shqetësuese se Komuna e Prishtinës është njëra ndër komunat e cila ende nuk e ka miratuar programin trevjeçar për banim, i cili kërkohet me ligj, edhe pse këtë program e ka të draftuar tash e tre vite.

Të gjitha komunat e Kosovës e në veçanti komuna e Prishtinës duhet që problemin e banimit ta trajtojnë shumë më gjerë se vetëm në kuptimin e banimit social.

Pothuaj të gjitha qytetet Evropiane kanë në pronësi të vet një numër të madh të banesave. Në këtë mënyrë ju ndihmojnë familjeve në nevojë për banim duke i shpërndarë në tërë qytetin e që është një zgjidhje shumë më e mirë se përmes banesave sociale apo Bonus Banimit. Në këtë drejtim prin Holanda që është shteti me më së shumti banesa në pronësi shtetërore me rreth 30%.

Edhe në Kosovë komunat duhet të fillojnë urgjentisht që të krijojnë stoqe të banimit. Pothuaj në çdo lagje të Prishtinës vërehen vinça e skele duke ndërtuar banesa kolektive. Numri i saktë i këtyre ndërtimeve nuk dihet, por në komunikim me shumë kompani ndërtimore fitohet përshtypja se mund të jenë me dhjetëra mijëra banesa të pa shitura. Në këtë shkrim nuk do të flitet për katrahurën urbane që këto ndërtime po i shkaktojnë Prishtinës!

Komunat e Kosovës me në krye me Prishtinën duhet që seriozisht të mendojnë që të krijojnë fond të banesave. Pra, brenda disa viteve të kenë një numër të caktuar të banesave në pronësi komunale të shpërndara në tërë qytetin të cilat do të mund të përdoreshin për banim social për familje të varfra, për çifte të reja, për viktima të dhunës në familje apo për viktima të fatkeqësive natyrore. Kjo duhet të bëhet së bashku me nivelin qendror, pikë së pari duke përmirësuar bazën ligjore. Duhet të mundësohet që komunat të marrin banesa në pronësi të vet në vend të taksave. Është shumë me rëndësi që të ruhet prona komunale dhe banesat në pronësi  komunale të mos shiten apo falen por të vazhdojnë të mbeten pronë e komunës.

Autori është drejtor i OJQ Developing Together