Reagim i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës

Pa dashur të ndërhyjmë në politikën redaktuese të portalit “Gazeta Jeta në Kosovë”, menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës nuk e konsideron adekuate qasjen që çështjet akademike të trajtohen në media duke i ndërlidhur ato me pjesëmarrjen e kandidatëve në jetën politike, qoftë tani ose në të kaluarën. Shkrimi për rastin e profesorit Et’hem Çeku është, pikërisht, shembull i tillë, përmes të cilit mund të krijohet në opinion përshtypja e gabuar se menaxhmenti i Universitetit po e shfrytëzon konkursin për staf akademik për të përçuar mesazhe joakademike në publik të cilat nuk lidhen me qëllimin.

Për më tepër, apostrofimi i emrit të prorektores, si kryesuese e Komisionit për Studime,  në kontekstin e analizës së punës akademike të një kandidati, krijon përshtypje të gabuar për qëndrimin e menaxhmentit ndaj përmbajtjes së këtij shkrimi.

Besojmë se nga paraqitjet e deritanishme, si dhe nga debati televiziv i organizuar nga emisioni“Jeta në Kosovë”, opinioni publik e ka kuptuar se menaxhmenti i Universitetit asnjëherë nuk ka lakuar emra të përveçëm, por ka adresuar dukurinë e respektimit të ktitereve për avancime. Për më tepër, vetë rektori ka shprehur keqardhje publike për emrat që janë lakuar në raportimet e medias nga mbledhja e Senatit, sepse kështu personalizohen pa nevojë dhe pa bazë diskutimet që janë normale në botën akademike.

Sipas rregulloreve të Universitetin, mbledhjet e Senatit janë të hapura për media dhe kjo duhet të mbetet ashtu, pasi kemi të bëjmë me një institucion publik që mbahet nga paratë e taksapaguesve, të cilëve ua ka borxh transparencën. Megjithatë, apelojmë tek mediat të kenë parasysh se formimi akademik i një personi nuk varet vetëm nga numri i publikimeve, por edhe shumë faktorë të tjerë. Nga ky këndvështrim, insistimi i menaxhmentit të Universitetit për respektimin e kritereve të Statutit të UP për avancime, nuk duhet të kuptohet si  mungesë konsiderate ndaj punës pedagogjike dhe shkencore që kanë bërë njerëzit, por si mjet për të nxitur punën kërkimore-shkencore dhe për të përmirësuar cilësinë e kësaj veprimtarie në Universitet.


Sqarimin e Gazetës Jeta në Kosovë mund ta gjeni në këtë link. http://gazetajnk.com/?cid=1,984,10005