Ilustrimi: Jetë Dobranja për Kallxo.com

Pikëpamjet “shkencore” mbi ngacmimin seksual në Kosovë (dhe, pse kjo ka rëndësi)

Marrë parasysh historinë bashkëkohore të sistemit të arsimit të lartë të Kosovës, mbase nuk është për t’u habitur që një punim me bashkëautor një profesor universitar pretendon se një nga shkaqet kryesore të ngacmimit seksual janë veshja provokuese e grave, mirëpo, gjithsesi, ky konstatim mbetet plotësisht i papranueshëm.

Fjalia hyrëse e këtij punimi të vitit 2015, i titulluar “Fenomeni i ngacmimit seksual në vendin e punës në Republikën e Kosovës”, thotë se “ngacmimi seksual në vendin e punës është ndër fenomenet më të vjetra të shoqërisë, që nga kohërat antike e deri më sot”.

Ky pohim ‘shkencor’ nga Ferdi Kamberi dhe Besim Gollopeni zgjon kureshtjen nëse ngacmimi seksual i grave në vendin e punës është një traditë që shkon prapa deri në epokën e Ilirisë së Lashtë.

Punimi në autorësi të Kamberit dhe Gollopenit është shkruar dobët, me një anglishte të varfër dhe me fjali të pakuptimta. Sa për ilustrim, autorët pohojnë se: “Revolucioni seksual i viteve 70 të shekullit të kaluar, bëri që ky fenomen të zgjerohet për shkak të faktit në emër të lirisë seksuale ata bënë që shumë gjëra të imponoheshin duke filluar nga ngacmimet në rrugë deri në kushtëzimin për të ofruar kënaqësi seksuale në këmbim të favoreve të tjera,  një vend pune apo ngritje në detyrë, para dhe forma të tjera.” (fatmirësia e gjuhës shqipe që tingëllon më mirë se në versionin origjinal në anglisht)

Metodologjia e punimit është pothuajse po aq e çuditshme sa edhe vetë gjuha e saj. Punimi bazohet në intervistat e bëra nga autorët me 47 të anketuar që punojnë në sektorin privat dhe atë publik.

Intervista përfshinte pyetjen nëse ngacmimet seksuale ishin më të pranishme në sektorin publik ose privat, me respondentë (të anketuar) të cilët tregonin arbitrarisht se ata besojnë se ngacmimi seksual është më i pranishëm në sektorin privat. Është e paqartë se çfarë vlere empirike kanë të dhënat e krijuara nga pyetje të tilla të përgjithshme.

Në një segment ku përshkruhen përfundimet dhe rekomandimet, dhe i cili nuk është etiketuar qartësisht si përgjigje nga pjesëmarrësit, autorët shkruajnë se një shkak i cili çon në ngacmim seksual janë “punonjëset femra që nuk respektojnë kodin e veshjes në vendin e punës”. Ata më tej shpjegojnë që gratë veshin “fustane ahengjesh” në vendin e tyre të punës dhe duken “shumë provokuese”.

Konkluzionet tjera thonë se ngacmimi seksual është shkaktuar nga përdorimi i makiazhit, dhe se burrat shpesh ngacmohen seksualisht nga gratë kur një punonjëse femër “ka probleme me bashkëshortin apo është beqare”.

Ashtu siç pritej, punimi u botua në një revistë me botues të dyshimtë (predatory publishing), një formë bashkëkohore e mashtrimit akademik në të cilën autorët ose mashtrohen, ose me vetëdëshirë, botojnë në revista me cilësi më të dobët të cilat ofrojnë botim të shpejtë të punimeve, shpesh në mungesë të vlerësimit profesional akademik apo pa ndonjë proces redaktimi.

Këto revista janë përplot me artikuj me cilësi të dobët, shpesh të mbushur me gabime gramatikore, drejtshkrimore dhe përkthimi, dhe madje shpesh janë të prirura për plagjiaturë – të meta që nuk do të pranoheshin kurrë në botime kredibile shkencore.

Ajo që është më shqetësuese është se autori i dytë i këtij punimi, Gollopeni, është profesor në Universitetin ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë, një universitet publik, dhe punimi është i listuar në CV-në e tij.

Publikimi i punimeve shkencore është një nga kërkesat kryesore për avancime akademike në universitetet publike në Kosovë, dhe punime të tilla janë në gjendje ta kalojnë inspektimin sepse universitetet tona nuk i vlerësojnë punimet shkencore të profesorëve në aspektin e cilësisë, por i shohin vetëm nëse ekzistojnë dhe janë botuar në revistat e pranuara nga rregulloret e tyre për avancim. 

Përveç pranimit të teksteve me cilësi të dobët nga stafi, pikëpamjet arkaike mbi ngacmimet seksuale kanë qenë gjithashtu të përhapura qartazi në institucionet e arsimit të lartë të Kosovës gjatë dekadës së fundit.

Për vite me radhë, aktivistët kanë vënë në pah paragjykimet seksiste dhe mizogjiniste të përfshira në literaturën shkencore në Kosovë. Në vitin 2014, studentët e drejtësisë zbuluan se një libër mbi Kriminalistikën, fajësonte viktimat e përdhunimit për krimin.

Ndërkohë, disa profesorë në universitetet publike janë ekspozuar si ngacmues seksual në vitet e fundit, me pak ose aspak ndikim në karrierën e tyre. Një lëvizje e re kundër ngacmimit seksual në Universitetin e Prishtinës filloi në vitin 2018 kur një prorektore fajësoi studentet për ngacmim seksual për shkak të “veshjeve të tyre provokuese”.

Disa protesta të bëra më vonë, prorektorja u shkarkua, ndërkohë Universiteti i Prishtinës u zotua të përpilojë një rregullore kundër ngacmimit seksual dhe të adresojë siç duhet rastet e ngacmimeve seksuale aktuale dhe ato në të ardhmen në universitet. Një rregullore u hartua me ndihmën e aktivistëve të shoqërisë civile, studentëve dhe aktivistëve të të drejtave të grave, por deri më tani, dy vjet më pas, kjo rregullore mbetet e pa aprovuar dhe në sirtar.

Në këtë kontekst, përmbajtja e punimit të botuar nga një profesor i një universiteti të Kosovës mbase nuk është për t’u befasuar, por që një artikull i tillë të mbetet i pavërejtur nga institucionet tona publike është ende plotësisht i papranueshëm.

 

Adea Kondirolli është menaxhere e projekteve dhe hulumtuese në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA. Ajo ka studiuar MSc Metodat Kërkimore në Psikologji në Universitetin e Surrey (2019-2020).

Opinionet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.