Lehtësia e padurueshme e vjedhjes së pasurisë publike

Vjedhja e dy milionë eurove nuk është rast i izoluar, por një praktikë e rrënjosur nëpër institucionet publike tash e dy dekada që u shoqërua me pandëshkueshmëri.

Të enjten e javës së kaluar e kisha një déjà vu. Lajmet senzacionale për vjedhjen e më shumë se dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit dhe vjedhja e kasafortës 300-kilogramëshe në zyret e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë ishin shokuese por, në anën tjetër, lajme të tilla nuk janë krejtësisht të reja në Kosovë.

Më 10 shkurt të vitit 2000, mediat shkruanin se tre persona të panjohur kishin arritur që të vidhnin kasafortën e “Dardania Bank”, në të cilën fillimisht besohej se ishin 400,000 deri 600,000 marka gjermane. Por, në prill të vitit 2000, “Koha Ditore” shkruante se ishin vjedhur dy milionë marka. “Dardania Bank” ishte institucion bankar i themeluar nga kontributet e shqiptarëve në diasporë për të financuar sistemin paralel të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’90.

Përfundimi i luftës së vitit ’99 e gjeti Fondin me mbi 50 milionë marka të pashpenzuara, për të cilat nuk u dha asnjëherë llogari. Sipas hetuesve të UNMIK-ut, grabitësit duhej të ishin punëtorë të bankës.

Më 30 prill të vitit 2002, UNMIK thirri konferencë urgjente për media. Në konferencë u shpalos se një punëtor i UNMIK-ut për disa muaj kishte arritur që të transferonte në Gjibraltar rreth 3.7 milionë euro. Paratë ishin marrë nga buxheti i Korporatës Energjetike të Kosovës të destinuara për importin e energjisë elektrike. Disa vite më vonë për këtë keqpërdorim një gjykatë gjermane dënoi Jo Trutschler, ish-drejtor menaxhues i KEK-ut, e dënoi me tre vjet e gjysmë burg.

Njësoj sikurse 18 vjet më parë, më 21 tetor 2020, Ministria e Financave dhe Transfereve thirri konferencë urgjente për media. Aty, ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, informoi publikun se një punëtor i Thesarit kishte arritur që të transferonte jashtëligjshëm mbi dy milionë euro. Kjo vjedhje kishte ndodhur më 9 tetor 2020 dhe shuma ishte transferuar në katër transaksione, brenda tetë minutash. Policia kishte arritur të arrestojë zyrtarin e Thesarit, por jo edhe pronarët e kompanisë në xhirollogarinë e së cilës ishin derdhur mjetet e Thesarit, njëri ndër të cilët u vetëdorëzua në Polici këtë javë.

Përderisa publiku po merrej me lajmin e vjedhjes së mbi dy milionë eurove të Thesarit, vetëm disa kilometra distancë nga Ministria e Financave dhe Transfereve po ndodhte një vjedhje tjetër, me metoda më pak të sofistikuara, por jo më pak efektive. Në objektin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë u vodh kasaforta 300-kilogramëshe. Deri më tani për këtë vjedhje është suspenduar polici kujdestar por nuk është kryer asnjë arrestim.

Në periudhën tetëmbëdhjetëvjeçare nga transferimi i 3.7 milionë eurove të KEK-ut në Gjibraltar deri te vjedhja e dy milionë eurove në Thesar dhe dy dekada nga vjedhja e kasafortës së “Dardania Bank” e deri te vjedhja e kasafortës në AUV, kanë ndodhur me qindra vjedhje, shumica e të cilave kanë kaluar pa u zbuluar e ndëshkuar.

Vjedhjat kanë ndodhur edhe në dhomat më të ruajtura të institucioneve të sigurisë. Në prill të vitit 2009 ishte vjedhur Dhoma e Dëshmive në Policinë e Kosovës në Prishtinë, ku përveç vjedhjes së mbi 47 kilogramë heroinë dhe valutave të ndryshme, besohet se ishin vjedhur edhe shumë dokumente të hetimeve. Për këtë rast ishin hetuar 13 persona por askush asnjëherë nuk është dënuar.

Tre vjet më vonë, po në muajin prill, në stacionin e Policisë në Pejë u vodhën 25 kilogramë ari. U hetuan gjashtë persona por askush asnjëherë nuk u dënua. Në muajin shkurt të këtij viti, një vjedhje tjetër ndodhi në Policinë e Kosovës, ku nga Dhoma e Dëshmive në stacionin e Policisë në Zubin Potok u vodhën armë zjarri të madhësive të ndryshme. Polici i dyshuar për këtë vjedhje iku nga Kosova.

Për çdo ditë qytetarët lexojnë ose dëgjojnë për keqpërdorime të shumta të pasurisë publike.

Nëse mblidhet shuma e rasteve korruptive të raportuara nga mediat vetëm në javën e fundit ajo e tejkalon shumën prej 100 milionë eurove.

Këtyre ditëve u raportua se para se Qeveria të shuante Task-Forcën Kundër Korrupsion, kryeministri Hoti ishte marrë në pyetje nga kjo Forcë në cilësinë e dëshmitarit për nënshkrimin e kontratës së dyshimtë për t’ia kaluar 53 milionë euro kompanisë “Bechtel&Enka”.

Po këtyre ditëve, Prokuroria ngriti aktakuzë për ish-kryeshefin ekzekutiv të Postës dhe Telekomit të Kosovës lidhur me humbjen e 10 milionë eurove nga një kontratë e shkëputur jashtëligjshëm. Mbi një milion euro të paguara në emër të mbrojtjes së të dyshuarve pranë Dhomave të Specializuara në Hagë nuk janë bërë publike. Lajmet e tjera përfshijnë keqpërdorimet e buxhetit për dreka zyrtare në kohë të pandemisë, pagesa joligjore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, e të tjera.

Gjitha këto kanë kosto të humbjes së besimit në insituticione e në avullimin e shumave milionëshe të qytetarëve të Kosovës.

Në vitin 2015, Instituti GAP ka grumbulluar shumat e të gjitha keqpërdorimeve të deklaruara në raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitet 2013 dhe 2014 dhe aty del se mesatarisht mbi 110 milionë euro shpenzohen në procedura të parregullta për çdo vit. Kjo përbën afër 14 për qind të buxhetit vjetor të audituar. Tani e shumë vite raportet e Auditorit shërbejnë vetëm si vërejtje për institucionet por nuk hetohen nga organet gjyqësore.

Përveç në qeverisjen e brendshme, korrupsioni ka minuar edhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Pikërisht për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, revista amerikane Foreign Policy në shkurt të vitit 2011 Kosovën e klasifikonte si ‘thugocracy’ – sistem qeverisës i hajnave, kurse udhëheqësit politikë i klasifikonte si ‘thugocrat’.

Andaj, lajmet e të enjtes së 21 tetorit 2020 nuk kanë prekur ndjenjat e mpira të qytetarëve të Kosovës. Pakkush beson se këto raste do të gjykohen dhe dikush do të marrë dënimin e merituar.

Për vjedhjen e më shumë se dy milionë eurove nga Thesari, ministrja e MFT dhe kryeministri Hoti deklaruan se ky është rast i izoluar dhe se nuk mbajnë përgjegjësi menaxheriale e as politike. Por, për auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit një skandal i tillë nuk mund të përbënte befasi. Në shumë raporte ndër vite ZKA ka identifikuar dhe paralajmëruar për lëshimet në procedurat e Thesarit.

raportin për pasqyrat e audituara për vitin 2018, ZKA kishte gjetur se Thesari nuk ka respektuar Rregulloren 01/2013 në 11 pagesat e audituara. Kjo rregullore parasheh për shpenzimin e fondeve publike, fillimisht duhet të bëhet kërkesa për blerje, zotimi i mjeteve, të procesohet urdhërblerja, pastaj të pranohet malli apo shërbimi, dhe pas pranimit të faturës të ekzekutohet pagesa. Andaj, me rastin e vjedhjes së mbi dy milionë eurove më 9 tetor 2020, edhe nëse dikush do të ketë vërejtur ndonjë parregullsi, me siguri nuk është alarmuar ngase ka parë me dhjetëra raste të mëhershme kur procedurat janë shkelur.

raportin e ZKA për pasqyrat e audituara të Ministrisë së Financave për vitin 2015 evidentohet procedura joligjore e vazhdimit të kontratës me kompaninë kanadeze e cila e mirëmban sistemin e freebalancit në Thesar. Kontrata ishte nënshkruar vetëm nga drejtori i Thesarit dhe jo nga ministri, nuk ishte njoftuar Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik dhe termat e kontratës nuk ishin specifikuar. Pikërisht këtë sistem do ta keqpërdorte zyrtari i Thesarit kur transferoi jashtëligjshëm mbi dy milionë euro.

Në një raport të vitit 2018 për auditimin e performancës së sistemeve të teknologjisë informative që përdoren nga institucionet publike, ZKA gjen se 70 për qind e institucioneve kanë mungesë të theksuar të strategjisë së teknologjisë informative, politikave dhe procedurave të teknologjisë informative, si dhe strukturë jo të përshtatshme organizative të Departamentit të Teknologjisë Informative.

Të njëjtat të gjetura përsëriten edhe në raportin e 2020, ku ZKA gjen se në Ministrinë e Financave, Departamenti i Teknologjisë dhe Menaxhimit të Sistemeve Informative dhe Thesari nuk koordinohen/bashkëpunojnë në nivelin e duhur në menaxhimin e investimeve dhe shërbimeve të TI-së. Në të gjitha institucionet ZKA kishte evidentuar mangësi dhe mungesa në monitorimin e zbatimit të standardeve dhe politikave të TI-së, që e rrezikon nivelin e cilësisë së shërbimeve të sistemeve elektronike.

Raporti gjen se Agjencia e Shoqërisë së Informacionit nuk ka strategji për qeverisje elektronike dhe nuk e luan rolin e saj të bashkërendimit me institucionet dhe sistemet e tjera.

Për t’ia vënë pikën këtij kaosi sa u përket investimeve dhe funksionit të teknologjisë së informacionit në institucionet publike, në muajin shtator qeveria emëroi si Koordinator Nacional për Sigurinë Kibernetike Zafir Berishën, ani pse Berisha nuk ka aspak përvojë në sigurinë kibernetike dhe sistemet e TI. Për ironi, në ditën kur u emërua koordinator, atij iu hakua llogaria e Facebook-ut.

Andaj, vjedhja e dy milionë eurove nuk është rast i izoluar siç dëshiron ta portretizojë kryeministri Hoti. Përkundrazi, është rregull i vendosur tani e dy dekada me një sistem që shquhet për jokompetencë, papërgjegjësi dhe mosndëshkueshmëri për keqbërësit.

(Opinionet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdo pikëpamjet e BIRN)