Instituti GAP: Përkundër granteve dhe subvencioneve në bujqësi, nuk janë arritur rezultatet e pritura

Instituti GAP sot prezantoi gjetjet e raportit të “Ndikimit të subvencioneve dhe granteve në prodhimin bujqësor”.

Në këtë raport janë shpalosur ndryshimet e kulturave bujqësore pas marrjes së granteve dhe subvencioneve  nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.

Gentian Gashi, hulumtues nga Instituti GAP ka thënë se edhe pse ndahen shumë para për bujqësi, në tren nuk ka shumë rezultate në rritje të rendimentit apo sipërfaqes së punuar.

Ai ka thënë se  kjo ka ardhur edhe si pasojë e mos monitorimit të procesit.

“Përkundër programeve dhe shumave që ndahen rreth 48 milionë euro në vit, nuk janë arritur rezultatet e pritura. Ka mangësi në procesin e monitorimit të granteve. Po ashtu nga grantet kanë përfituar biznese që nuk e kanë primare fushën bujqësore dhe nuk ka siguri se do ketë efekte të qëndrueshme i gjithë ky investim”,  ka thënë Gashi.

Sipas tij, disa kultura kanë ngecur edhe pse janë subvencionuar ndërsa, ka edhe të tilla që shënuan rritje të ndjeshme në vitet e fundit.

“Deficiti tregtar vazhdon të jetë i lartë, në pesë vitet e fundit është rritur për 20 për qind. Që nga viti 2014 grantet për pemë druftore janë rritur për 181 për qind po ashtu ka shënuar rritje sipërfaqja e mbjellë”, shtoi tutje Gashi.

“Ndërsa, sa i përket krerëve të lopëve dhe deleve, edhe pse janë dhënë grante, prodhimi ka rënë dhe është rritur importi. Bletaria po ashtu ka fituar shumë që nga viti 2014, por prodhimtaria ka pasur rënie në vitet 2016/17 për mbi 60 për qind”, potencoi tutje Gashi.

Gashi tutje shtoi se, sa i përket subvencioneve nga viti 2015 deri 2019 janë ndarë rreth 135 milionë euro nga Ministria e Bujqësisë në drithëra, vreshta, blegtori dhe shpeztari. Në shumicën e këtyre kulturave, sipas tij,  prodhimi nuk ka ndryshuar.

GAP konsideron se kjo ka ardhur si pasojë e politikave joadekuate dhe keq menaxhimi i fondeve.

Fitore Pacolli, kryesuese e komisionit për bujqësi, tha se askush nuk e ka trajtuar si duhet sektorin e bujqësisë, gjë që sipas saj, u pa edhe në situatën me pandeminë.

“Bujqësia nuk është trajtuar si sektor që na ofron ushqim, këtë e kemi parë edhe nga situata me pandeminë. Të gjitha qeveritë e kanë theksuar si sektor të rëndësishëm por gjendja më teren është tjetër”, tha Pacolli.

Sipas saj, arrestimet e fundit tregojnë për keq përdorimet e shumta në këtë sektor.

“Shteti ka dhënë grante, por ku kanë shkuar. Arrestimet e fundit tregojnë se ka pasur shumë keqpërdorime”, shtoi tutje ajo.

Pacolli potencoi se kanë filluar një analizë sektoriale për vitet 2021-27 si dhe janë duke punuar për akreditim që të marrin fonde edhe nga BE.

Ndërsa, Besnik Osmani nga Zyra Kombëtare e Auditimit tha se, përkundër investimit të madh në bujqësi, efekti është shumë i vogël.

Kjo sipas tij, ka ardhur si shkak i keq menaxhimit dhe nga përfituesit jo meritor të fondeve.

“Në 6 vitet e fundit janë dhënë mbi 240 milionë euro në kultura bujqësore, por nuk është parë efekti i pritur në teren. Kjo pasi janë aplikuar politika joadekuate dhe është bërë keq menaxhim i fondeve, pasi shpesh ka pasur përfitime të dyfishta ose biznese që nuk meritojnë ato subvencione”, ka thënë Osmani.

Osmani shtoi se në raportet e tyre të auditimit kanë gjetur se ministria nuk ka të dhëna për efektivitet të këtyre investimeve.

“Ne kemi gjetur se ministria ende nuk ka raport që tregon efektivitetin e këtyre investimeve, kemi nevojë për monitorim më të madh”, shtoi tutje Osmani.

Sipas tij  shpesh ka vonesa edhe për pagesa ndaj fermerëve, madje ka pasur edhe vendime pa buxhet të mjaftueshëm që ka shkaktuar destinim të gabuar buxhetor.