Me Pasaporta Biometrike 40 Mijë Kosovarë

Procesi i liberalizimit të vizave e detyroi Kosovën të përmbushë shumë kushte, përfshirë pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike.

Megjithëse ‘dialogu’ për këtë proces me BE-në nisi vetëm këtë javë, dhe Kosova ende nuk e ka marrë udhërrëfyesin, Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar lëshimin e pasaportave biometrike që në tetor të vitit të shkuar.

Pasaportat biometrike, për dallim nga ato që janë lëshuar deri më tani, përmbajnë më shumë elemente të sigurisë. Në këtë pasaportë është i integruar një çip në të cilin vendosen të dhënat biometrike (shenjat e gishtërinjve, fotografia) dhe të dhënat alfanumerike (emri, mbiemri, pesha, gjatësia, ngjyra e syve etj.) Kjo ndihmon në rritjen e nivelit të sigurisë së dokumentit të udhëtimit, zvogëlimin e mundësisë së falsifikimit dhe marrjen e të dhënave biometrike në mënyrë elektronike. 

Pasaportat e shtetasve të Republikës së Kosovës, aktualisht prodhohen në Austri, nga kompania OeSD, ndërsa personalizohen në Departamentin e Prodhimit të Dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB). Zyrtarë të kësaj ministrie thonë se mundësia e falsifikimit është minimale, pasi ndër elementet e sigurisë është dhe certifikata e sigurisë së lartë, e cila është e vendosur në të dhënat elektronike që gjenden në çip.

Për t’u pajisur me një dokument të tillë, qytetari së pari duhet të posedojë letërnjoftimin e Republikës së Kosovës. Pagesa për të rriturit është 30 €, kurse për fëmijë 25 €. Nëse dëshirohet që pasaportën ta keni në xhep brenda dy ditësh, me procedurë të përshpejtuar, duhet paguar 105 €.

Zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me këto pasaporta është i lartë. Blerim Camaj, ushtrues detyre i Kryeshefit të Agjencisë për Regjistrim Civil, konfirmoi për Gazetën JnK se deri më tani, janë shpërndarë rreth 40.000 pasaporta biometrike.

“Me këto pasaporta, qytetarët mund të udhëtojnë në të gjitha ato vende të cilat e kanë pranuar shtetin e Kosovës, mirëpo kjo lëvizje lirë nuk mund të bëhet në shtetet, të cilat nuk na e kanë pranuar shtetësinë”, thotë Camaj.

“Natyrisht se kjo sjell probleme, mirëpo varet nga faktori politik ndërkombëtar”, shtoi ai.

Disa qytetarë, të anketuar nga Gazeta JnK, u ankuan pse gjatë aplikimit po u merren pasaportat e vjetra, ose iu bëhen jovalide.

Adnan Osmani, banor i Ferizajt, me prejardhje nga Kumanova, tha se po heziton të aplikojë për pasaportë të re, pasi që i duhet ta dorëzojë pasaportën që e ka aktualisht, megjithëse ende me afat valid. “Unë e kam familjen e gjerë në Kumanovë. Mund të ndodhë diçka brenda dy javësh, sa është afati kohor për përgatitje të pasaportave, dhe unë duhet me shku”. 

Edhe Genc Qerimi, një qytetar tjetër nga Ferizaj, tha se për shkak të punës që bën, i duhet të udhëtojë shpesh për në Shkup. “Unë nuk mund të presë dy javë e më tepër, duke pas parasysh që pasaportën e vjetër ma bëjnë jovalide”.

Por Camaj thotë se bërja jovalide e pasaportës së vjetër, kur aplikohet për të re, është i rregulluar më udhëzim administrativ. “Kjo është praktikë e shumicës së vendeve. Programi e kërkon që në momentin e aplikimit, të dhënat nga pasaporta e mëparshme, të fshihen nga të gjitha regjistrat civilë”, u shpreh ai.

Gani Krasniqi, një qytetar tjetër, tha se i është vonuar përgatitja e pasaportës, tash e tri javë. “Sot në ora 15, e kam pasur terminin me i dorëzu dokumentet për vizë. Meqë më është vonuar pasaporta, tani krejt dokumenteve të tjera iu skadon afati”.

Ndërsa Islam Zejnullahu, qytetar nga Prishtina, tha se s’ka pasur kurrfarë problemi. “Mirë është krejt, shumë jam i kënaqur”, tha Zejnullahu, i cili po e merrte pasaportën për të cilën kishte aplikuar para dy javësh.

Zyra e Komisionit Europian e ka përshëndetur fillimin e lëshimit të pasaportave biometrike. Mirëpo një zyrtar, i tha Gazetës JnK, se konsideron se është dashur të përfundohen disa punë të tjera, para këtij procesi, siç është kompletimi i regjistrave civilë.