Lulzim Kabashi

Biznesmeni Antizhurmë

Kandidati Lulzim Kabashi, ka mbërritur që nga një makinë e tipit Zastava-750, e njohur popullorçe si “Fiqë”, të cilën e ka vozitur para luftës, të shkojë deri te vetura Audi Q7, të cilën aktualisht e ka në pronësi. 

Ai, pyetjes për këtë ndryshim marramendës, të shtruar në debatin Zgjedhjet Lokale 2013, i është përgjigjur me fjalët, se edhe para luftës ka pasur pasuri, ndërsa të gjithën e ka fituar me punë të ndershme. 

“Besoj që edhe diçka më e mirë që do dalë, me siguri që do ta marr, sepse e gjithë pasuria ime e pasluftës ka qenë legale”, tha Kabashi, teksa tregoi se pasqyrat financiare të bizneseve të tij janë transparente dhe mund të gjenden tek autoritetet fiskale, për të gjithë të interesuarit. 

Ai është njëri nga themeluesit e Bankës Kep, një institucioni mikrofinanciar, aksionari në kompaninë e ndërtimit të banesave Sh. P. K “Global” dhe njeriu që ka hapur poligonin për gjuajtje me armë Sh. P. K. “Iliria”.

Bashkëshortja e tij Visare Kabashi, tregoi se përveç shtëpisë në Prizren, kjo familje ka edhe katër banesa dhe një shtëpi pushimi në fshatin Korishë. 

Lulzim Kabashi, ka qenë njëri ndër guerilasit e parë të këtij fshati. Gjatë luftës ka qenë komandant i batalionit Kabashi të Brigadës 125 në Korishë. 

Prizrenasit e kanë pyetur kandidatin e AAK-LDD-së, se a do të hyjë në koalicion me PDK-në, pasi e kanë parë para dhe pas kandidimit për kryetar të takohet me kryeministrin Thaçi. Kabashi e ka mohuar një koalicion të tillë, duke thënë se me koalicionin aktual do të zgjidhet kryetar. 

Agronomi i degës së vreshtarisë që ka kryer edhe shkencat politike, premtoi punësim të një anëtari të çdo familjeje prizrenase. 

Ai tha se dy kandidatët Pajtim Kosova dhe Fadil Kryeziu që i munguan debatit, këtë e kanë bërë për arsye personale, ndërsa Ramadan Muja për ta fshehur keqqeverisjen. 

Mosardhjen e Mujës ai e cilësoi “mungesë të përgjegjësisë për t’u ballafaqu me qeverisjen e deritashme”. 

Fjala “magjike” e Kabashit, kur u prezantua para prizrenasve më nëntë tetor, ishte e kundërta e asaj për të cilën e akuzonte kryetarin aktual. Kabashi premtoi mirëqeverisjen dhe investimet kthyese në komunitet, si garancë të arkëtimit më të mirë të tatimit në pronë. 

Ai ishte nga kundërshtuesit e aprovimit të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, në dhjetor të vitit 2011 për shkak të fuqizimit të kishës ortodokse serbe.

Por, sipas tij, edhe nëse ky ligj i keq, siç e quan ai, të ishte zbatuar Prizreni do të kishte një pamje më të mirë. 

Sipas tij qe dy vite janë ndërtuar 120 objekte pa leje në zonën e mbrojtur të qytetit historik. 

Kabashi nuk premtoi zgjidhje me “shkop magjik” të ndërtimeve të tilla, por tha se nëse ai dhe subjektet që përfaqësojnë e fitojnë Prizrenin, nuk do të lejojnë objekte të reja të paligjshme në lagjen e Nënkalasë, duke shtuar se kjo pjesë e qytetit ka mundur të rikonstruktohet, por tashmë është humbur ky rast. 

Ai, duke u angazhuar për një zgjerim të hapësirës te ndërtesa e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, tha se qeverisja aktuale nuk e ka bërë një gjë të tillë, ngase nuk ka dashur t’ua kompensojë pronat dhe shtëpitë, prizrenasve të asaj pjese, të cilët kanë ndërtuar, duke bërë zgjidhje për problemet e tyre të banimit. 

Kabashi tha se gypat e ujësjellësit në Prizren, të ndërtuar nga asbesti dhe të vjetër 50 vjet duhet të ndërrohen, pasi rrjedhin gjysmën e ujit që qarkullon nëpër ta. Ai tregoi se projekti i tillë kushton 8 milionë euro, ndërsa shtoi se mjetet e tilla mund t’i ofrojë Komisioni Europian, ose Banka Gjermane e Zhvillimit. 

Biznesmeni që në vitin 2012, derisa ishte asamblist i LDD-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, kërkoi kufizim të zërit gjatë thirrjes së ezanit nëpërxhamitë prizrenase, duke u ankuar për ndotje akustike, ndihmon edhe skamnorët dhe invalidët e luftës.

Ai që reagoi për të matur decibelët e zhurmës nga altoparlantët e xhamive vitin e kaluar, tha se është mysliman dhe ndihet mirë në këtë përkatësi, duke respektuar edhe fetë tjera, por mori kundërshtim të ashpër nga Këshilli i Bashkësisë Islame të qytetit ku konkurron për kryetar. 

Deklarimet e tij kundër zërit të lartë të ezanit nëpër xhamitë e Prizrenit historik, nuk janë deklarime kundër zërit, por kundër vetë ezanit”, tha atëherë KBI-ja e Prizrenit. 

“Nuk kam kërkuar të ndalohet ezani, por të ulet intensiteti i zërit të tij, në një masë të pranueshme për veshë”, iu përgjigj KBI-së, Kabashi. 

Gruaja e Lulzim Kabashit, Visarja, tha se burri i saj ka kontribuuar në të gjitha fazat e krijimit të shtetësisë së Kosovës, duke treguar se janë njohur kur ishin maturantë, gjatë demonstratave të vitit 1989, për t’u martuar pesë vjet më vonë. 

Ajo tregoi edhe një dobësi të bashkëshortit. Tha se kur ai përgatit diçka në kuzhinë, edhe për një sallatë të thjeshtë, i nxjerr të gjitha enët.