Lirohen nga Pagesat për Arsimim

Ministri i arsimit, Ramë Buja, kryetari i shoqatës së personave me hendikep dhe aftësi të kufizuara, Agim Vatovci dhe kryetari i asociacionit të komunave të Kosovës, Bajrush Xhemajli nënshkruanë memorandum mirëkuptimi , që të gjithë personave me aftësi të kufizuara t’u mundësohet shkollim i mesëm dhe regjistrimi i semestrave pa pagesë në Institucionet e Arsimit të Lartë.

Ministri Buja tha se ky memorandum ofron një ndihmë modeste për personat me aftësi të kufizuar dhe që shkollimi i tyre ‘pavarësisht se ku niset dhe ku mbaron, të jetë pa pagesë’.

“Kjo besoj se është diçka që ne kemi mundur ta bëjmë në marrëveshje edhe me kryetarin e Asociacionit të Komunave. Me këtë akt po bëjmë atë që është e mundur e që është diçka elementare dhe shumë e rëndësishme për këta njerëz”, ka thënë ministr Buja.

Kryetari i shoqatës së personave me hendikep dhe aftësi të kufizuara, Agim Vatovci tha: “Kjo është një ditë e madhe për personat me aftësi të kufizuar, të cilët nuk e kanë të kryer shkollimin në nivele të ndryshme. Kjo është ditë e veçantë për ne personat me aftësi të kufizuar,është një dritë në tunel”, ka thënë Vatovci .

Deri me sot këta persona është dashur të paguajnë për shkollimin e tyre të mesëm dhe atë të lartë.

Sipas statistikave të OSBE-së, në Kosovë janë 18, 746 persona me aftësi të kufizuar dhe mbi 4 mijë invalidë të luftës. Memorandumi hyn në fuqi nga dita e sotme.