Lagjja Urbane me Probleme Urbanizmi (TV)

Edhe pse zyrtarisht nga komuna e Drenasit quhet lagjja urbane Poklek i Ri, kjo lagje ka pikërisht probleme infrastrukturore që nuk duhet t’i kenë mjediset e urbanizuara.

Problemin më të madh lagjja e ka me ujërat e zeza, sidomos gjatë verës kur temperaturat e larta dhe era e kanalizimit që rrjedh nëpër kanale të hapura mund të shkaktojnë epidemi. Pokleku i Ri ka probleme edhe me depozitë ilegale të mbeturinave.

Flamur Bujupi, administratori i lagjes Poklek i Ri thotë se ka bërë disa herë kërkesa në kuvendin komunal për zgjidhjen e këtyre problemeve, por asnjëherë nuk i është kthyer përgjigje me shkrim nga komuna.

Edhe pse asambleja komunale në vitin 2012 miratoi një buxhet prej 30 mijë eurosh për kanalizimin e kësaj lagjeje, ky projekt përfundoi vetëm në një rrugë të saj, derisa shtëpitë e rrugëve tjera të Poklekut të Ri vazhdojnë ta derdhin kanalizimin në gropa septike.

Zëdhënësi i komunës së Drenasit Bekim Dobra thotë se kanalizimi nuk është kryer plotësisht.

“Në vitin 2013 e kena shpallë ni tender, por [mjetet] janë bartur për vitin 2014, kur edhe do të rregullohet i gjithë projekti për kanalizim”, thotë Dobra.

Mungesën  mjeteve për përfundimin e kanalizimit, e përmend edhe administratori Bujupi.

 “Nga zyra e prokurimit në komunën e Drenasit është tenderuar një kompani nga Prishtina për rregullimin e kanalizimit në lagjen tonë, por ende nuk ka nënshkruar kontratë me arsyetimin se nuk kanë mjete”, thotë Bujupi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Zëdhënësi i Komunës së Drenasit Bekim Dobra, thotë se ka njohuri për problemet me të cilat ballafaqohet lagjja, ndërsa shton se problemet me kanalizim për Poklekun e Ri do të përfundojnë sivjet.

“Është planifiku që në vitin 2014 të rregullohet gjithë infrastruktura e kanalizimit për atë lagje. Janë planifiku 70 mijë euro. Afati i punëve të parashikuara për 2014-ën do të bëhet në mars”, thotë Dobra, teksa tregon se po në këtë muaj do të nënshkruhet kontrata me kompaninë që do të përzgjidhet nga Zyra e Prokurimit.

Edhe deponitë e egra të mbeturinave, rrezikojnë banorët e lagjes dhe i japin asaj pamje të shëmtuar. Administratori Bujupi, thotë se deponitë ilegale të mbeturinave krijohen kryesisht nga banorët e fshatrave tjera, por edhe të papërgjegjshmit e lagjes.

Pokleku i Ri sipas zëdhënësi të Drenasit, Bekim Dobra, ishte fshat, por me t’u kyçur në sistemin e grumbullimit të mbeturinave të kësaj komune është shndërruar në zonë urbane.

Muhamer Qelaj, drejtori i Kompanisë Regjionale të Mbeturinave ‘’ Pastrimi ‘’, ankohet se banorët e lagjes nuk i paguajnë faturat për pastrim të lëshuara nga ndërmarrja.

 “Problemi kryesor është mospagesa e banorëve. Ne kemi hequr disa herë ato deponi por prapë banorët kanë gjuajtur në të njëjtat vende. Për banorët që paguajnë shërbimin, ne kemi vendosur kontejnerë,  ndërsa atyre që nuk i kryejnë pagesat nuk mundemi t’u ofrojmë shërbim”, thotë Qelaj. 

Administratori Flamur Bujupi arsyeton për mospagesë banorët e Poklekut të Ri me fjalët për papunësinë. Thotë se fatura prej pesë eurosh për shërbimet e heqjes së mbeturinave, është e lartë për atë familje që nuk ka asnjë anëtar të punësuar.

Drejtori i kompanisë “Pastrimi” shpjegon se çmimin e faturave nuk e ka vendosur kjo ndërmarrje.

“Çmimi prej pesë eurosh është vendosur për të gjithë banorët e Kosovës që dojnë shërbim nga kompanitë e pastrimit”, thotë Qelaj.

Zëdhënësi i Komunës së Drenasit, Bekim Dobra, thotë se me kërkesë të banorëve komuna disa herë ka pastruar depozitë e mbeturinave në Poklek të Ri.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi edhe në maj të vitit të kaluar për problemet e fshatrave të Drenasit me depozitë ilegale të mbeturinave.