Kujtesa dhe Politikat e Harresës në Kosovë

Pranvera ringjall natyrën, por tash sa kohë, kjo stinë në Kosovë ringjall edhe dhembje e krenari. Sigurisht se do kalojë akoma shumë kohë, e pranvera do peshojë rëndë në kujtesën kolektive të shqiptarëve. Kjo stinë tash është bërë stinë e përvjetorëve të vrasjeve makabre dhe masakrave mbi familjet, të ndjekjeve dhe eksodit masiv, të operacioneve dhe betejave të famshme, të dëshmorëve të rënë, e në fund edhe të lirisë së fituar. Kujtimet e këtyre ngjarjeve, herë rishfaqin pamjet e trishta kur fati njerëzor përballej drejtpërdrejt me mohuesit e jetës, herë rikthejnë momentet e thyerjeve të mëdha shpirtërore, herë ato të heroizmave dhe qëndresës mbinjerëzore, e herë ato të gëzimit të shfrenuar.

Shumë pyetje mund të shtrohen rreth asaj se çka po kujtojmë nga e kaluara dhe si po kujtojmë. A po harrojmë dhe çka po harrojmë? Duket se në Kosovë një luftë tinëzare ndërmjet kujtesës dhe harresës po bëhet tash më shumë se një dekadë? Kush po e drejton atë dhe çfarë mjetesh po përdor? Çka po na lejohet të kujtojmë e çka duhet të harrojmë?

Që nga viti 1999 e këndej, në Kosovë është bërë politikë për harrimin e së kaluarës. Secili përfaqësues ndërkombëtar që vinte në Kosovë, na këshillonte të harrojmë të kaluarën, pa e njohur mirë atë. Na këshillonin të shikojmë përpara, duke mos ditur se përpara kemi shikuar edhe para ardhjes së tyre. Na premtonin ndërtimin e një shoqërie me të ardhme më të mirë, por pa të kaluar. Pjesë e politikave të harresës u bënë edhe liderët vendorë, të cilët si vizionarë të paparë, nuk kishin kohë për kohën e pakohë. Nën presionin e politikës së harresës, ata promovonin të ardhmen e sigurt, ashtu si dikur komunistët që premtonin të ardhme të ndritur, e për ironi të historisë, e ardhmja e tyre doli të jetë e kaluara e jonë e hidhur.

Mënyra si po e kujtojmë të kaluarën, po nxjerr në pah politikën e harresës, që po zhvillohet në Kosovë tash sa kohë. Reduktimi i kujtesës vetëm në një ditë, vetëm në përvjetor, tregon debalancin ndërmjet sakrificës së familjes dhe shpërblimit të shoqërisë: treqind e gjashtëdhjetë e katër ditë dhimbje familjare, kurse një ditë e vetme mirënjohje shoqërore. A ju mjafton të rënëve vetëm shënimi i përvjetorit? A ju mjafton atyre vetëm premtimi se do t’i mbajmë mend dhe se do krenohemi përjetë? A kanë nevojë ata vetëm për homazhet dhe për fjalime patriotike? Kujtesa nuk ka kuptim nëse mbetet vetëm kujtesë, vetëm manifestim kiç-patriotik dhe lypsari votash. Mënyra e keqe e përkujtimit të së kaluarës është e dëmshme, po aq sa edhe harrimi i saj.

Ne si popull kemi traditë në kujtesën komunikative, ose atë që përcillet gojarisht prej brezi në brez, por problemi është me kujtesën e organizuar ose institucionale, e cila duhet të bëhet pjesë e kulturës së vendit. Mënyra se si një vend e reprezenton të kaluarën e vet, çka përkujton dhe si përkujton, është pjesë shumë e rëndësishme e identitetit të atij vendi. Si është e mundur që akoma të mos themelohet asnjë muze, i cili do ta ruante kujtesën nga lufta? Si është e mundur që të mos mblidhen faktet, evidencat dhe reliktet e luftës e të eksodit?

Në planin e aktivitetit artistik e kulturor, po ashtu kemi dështuar sepse nuk kemi arritur të krijojmë filma të suksesshëm që pasqyrojnë realitetin e luftës, të eksodit dhe atë të pasluftës, përveç ndonjë filmi të metrazhit të shkurtë. Në fusha tjera të arteve, të publicistikës, atë të hulumtimeve sociale dhe të historisë, po ashtu, nuk kemi treguar ndonjë sukses, përveç ndonjë rasti individual.

Në ndërtimin e memorialeve, po ashtu kemi dështuar, sepse shumë syresh janë ndërtuar, kryesisht në baza familjare ose të komunitetit, pa kritere të duhura estetike e simbolike. Pastaj, shumë syresh nuk po mirëmbahen, e në fund, ajo që më së paku na është dashur, memorialet dhe manifestimet e përvjetorëve janë politizuar në konceptin partiak.

Politizimi, komercializimi dhe kapitalizimi i memorialeve dhe përvjetorëve e rëndon më shumë dhimbjen e pranverës. Këto veprime edhe mund të jenë pjesë e politikës së harresës, siç mund të jenë edhe mosveprimet institucionale për ndërtimin, ruajtjen dhe reprezentimin e plotë të kujtesës për të kaluarën. Në një hulumtim me rastin e 10-vjetorit të dëbimit nga Kosova, një person i intervistuar pat thënë: “Krejt kanë harruar! Sikur me pasë ndodhë kjo luftë para 100 vjetëve!”.