Jeta e Grave që u Kthyen në “Burra”

“Virgjërat e Përbetuara- Jeta Ndërmjet Detyrimit dhe Vetëflijimit” e autorit Anton Kolë Berishaj trajton dramën e grave që për arsye familjare e shoqërore betoheshin për shmangie të martesës dhe ndërrim simbolik të gjinisë.

Në këtë libër janë të përfshira edhe dy intervista me dy gra që bënë këto sakrifica.

“Njëra ka hequr dorë nga martesa që të kujdeset për motrën e saj që e ka të paralizuar, kurse tjetra për t’u kujdesur për prindërit pasi që vëllezërit i ka pasur në perëndim dhe pas luftës kur ata janë kthyer në Kosovë asaj i ka ‘ikur kohë e martesës’,” sqaroi autori.

Ai bëri të ditur se femrat që kanë vendosur ta marrin rolin e burrave ishin të respektura në shoqërinë shqiptare që udhëhiqe nga Kanuni i Lekë Dukagjinit.

“Ato e kanë pasur të drejtën edhe të trashëgimisë si dhe të drejtën që të marrin pjesë në mbledhjet e burrave, mirëpo sigurisht pa të drejtë vote,” tha Anton Kolë Berishaj.

Mirëpo sipas tij fatin e njëjtë nuk e ka pasur edhe ato të cilat me vetëdëshirë kanë marrë vendimin që të mos martohen.

“Nëse ka thënë jo unë nuk dua me u martuar edhe unë e di pse ato janë konsideru femra të mbetura të cilat edhe pse kanë pasur ndoshta gjashtë vëllezër në shtëpi, ndoshta e kanë pasur një dashuri në kohën e adoleshencës dhe më vonë ato kurrë askujt nuk ia kanë thënë mirëpo nuk kanë mundur me e imagjinu me qenë më dikë tjetër,” tha Berishaj.

Në libër janë të përfshira edhe disa fotografi të disa virgjëreshave në mesin e të cilave është edhe luftëtarja e Malësisë së Grudës Tringë Smaili, e cila sipas recencionistes së libri Sibel Halimi, është e virgjëra më tipike e ambientit socio-kulturor shqiptar.

Tringë Smajli e cila pas internimit të babait të saj në Turqi kishte marrë rolin e udhëheqjes së familjes kishte mbajtur pamjen e saj si femër, pa u munduar ta ndryshojë atë.

“Tringa e virgjër nuk e transformoi përkatësinë e saj gjinore, mirëpo në një mënyrë në heshtje u vetëbetua për të hequr dorë nga të martuarit, e shtyrë nga gjendja familjare dhe jo si një vendim i marrë nga bindja e saj personale në relacion me martesën,” theksoi ajo.

Sipas saj libri për virgjërinë në Kosovë ka ardhur në kohën e rritjes së operacione mjekësore për të dëshmuar virgjërinë që konsiderohet si “një vlerë e rëndësishme për martesën”.

“Ky libër i ofrohet publikut në kohën kur hulumtimet tregojnë se në Kosovë ka shënuar një rritje fenomeni i qepjes së himenit të vajzave, një tregues ky se pavarësisht ndryshimit të rrethanave sociale dhe kulturore qasja ndaj trupit të grave vazhdon të tjetër rigjide,” tha ajo.

Recencionistja e librit tha se libri gjithashtu trajton dashurinë, martesën, seksin, çështjen e lëneshave apo të grave që konsiderohen në shoqëri si të mbetura si dhe të abortimit për shkak të përkatësisë gjinore femër.

Shemsi Krasniqi, recencionisti tjetër i librit, tha se virgjëreshat janë paraqitur në mënyra të ndryshme “herë si ekzotikë, herë si relikte, herë si diçka anakronike,” mirëpo sipas tij shndërrimi simbolik i gruas në burrë është një enigmë.

Sipas tij virgjëreshat nuk duhet të trajtohen për nga pamja fizike e tyre, por nga roli i tyre në shoqëri.

“Qëllimi i këtij transformimi nuk është trupi fizik, por roli social që i atribuohet, qëllimi nuk është personi individual, por misioni simbolik i koduar në mënyrë strikte dhe i shpërblyer me privilegjet që i mban statusi i burrave në shoqëritë tradicionale,” tha ai.

Sipas autorit Anton Kolë Berishaj pika më e rëndë dhe më e rëndësishme ka qenë të shkruash njëkohësisht edhe për gratë edhe për burrat.

“Kohët po ndryshojnë, mirëpo fenomeni i virgjërisë po e ndryshon vetëm pamjen. Akoma po ballafaqohemi në shoqërinë tonë me bija, me halla, gra, motra  të cilat ofrojnë sakrifica në formë që nuk ju duartrokitet para publikut, po që sakrifikojnë veten e tyre në harmoni me natyrën,” tha ai.

Autori Anton Kolë Berishaj i cili është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Kosovë ka shkruar gjithashtu edhe libra të tjerë si “Filantropia” dhe “Shoqëria pa shtet”.