Shemsi Krasniqi, profesor i Departamentit të Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të UP-së

Studiuesi Krasniqi: Elementet kulturore bazën e krijimit e kanë në fenomenet natyrore

Studiuesi Shemsi Krasniqi, profesor i Departamentit të Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të UP-së, për vite me radhë merret me studimin e trashëgimisë natyrore dhe ndikimin e saj në traditën kulturore e shpirtërore të banorëve të Kosovës.

Hulumtimet e tij në këtë fushë kanë sjell risi në studimin e ‘marrëdhënieve’ natyrë – sociokulturë.

Profesor Krasniqi në këtë intervistë për Kallxo.com flet për rezultatet e punës së tij, rëndësinë që ka trashëgimia natyrore në jetën kulturore e sociale, veçmas në kohët moderne.

 

Intervista e plotë me studiuesin Shemsi Krasniqi dhënë për KALLXO.com

Kallxo.com: Ndikimi i trashëgimisë natyrore në traditën kulturore e shpirtërore është studiuar pak te ne. Sa shprehet ky ndikim në traditën shpirtërore te shqiptarët?

Shemsi Krasniqi: Kosova është vend i vogël, por shumë i pasur me trashëgimi natyrore, e siç dihet edhe me atë kulturore. Gjeografia, biologjia dhe ekologjia e Kosovës, sikur kanë dashur ta sfidojnë kulturën dhe historinë e saj. Në të vërtetë kudo në botë ekziston simbioza e kulturës me natyrën dhe është e ditur se shumë elemente kulturore bazën e vetë të krijimit e kanë te fenomenet natyrore, domethënë janë pasqyrim ose një lloj reaksioni ndaj tyre. Është e njohur se praktikat e ndryshme kulturore lidhen me vende, objekte ose fenomene të ndryshme natyrore dhe këtu nuk bën përjashtim as Kosova dhe as kultura shqiptare.

Në Kosovë ka vende ku bëhen festa dhe rituale thuajse unike në botë. Tradita popullore e ngjitjes në majën e Lybetenit natën ndërmjet 1 dhe 2 gushtit për të festuar mjedisin e verës dhe për të parë lindjen e diellit prej andej është diçka e veçantë dhe tepër e rrallë. Ndoshta vetëm në Lindjen e Largët mund të hasen praktika të ngjashme. Ritualet që bëhen për festa të motmotit, si për Verëzat në Opojë, për Shëngjergjin nëpër disa vende në Kosovë, si dhe ritet e ndryshme të kalimit në gurë, po ashtu janë raritet. Aq më tepër kur në ndonjërin prej këtyre gurëve ka edhe simbole parahistorike ose art shkëmbor, gjë që tregon për një kontinuitet të kultit jo vetëm me shekuj por edhe me milienume. Përveç kësaj, kultura jonë popullore ose tradicionale ka krijuar koncepte, vlera dhe norma shumë domethënëse nga pikëpamja e ekologjisë bashkëkohore dhe për të cilat lirisht mund të themi se paraqesin premisat e një etike mjedisore.

Trashëgimia jonë shpirtërore në raport me natyrën është mjaft e begatë, por ajo nuk është studiuar mjaft dhe akoma ka punë për të bërë, veçanërisht për t’i identifikuar, mbledhur, krahasuar, analizuar dhe interpretuar të gjitha elementet e saj. Nëse duam të bëjmë një krahasim të thjeshtë, vetëm sa për t’i dalluar vlerat e kulturës tradicionale prej atyre bashkëkohore, mund të themi se në kulturën tradicionale është i shprehur një relacion shumë më spiritual me natyrën, një relacion më intim, më sakral, më iracional por më i ekuilibruar në aspektin ekologjik, për dallim prej relacionit që e hasim në kulturën moderne, e që është më pragmatik, më utilitar dhe edhepse më racional më pak i ekuilibruar.

Debatet bashkëkohore në këtë aspekt po shkojnë në drejtim të rinjohjes dhe riafirmimit të spiritualizimit ekologjik i cili është karakteristikë e mënyrës së reprezentimit të natyrës në kulturën tradicionale. Duke e ndier me zemër, e jo vetëm duke e njohur me mendje, mjedisin ose natyrën që na rrethon dhe pjesë e së cilës jemi edhe vetë, e duam më shumë dhe e mbrojmë më mirë. Dashuria dhe pasioni e shtojnë fuqinë e lidhjes me të, e rrjedhimisht edhe të dijes për të.

Kallxo.com: Çka është ekokultura dhe si duhet ta kuptojmë ndikimin e saj në trashëgiminë shpirtërore e kulturore te ne?

Shemsi Krasniqi: Ekokultura në vete është fushë shumë e gjerë dhe ka të bëjë me relacionin tonë me natyrën, me mënyrën si e kuptojmë, interpretojmë dhe përdorim atë për nevojat tona, si ndërlidhemi dhe ndërvaremi reciprokisht, si e kemi përshtatur dhe iu kemi përshtatur asaj, cilat janë krijimet kulturore që i kemi trashëguar në raport me natyrën.

Duke qenë se relacioni: kulturë – natyrë, është mjaft kompleks, ekokulturën e ndajmë në dy pjesë. Të parën e përbëjnë vlerat, normat, besimet, mitet, legjendat, simbolet, dijet, sjelljet dhe praktikat sociale që janë rezultat i kulturës popullore ose tradicionale. Kjo është ajo pjesa që ndryshe mund të quhet edhe si etnoekologji, domethënë mënyra si një popull krijon relacionet e veta me natyrën ose mjedisin ku jeton. Këtu hyjnë festat popullore dhe ritualet që lidhen me vende, objekte dhe fenomene natyrore; pastaj atributet që iu jepen kafshëve ose gjallesave të caktuara; dijet dhe njohuritë mbi tokën, ujin, mineralet, meteorologjinë, bimët dhe kafshët; pastaj, mitet, legjendat, simbolet, shprehjet artistike dhe elementet tjera kulturore të cilat shprehin ose pasqyrojnë relacionin tonë me natyrën. Një pjesë e madhe e gjithë kësaj trashëgimie është trajtuar në librin tim “Ekokultura” i botuar nga AShAK në vitin 2016. Në të dytën hyjnë të gjitha vlerat, normat, botëkuptimet, njohuritë, sjelljet dhe shprehitë e mësuara në raport me mjedisin jetësor ose natyrën dhe që janë rezultat i modernizimit të shoqërisë dhe kulturës bashkëkohore, që janë rezultat i edukimit dhe informimit, i ndikimit politik, por edhe aktivizmit qytetar dhe mjedisor. Këtu hyjnë dijet shkencore, edukimi ekologjik, aksionet mjedisore, institucionet, organizatat ose lëvizjet ekologjike, ligjet dhe normat juridike, pastaj pasionet dhe profesionet në lidhje me natyrën, si: bjeshkataria, alpinizmi, turizmi malor etj. Që të dy këto forma të ekokulturës kanë vlerën e vetë, kanë historinë e krijimit dhe zhvillimit, kanë filozofinë e vetë, mënyrën si shfaqen dhe veprojnë, ndikimet që krijojnë si në mjedis ashtu edhe në shoqëri.

 

E para, e ka shtratin e vetë të lindjes në shoqërinë tradicionale, pra në shoqërinë e cila në jetën e vetë shoqërore dhe ekonomike lidhet drejtpërdrejt me ritmet e natyrës. Për atë tip të shoqërisë lidhja me natyrën është esenciale, sepse i gjithë mbijetesa e popullatës varet nga kushtet natyrore. Kësisoj edhe festat, ritualet, simbolet, mitet, legjendat dhe krijimet e ndryshme imagjinare janë të lidhura me natyrën dhe fenomenet e saj. Nganjëherë shpjegimi i këtyre vlerave është i thjeshtësuar, nganjëherë i njëanshëm dhe i pasaktë, por studiuesit duhet të bëjnë më shumë përpjekje për t’i njohur, interpretuar dhe dekoduar përmbajtjet dhe mesazhet e tyre, për t’i kuptuar vlerat mjedisore të botëkuptimeve tradicionale mbi jetën, mbi qeniet e gjalla, mbi resurset natyrore, mbi ekosistemin dhe mbi jetën dhe botën në përgjithësi.

E dyta, ka lindur dhe është krijuar në kushtet e shoqërisë bashkëkohore, atëherë kur natyra objektivizohet, shndërrohet në resurs dhe eksploatohet me qëllim zhvillimi dhe pasurimi të strukturave ose konjukturave të caktuara shoqërore. Dëmet që iu kanë bërë dhe që po i bëhen përditë mjedisit jetësor, tokës, ujit, ajrit dhe biodiversitetit, domethënë gjithë ekosistemit, përfshirë këtu jo vetëm rrezikimin e shëndetit të popullsisë, por edhe të vetë ekzistencës njerëzore, kanë shtyrë njerëzit që të vetëdijesohen, organizohen dhe ndërmarrin veprime për sanimin e dëmeve ekzistuese dhe parandalimin e dëmeve të reja. Si rezultat i kësaj logjike, ka lindur lëvizja ekologjike, e cila në shumë vende të botës është bërë mjaft e fuqishme dhe me ndikim nëpër qendrat vendimmarrëse. Si rezultat i kësaj janë zhvilluar edhe etikat mjedisore me orientim biocentrik, të cilat janë bërë pjesë e debateve dhe literaturës bashkëkohore dhe të cilat në masë të madhe përkojnë me mënyrën e të menduarit në kulturat tradicionale, pra me ekokulturën e bazuar në kulturën tradicionale. Si rezultat i kësaj, poashtu janë zhvilluar edhe stilet e caktuara të jetesës, të shoqëruara me shprehi, bindje dhe botëkuptime biocentrike.

Studiuesi Shemsi Krasniqi, profesor i Departamentit të Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të UP-së

Kallxo.com: Cili është roli i besimeve në raportin ndërmjet natyrës dhe njeriut?

Shemsi Krasniqi: Besimet janë një element i rëndësishëm i jetës shpirtërore. Në raport me natyrën besimet e lashta kryesisht quhen animizëm, totemizëm ose paganizëm, por duke qenë se ato besime në masë të caktuar kanë mbijetuar edhe në ditët e sotme, kanë bashkëjetuar ose bashkëjetojnë me religjionet monoteiste, atëherë krejt kjo më mirë është të quhet sinkretizëm.

Nëse një maje mali prej disave konsiderohet e shenjtë dhe aty bëhen lutje sipas traditave të njohura fetare, atëherë kemi të bëjmë me sinkretizëm, përkatësisht me përshtatje me njëra-tjetrën të shtresave të ndryshme kulturore. Ky për shembull është rasti i Lybetenit ku në majën e tij, në mëngjesin e 2 gushtit bëhet falja e mëngjesit, pastaj në majën e Pashtrikut ku pjesëtarët e tarikatit Saadij të Gjakovës së bashku me disa banorë tjerë të fshatrave të rrethinës qëndrojnë atje rreth dy javë dhe bëjnë rituale; pastaj ai i Gjallicës të Kukësit, i Tomorit afër Beratit, ku krahas lutjeve dhe qëndrimit, theren edhe kurbane. Në të vërtetë prej pelegrinazheve në male në trojet shqiptare, ai në Tomorr padyshim se është më masivi edhe më i rëndësishmi.

Për t’i dhënë përgjigje më të drejtpërdrejtë pyetjes tuaj, besimet luajnë rol të rëndësishëm në atë që ndryshe quhet heterogjeniteti i hapësirës. Në bazë të besimeve të ndryshme, disa zona hapësinore janë ndryshe prej zonave tjera, disa zona hapësinore janë zona sakrale dhe dallojnë kualitativisht prej atyre që konsiderohen profane. Në zonat sakrale ka procedura të veçanta, ka ndjenja, përjetime, por edhe përgjegjësi të veçanta. Ndjesia që ta jep sakralja është mjaft interesante. Ajo të fascinon, por njëkohësisht të frikëson; të tërheqë por njëkohësisht të refuzon; të bën kureshtar, por njëkohësisht nuk të thotë gjë të re prej asaj që dihet. Në frymën e ekokulturës dhe etikës mjedisore, vlen të theksohet se hapësirë sakrale nuk janë vetëm monumentet fetare, tempujt, varret apo objektet tjera artificiale, por hapësirë sakrale mund të jenë edhe majat e maleve, burimet e ujit, shpellat, shkëmbinjtë, lisat e vjetër, pyjet etj., pra zonat ose monumentet e ndryshme natyrale, e të cilat në shumë raste konsiderohen peizazhe kulturore ose edhe trashëgimi natyrore  dhe kulturore e një vendi.

Kallxo.com: Çfarë simbolizojnë malet e larta dhe të veçanta, një gurë apo një lis i vjetër ose ndonjë objekt tjetër natyror për kulturën ose traditën e një populli?

Shemsi Krasniqi: Malet e larta, nuk janë vetëm gjeografi, gjeologji, botanikë ose ekologji. Ato janë edhe histori, kulturë, kujtesë, identitet, peisazh, ndjesi, frymëzim, sikurse edhe ekonomi, turizëm, zhvillim etj. Domethënë, malet e larta janë edhe trashëgimi kulturore, jo vetëm natyrore. Në të gjitha kulturat dhe civilizimet, ka male që paraqesin simbol të rëndësishëm identitar për popullin dhe vendin ku gjenden, male të cilat konsiderohen të shenjta dhe ku përveç miteve dhe legjendave, bëhen edhe rituale të ndryshme fetare, pelegrinazhe, lutje, dhurata, sakrifica etj. Antropologët dhe historianët e religjionit duke shpjeguar simbolikën e maleve, veç kushteve që ofrojnë ose kanë ofruar për mbijetesë, marrin parasysh edhe formën dhe lartësinë e tyre. Format e tyre piramidale, pamja karakteristike por edhe lartësia ose afërsia me qiellin, kanë ndikuar që ato të bëhen elemente të rëndësishme për imagjinatën njerëzore, duke i konsideruar ato si të shenjta dhe duke iu atribuuar dimensione hyjnore, duke i quajtur edhe si ‘Axis Mundi’ ose boshti i botës. Në të gjitha kontinentet ka male që konsiderohen ose janë konsideruar të shenjta prej kulturave dhe civilizimeve të ndryshme. Kësisoj, mali Fuji në Japoni, Kailash në Tibet, Olimpi në Greqi, Tomori në Shqipëri, Sinai në Egjipt, Har Karkon në Izrael, Hira në Arabi, Ararat në Turqi, Machu Pichu në Peru e shumë e shumë male tjera gjithandej nëpër botë, janë vetëm disa prej maleve të shenjta, të rëndësishme si për historinë e civilizimeve, kulturave dhe religjioneve të ndryshme, të lashta por edhe aktuale, ashtu edhe për eksperiencat shpirtërore njerëzore grupore dhe personale.

Gurët që konsiderohen të shenjët, nuk konsiderohen të tillë vetëm për shkak të vetë ekzistencës së tyre, por për shkak të ndonjë rrëfimi, besimi, miti apo legjende që është krijuar mbi ta; e gjithsesi mund të ketë edhe ndonjë ngjarje ose eksperiencë të rëndësishme personale apo grupore, që po ashtu mund të ketë ndikuar në këtë drejtim. Megjithatë, nuk duhet përjashtuar as dukuritë e ndryshme fizike që mund të lidhen me vende të caktuara, siç mund të jenë valët elektromagnetike, valët akustike, proceset mineralogjike, ekologjike etj. Është e njohur se në fushën e studimeve të artit parahistorik, një numër i madh i lokaliteteve parahistorike, karakterizohen me akustikë të veçantë. Kjo tregon se karakteristikat e caktuara fizike të hapësirave sakrale mund të kenë ndikuar që ato hapësira të marrin rol por edhe kuptim të veçantë, pra të mistifikohen e pastaj të sakralizohen, ose të konsiderohen si vende kultike, mitike etj. Gjithsesi, që një shkëmb të ketë marrë këtë status, duhet të ketë edhe një pamje të veçantë, pozicion dhe formë, qoftë si strukturë fizike apo formacion shkëmbor. Shkëmbinjtë e tillë bëhen pika referente për komunitetin, marrin emra duke u bërë pjesë e mikrotoponimisë, pastaj bëhen pjesë e rëndësishme edhe e përvojës dhe kujtesës njerëzore, sepse mund të jenë vend takimi, vend orientimi, vend rituali, shërimi, komunikimi, miti, legjende etj.

Lisat, sidomos lisat e vjetër, po ashtu kanë fituar sakralitetin jo vetëm në saje të natyralitetit, por edhe të historicitetit të tyre. Për dallim prej shkëmbinjve që karakterizohen me një ontologji tjetër, lisat janë botë organike. Ata mbillen, mirëmbahen, krasiten, modifikohen, thahen, shkatërrohen, por eventualisht edhe priten ose digjen. Ata kanë vertikalitetin, monumentalitetin, qëndrueshmërinë dhe utilitaritetin e shumëfishtë, sepse janë pika orientuese në hapësirë, por e kanë edhe simbolikën dhe estetikën, sepse i ofrojnë peisazhit pamje të bukur dhe madhështore. Në Kosovë ka qindra lisa të mëdhenj që konsiderohen të shenjtë dhe është tabu prerja, djegia madje edhe krasitja e tyre. Në vitet e fundit Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka bërë evidentimin e shumë prej këtyre lisave dhe ka vendosë tabelat me mbishkrimin si monument natyre dhe nën mbrojtje të shtetit. Përkundër respektit për shtetin dhe institucionet, komuniteti i ruan këta lisa shumë më shumë për shkak të kultit dhe besimit që është krijuar rreth tyre, sesa për shkak të tabelave informuese të vendosura nga shteti.

Kallxo.com: Cilat janë konceptet apo elementet më të shpeshta të ekokulturës (emërtimi juaj) prezente në trashëgiminë shpirtërore te ne?

Shemsi Krasniqi: Konceptet ose elementet e ekokulturës bazuar në traditën popullore janë të shumta, por më kryesoret janë ato të cilat edhe sot janë pjesë e mënyrës së të menduarit, besimeve, përvojës ose shprehive të jetës së përditshme. Në lidhje me atë që folëm më sipër për lisat e vjetër, do e merrja si shembull pikërisht elementin e ekokulturës që ka të bëjë me ta. Sipas besimeve popullore, e të cilat janë të pranishme gjithandej nëpër Kosovë, po qe se dikush pret ose dëmton këta lisa, atëherë e zë ahti. Ahti pra është një ndëshkim hyjnor i cili ndodh për shumë arsye, e më së shumti po qe se shkatërron ndonjë vlerë sakrale, fetare, simbolike ose monumentale; po qe se torturon, mundon, vret apo masakron ndonjë qenie të gjallë dhe të pafajshme, pa marrë parasysh se a është fjala për njeri apo kafshë; e kjo pra vlen edhe për lisat e vjetër, të cilët dikur kanë shërbyer si vende ku kanë mrizuar bagëtia, apo ku janë mbajtur kuvendet, tubimet e komunitetit, festat, ritualet, takimet etj. Ahti është ndëshkim i rëndë dhe mund të përcillet në familje brez pas brezi, mund të godas cilindo anëtar të familjes, jo vetëm atë që ka shkaktuar “fajin”, prandaj frika prej tij është e madhe. Ahti frikëson sepse forca e tij goditëse orientohet drejtë pikave më të ndjeshme të qenies njerëzore, si: jeta, shëndeti, reprodukimi dhe mirëqenia. Kësisoj, themi se ahti është një mekanizëm kulturor i cili ruan ekuilibrin ekologjik, prandaj është element i rëndësishëm i ekokulturës.

 

Element tjetër është ai që e kemi quajtur shëmbëllim. Shëmbëllimi është situatë kur ndonjë objekt natyror, si: dru, gurë, mal, stalaktit apo stalakmit i përngjan ndonjë objekti tjetër natyror apo ka ndonjë ngjashmëri me ndonjë pjesë trupore, si këmba, dora, syri, koka apo edhe trupi i njeriut. Në këso rastesh, ndodh shumë shpesh që objekti natyror merr karakter sakral, mistik dhe simbolik. Kjo pastaj ndikon në ruajtjen e tij si vlerë botanike ose gjeologjike, ndikon në ruajtjen e peizazhit, ekosistemit lokal dhe hapësirës fizike referente. Shndërrimi në të “paprekshme” gjithsesi ndikon në ruajtjen e natyralitetit të asaj vlere. Në Kosovë janë disa vende ku ka “fërkemë” njeriu (Koliq, Lybovec,…) dhe rreth tyre janë krijuar mite ose legjenda, e në disa raste edhe rituale. Simboli i fërkemit është i pranishëm edhe nëpër shumë lokalitete të artit shkëmbor, si në Valcamonica të Italisë për shembull, ku fërkemi na paraqitet i thjeshtë por edhe i dekoruar. Përgjithësisht, dora dhe këmba simbolizojnë praninë, prezencën, posedimin, dominimin, por edhe kalimin.

Shenjtërimi ose sakralizimi i natyrës dhe objekteve të caktuara natyrore, si lisat, malet, burimet e ujit, shpellat, kafshët, poashtu është element i rëndësishëm i ekokulturës, e sigurisht se prej më të rëndësishmëve. Kur objekti ose hapësira e caktuar merr statusin e të shenjtës, atëherë ajo definitivisht bëhet e paprekshme, bëhet e mbrojtur, pra jo vetëm zyrtarisht, por edhe spontanisht, tradicionalisht, kulturalisht. Kësisoj, në Kosovë qindra lisa kanë arritur të bëhen qindravjeçarë, sepse më mirë sesa shteti, i mbron ahti, përkatësisht frika nga ndëshkimi hyjnor, i mbron statusi i të shenjtës që e kanë arritur ndoshta shekuj më parë dhe vazhdon të ruhet akoma.

Kallxo.com: Vitin që lamë pas, nga MKRS jeni shpallur laureat i Çmimit Vjetor për Merita të Veçanta në Fushën e Trashëgimisë Kulturore “Shtjefën Gjeçovi”, a na tregoni pak se cilat janë meritat tuaja të veçanta në këtë fushë?

Shemsi Krasniqi: Shfrytëzoj rastin edhe njëherë ta falënderoj MKRS për ndarjen e këtij çmimi dhe për motivimin tim që të punoj edhe më tutje në fushën në të cilën kam punuar. Arti shkëmbor nuk është shumë i njohur në publik, por as nga institucionet që merren me trashëgimi. Është fjala për simbole të pikturuara ose gravuara në gurë ose shkëmbinjtë apo edhe nëpër shpella dhe që kanë mbetur të tilla që nga periudhat parahistorike, e në disa raste edhe me vazhdimësi antike e mesjetare. Në Kosovë e kemi këtë trashëgimi dhe unë kam punuar në hulumtimin e saj, në gjetjen e disa simboleve krejtësisht të fshehura ose të mbuluara jo vetëm nga myku i harresës, por edhe nga myshqet e natyrës. Deri tash kam prezantuar artin shkëmbor të Kosovës nëpër disa konferenca, simpoziume dhe kongrese ndërkombëtare në disa vende të botës, si Francë, Itali, Turqi, Kanada, e natyrisht se edhe në Shqipëri e Kosovë. Kam botuar disa artikuj në revista të huaja, por edhe në përmbledhje punimesh nga konferencat. Kam hapur në vend dhe jashtë vendit (Tiranë, Paris) ekspozitën “Arterren” që përmban imazhe edhe të artit shkëmbor.

Veçantia e artit shkëmbor të Kosovës është se është i stilit skematik dhe gjeometrik, e më pak natyralist e realistik. Simbolet që hasen në Kosovë janë simbole të ngjashme që hasen edhe në vende tjera të botës, sidomos në zonën që shtrihet nga Gadishulli Iberik deri te ai Ilirik. Natyrisht se krahas ngjashmërive, si kudo tjetër në botë, edhe arti shkëmbor i Kosovës ka veçantinë e vetë, domethënë ka simbole që janë unike. Ajo që duhet të bëhet nga institucionet është që krejt kjo trashëgimi tepër e vlefshme të njihet, evidentohet, të ruhet dhe arkivohet, të mbrohet insitucionalisht, e natyrisht se edhe të promovohet kulturalisht.

Studiuesi Shemsi Krasniqi, profesor i Departamentit të Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të UP-së