Kafshimi i Tokës

A e kafshon njeriu tokën? Dikush mund të thotë: jo, jo nuk e kafshon, por ndodh që bjen në dy gjunjtë dhe e puth. Për puthjen e tokës, ekziston një tregim i vjetër. Një perandor romak, pas një beteje të fituar, i vuri në sprovë dy bijtë e vet, duke iu thënë se ai i cili do të arrijë i pari të puthë nënën e vet, atij do ia lërë fronin trashëgim. Djemtë ishin gati të niseshin për të arritur vrap tek e ëma, por në çastin e nisjes, njëri prej tyre zbriti nga kali dhe ra në gjunjë dhe e puthi tokën.

Në atë moment, mbreti e shpalli garën e përfunduar, duke iu thënë djemve se toka është nëna e juaj. Djali që e puthi tokën e fitoi fronin mbretëror. Në fakt, toka e puthur ishte tokë e pushtuar, d.m.th. e huaj, por perandori deshi ta trajtojë me respekt, sikur të ishte e veta. E ne si po e trajtojmë tokën tonë, tokën e të parëve tanë, tokën e Kosovës, të mëmëdheut tonë të dashur? A po e puthim, apo po e kafshojmë? 

Nga do që shkojmë nëpër Kosovë, prej rrugëve kryesore po shohim kodra të kafshuara. Gurëthyesit e shumtë, me punën e tyre, po krijojnë pamje trishtuese në vend. Një ndjenjë armiqësie, agresiviteti dhe brutaliteti ndaj tokës, ndaj peisazheve dhe natyrës po vërehet kudo. Në anën tjetër, peisazhet e shkatërruara, që dikur ishin të bukura, po ndikojnë negativisht në mendjet tona, në shqisat tona, në shpirtin dhe shëndetin tonë. Një sociolog i njohur francez, kishte vërejtur se ekuilibri mental, në pjesën më të madhe është rezultat i asaj se objektet materiale, me të cilat jemi në kontakt të përditshëm, nuk ndërrojnë ose ndërrojnë fare pak, duke na ofruar një imazh të permanencës dhe stabilitetit. Pra, kemi një lidhje të fortë me mjedisin fizik dhe ndryshimet dramatike në mjedis, padyshim se ndikojnë në prishjen e stabilitetit tonë shpirtëror.

Shtrohet pyetja, a e duam ne tokën e vendit tonë, dhe pse e duam? A e duam për shkak të pasurisë ose kamjes së saj; apo për shkak të bukurisë dhe pamjes së saj? A e duam për shkak fitimit nga se e posedojmë, është e jona; apo edhe për shkak të nderit, nga se jemi të saj?  E nëse dashuria ndaj tokës është romantizëm, së paku mund të pyesim: a kemi ndjenjë dhimbjeje e keqardhjeje për mënyrën se si po e trajtojmë tokën tonë? A kemi farë shije se çfarë pamjesh po krijojmë? Ose, farë ndjenje, se çfarë dëmesh po shkaktojmë? Kur i sheh kodrat dhe malet se si po shkatërrohen duke i gërmuar buldozerët, ditë për ditë, e nga çdo anë,  thua me vete: po të kishin këmbë ato kodra a do të iknin, po të kishin gojë a do bërtisnin, po të kishin zemër a do të qanin! Ç’është ky hidhërim i njeriut me tokën e vet?! Ç’është kjo mungesë shije estetike dhe ndjenje etike për vendin e vet? Ç’është kjo pabesi ndaj kodrave dhe maleve të cilat dikur na mbronin e strehonin? A janë bërë gurëthyesit, besëthyes ndaj tokës e malit që i mbajti e i mbrojti në ditët më të vështira? 

Plagët e kafshimit po rriten çdo ditë, përderisa ilaq për shërimin e tyre nuk gjendet dot. Infermierët (inspektorët, sicc.!), nuk dinë se ç’të bëjnë! Ata, dinë t’i lidhin plagët e njerëzve, por jo ato të maleve, të kodrave e të tokës! Atëherë kur nëpër ato male, mjekët dhe infermierët i lidhnin e shëronin plagët e njerëzve, as që ju ka shkuar mendja, as që kanë paramenduar, se pas një kohe, jo njerëzit, por kodrat do të plagosen. Askush s’e ka kujtuar, se plagë gjigante do të hapen kudo nëpër kodrat nëpër të cilat para ca kohe vriteshin dhe plagoseshin njerëzit. Kush e ka besuar se të plagosurit e dikurshëm, do ta plagosin kaq rëndë tokën e vet! 

Banorët që jetojnë në afërsi të gurëthyesve, po e ndiejnë fort dhimbjen e kafshimit të tokës së tyre. Pluhuri i bardhë, përditë po ua mbulon pullazet e shtëpive, terrasat, oborret, kopshtet, arat, lëndinat, livadhet dhe malet për rreth. Në hall me këtë punë kanë rënë jo vetëm njerëzit, por edhe kafshët, shpendët, insektet, bimët e egra e të buta, drunjtë e rinj e të vjetër, pemët e perimet, lulet dhe bari, uji e ajri. Çdo gjë e gjallë bjen në hall prej plagëve të shkaktuara nga kafshimi i nënës-tokë, nga biri i vet i llastuar – njeriu!

Dhe në Kosovën e lirë, nuk po kafshohet vetëm toka, vetëm kodrat e malet, vetëm guri e druri, por edhe uji e lumi. Plagë të mëdha i janë bërë sidomos Drinit të Bardhë, i cili nuk duket më i bardhë, përveç se në burimin e vet. Lumi legjendar është sakatosur prej kafshimit të shtratit të tij dhe të fushave pjellore për rreth. Do nevojitet kohë derisa të shërohen plagët e krijuara. 

Në fund, secili mund të thotë: “Nuk di se çka na gjeti!” Por një prijës indian, në letrën që ia pat dërguar një kryetari amerikan, pat thënë: ”Çkado që e gjen tokën, do t’i gjejë edhe bijtë e saj”.