Kryeparlamentari Dëshiron Emrin Ustash për Parlamentin Kroat

“Qëllimi dhe angazhimi i të gjithë ne është Parlamenti Shtetëror Kroat. Po, e dëgjuat saktë. Kur të përmbushen kushtet, kam ndërmend të propozoj që të quhet përsëri kështu,” tha Zeljko Renier më 28 dhjetor në fjalimin e tij të parë si kryetar i sapozgjedhur i parlamentit.

Propozimi ka shkaktuar nervozizëm në mesin e disa njerëzve në Kroaci. Emri “Parlamenti Shtetëror Kroat” është përdorur vetëm dy herë në historinë kroate – një herë në mes të viteve 1997 dhe 2000, kur ai u ndryshua në Parlamentin Kroat dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore nën regjimin fashist ustash të njohur si Shteti i Pavarur i Kroacisë, NDH.

Ante Paveliq, drejtues i NDH-së, themeloi Parlamentin Shtetëror Kroat në vitin 1942. Ai ishte thjesht një fasadë demokratike në një vend që ai  e sundoi në mënyrë autokratike, ndërsa kreu gjithashtu edhe gjenocid kundër serbëve, hebrenjve dhe romëve.

Parlamenti Shtetëror mbajti tri seanca në vitin 1942, nuk ushtroi asnjë juridiksion të vërtetë dhe nuk u thirr përsëri derisa NDH-ja mori fund  në maj të vitit 1945.

Franjo Tuxhman, president kroat dhe komandant i kohës së luftës në vitet 1990, e rivendosi emrin në vitet e tij të fundit në detyrë, para se të vdiste në dhjetor 1999. Tuxhman nuk dha kurrë një përgjigje të qartë se pse ai e ndryshoi emrin e parlamentit, por mendohet se ai dëshironte të merrte votat e krahut të djathtë.

Reiner, një anëtar i qendrës së djathtë Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, e cila dominoi skenën politike në vitet 1990, më vonë tha se ai ishte i pakënaqur me mënyrën se si media kishte “nxjerrë vetëm atë fjali nga i gjithë fjalimi i tij”.

“Nuk e kuptoj se çfarë ka kaq të frikshme në një emër, i cili në të vërtetë është një emër historik, apo se çfarë rëndësie ka kjo gjë,” tha ai më 29 dhjetor, duke pretenduar se parlamenti e kishte mbajtur këtë emër edhe në vitet 1848 dhe 1918, gjë e cila nuk është e saktë nga ana historike.

Presidentja Kolinda Grabar Kitaroviç, një ish-anëtare e HDZ-së, e mirëpriti propozimin pas seancës së parlamentit më 28 dhjetor.

“Nuk do të mendoj për të kaluarën. Parlamenti Shtetëror Kroat – pse jo,”  pyeti ajo shkurtimisht.

Përveç konotacioneve të dyshimta historike me epokën fashiste, atributi “shtetëror” është, sigurisht, semantikisht i tepërt, duke qenë se Kroacia është e qartë që është një shtet. As nuk pajtohet me emrat e të gjitha institucioneve të tjera publike dhe kompanive në vend, të cilat përdorin vetëm termin “kroat”, siç është Posta Kroate, Banka Postare Kroare dhe Fondi Kroat i Sigurimeve Shëndetësore.

Ofrojnë ndryshime të tjera

Koalicioni i qeverisë që po afron ka njoftuar edhe për ndryshime tjera të mundshme në emrat e institucioneve.

Miodrag Demo, deputet për partinë e kryebashkiakut të Zagrebit Milan Bandiç, tani një anëtar i koalicionit paszgjedhor me HDZ-në, më 29 dhjetor tha se Ministria e Veteranëve të Luftës mund ta ndryshojë emrin e saj në “Ministria e Mbrojtësve Kroatë” – “mbrojtësit” një term i përdorur për luftëtarët në luftën për pavarësi të viteve 1990.

Kjo do të mund të krijonte konfuzion të madh duke qenë se “mbrojtësit” me ligji janë vetëm veteranët që luftuan kundër kryengritësve serbëve të Kroacisë dhe Ushtrisë Popullore Jugosllave, JNA, në vitet 1990.

Veteranët e luftës, të cilët kanë protestuar për më shumë se 14 muaj përpara ministrisë në Zagreb, sigurisht që dëshirojnë që emri të ndryshojë, duke kërkuar gjithashtu që të futet edhe atributi “kroat”.

Ministria dikur mbante emrin “Ministria e Mbrojtësve Kroatë të Luftës Atdhetare” (emri zyrtar i luftës për pavarësi) midis viteve 1997 dhe 2003, para se qeveria hoqi fjalën “kroat” dhe e bashkoi këtë ministri me disa ministri të tjera më të vogla .

Predrag Matiq, ministri në largim i veteranëve të luftës, tha se ideja nuk e kishte habitur, por meritonte të tallej.

“Mos duhet të kemi edhe Ministritë Kroate të Kulturës, Kroate të Bujqësisë dhe Kroate të Shëndetësisë?, ” pyeti ai me sarkazëm më 29 dhjetor.

“Disa do të donin që ajo të quhej diçka e ngjashme me Ministria Kroate e Mbrojtësve Kroatë të Luftës Kroate për Atdhe, të cilët u sulmuan nga serbët nga Serbia, çetnikët jugosllavë (nacionalistët serbë), agresorë dhe mjekëroshë,” sugjeroi Matiq me sarkazëm.

Nga perspektiva e pragmatizmit të thjeshtë, ndryshimi i emrit do të sjellë kosto shtesë në aspektin e hartimit dhe prodhimit të vulave, publikimeve dhe çdo gjë tjetër që e shoqëron një institucion të këtij lloji.

Në të njëjtën kohë, Reiner njoftoi gjithashtu se parlamenti do të financojë përsëri përkujtimoren e përvitshme në Bleiburg në Austrinë Jugore, ku partizanët jugosllavë në maj të vitit 1945 kapën ushtrinë e tërhequr të NDH-së dhe bashkëpunëtorë të tjerë nazistë.

Edhe pse historianët ende diskutojnë për numrin e të vdekurve, partizanët duket se kanë ekzekutuar rreth 30,000 persona që ishin duke u larguar nga vendi, shumica e tyre në Tezno dhe Macelj në Slloveni.

Qeveria e qendrës së majtë e Kroacisë ia preu parlamentit fondet për financimin e kësaj ngjarjeje në vitin 2012, duke pretenduar se ajo po keqpërdorej nga njerëz që promovojnë shenjat fashiste dhe bëjnë përshëndetje fashiste, të cilat u transmetuan në Radiotelevizionin Publik Kroat, HRT.

Në nivel rajonal, lëvizja më e fundit simbolike mund të shkaktojë tensione të reja me Serbinë.

Nga fillimi i viteve 1990, ndërsa Kroacia po luftonte për pavarësi dhe për të vendosur simbolet e saj të reja shtetërore, Serbia akuzoi vazhdimisht kroatët se po promovonte rehabilitimin e fshehtë të NDH-së, duke përdorur simbole të ngjashme.

Në atë kohë, Kroacia prezantoi gjithashtu një monedhë të re / të vjetër, kuna,  e cila është përdorur gjithashtu edhe në kohën e NDH-së, edhe pse ajo është përdorur edhe më herët në histori. Në aspektin e gjuhës, Kroacia gjithashtu riprezantoi disa nga termat dhe emrat e institucioneve dhe zyrtarëve të përdorura në kohën e NDH-së.

NDH-ja përdori disa simbole historike, (të përdorura edhe gjatë Jugosllavisë socialiste, së bashku me yllin e kuq), siç ishte edhe stemën me kuadrate të kuqe dhe të bardha si stemë për armët.

Megjithatë, ndërsa Kroacia e sapodeklaruar e pavarur riprezantoi flamurin me kuadrate, ajo vendosi fushën e kuqe dhe vendosi pesë mburoja të reja mbi stemë në formën e një kurore apo kurorëze, të cilat simbolizojnë pesë rajonet historike kroate.

Megjithatë stema me fushën e parë në të bardhë përdoret ende nga krahu i djathtë kroat dhe shfaqet rregullisht në tubimet e tyre masive, ose herë pas here në ndërtesa private. Ligjet kroate nuk e ndalojnë paraqitjen e flamujve të veçantë dhe policia ka sanksionuar vetëm stemat në të cilat shfaqet shkronja “U”, e cila nënkupton ustashët.

Disa shoqata të veteranëve të Luftës së Dytë Botërore dhe të atyre të luftës së viteve 1990 përdorin stema armësh të ngjashme me atë të NDH-së  si stemat dhe vulat e tyre. Shoqata e Veteranëve të njësisë paraushtarake të viteve 1990, Forcat Kroate të Mbrojtjes, HOS, e cila u integrua në Ushtrinë Kroate gjatë luftës, përdor gjithashtu thirrjen ustashe “Za dom spremni” (“Gati për atdheun!”) në stemën dhe vulën e saj.

Një peticion i nënshkruar nga rreth 3,200 njerëz, duke përfshirë edhe disa priftërinj katolikë dhe intelektualë të rangut të lartë, në gusht të vitit 2015 i kërkoi presidentes Grabar Kitaroviq të rivendoste këtë përshëndetje si një përshëndetje formale të Ushtrisë Kroate, të cilën ajo e refuzoi.

Ivan Tepes, president i partisë së krahut të djathtë Partia Kroate të të Drejtave të Ante Starceviq, HSP-AS-ja, një partner i ardhshëm në qeverinë e re të udhëhequr nga HDZ-ja, e lavdëroi përshëndetjen ustashe, duke pretenduar se ajo “nuk ishte një përshëndetje fashiste”, por një simbol nën të cilin Kroacia u mbrojt në vitet 1990.

Edhe anëtarët e mbijetuar të ustashëve dhe njësive të tjera të NDH-së nuk stigmatizohen më në publik dhe gëzojnë mundësinë e marrjes së pensioneve për shërbimin e tyre ushtarak, gjë e cila mori komente negative nga drejtori i Qendrës Simon Wiesenthal, Efraim Zurof, në maj të vitit 2015.